ABEL-MEHOLAHU
[rrjedhë uji e kërcimit].
Vendi ku jetonte Eliseu. Atje Elija e gjeti duke lëruar dhe e mirosi si profetin që do ta pasonte.—1Mb 19:16-19.
Më parë, Abel-Meholahu përmendet në tregimin për midianitët që mposhti çeta e Gideonit. Në Shkrime thuhet se midianitët ia mbathën në rrëmujë e sipër «deri në rrethinat e Abel-Meholahut pranë Tabatit».—Gjy 7:22.
Meqë Tabati ndodhet në lindje të lumit Jordan, që nga 1951-shi janë bërë përpjekje për ta lidhur Abel-Meholahun me Tell-el-Maklubin që gjendet në Vadi-el-Jabis. Një argumentim tjetër që përdoret për të mbështetur këtë hipotezë është se, pasi iku nga Horebi, Elija ndaloi në Abel-Meholah që të miroste Eliseun dhe, përveç kësaj, kishte caktimin të shkonte në «shkretëtirën e Damaskut» që të miroste Hazaelin si mbret të Sirisë. (1Mb 19:15) Në lashtësi, rruga kryesore që të çonte nga Horebi në Damask ishte në lindje të Jordanit, ndonëse atë rrugë hera-herës e kontrollonin nomadët.
Megjithatë, ngjarja për Gideonin që ndoqi midianitët zbulon se ata ishin në perëndim (jo në lindje) të Jordanit kur ndodhi ajo që përshkruhet te Gjykatësve 7:22. (Shih Gjy 7:24.) Dhe, sa për udhëtimin që duhej të bënte Elija për në shkretëtirën e Damaskut, Bibla tregon se ky udhëtim nuk u bë menjëherë, por përkundrazi, u bë ca kohë më vonë nga pasuesi i tij, Eliseu. (1Mb 19:15-19; 2Mb 8:7-13) Duke pasur parasysh këtë, disa vepra gjeografike ende sugjerojnë se vendndodhja e Abel-Meholahut ishte në perëndim të Jordanit, jo në lindje të tij. (The Geographical and Topographical Texts of the Old Testament, nga J. Simonsi, Lajden, 1959; The Geography of the Bible, nga D. Bali, 1957; dhe Atlas of the Bible, nga L. H. Grollenbergu, 1956) Në shekujt e parë të erës sonë, si Jeronimi edhe Eusebi e lidhnin Abel-Meholahun me një vend 10 milje romake (15 km) në jug të Beth-Sheanit (në perëndim të Jordanit). J. Aharoni thotë: «Tani është përcaktuar me shumë siguri se vendndodhja e Abel-Meholahut është Tell-Abu-Susi në anën [perëndimore] të Jordanit, 15 km. në jug të Beth-Sheanit.» (The Land of the Bible, versioni i A. Reinit, 1979, f. 313) Rrafshina e Beth-Sheanit aty pranë është e përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë në masë.—Krahaso 1Mb 19:19.
Një e dhënë tjetër që mbështet vendndodhjen në perëndim të Jordanit është fakti se, më pas, Abel-Meholahu bënte pjesë në krahinën e pestë administrative të Solomonit dhe përmendet bashkë me vende të tjera në perëndim të Jordanit. (1Mb 4:12) Me sa duket ishte qyteti i meholatitit Adriel, dhëndër i Saulit. (1Sa 18:19; 2Sa 21:8) Ndoshta quhej Abel-Meholah ngaqë atje bëheshin kërcime festive me rastin e korrjes.