AKADI
Një ndër katër qytetet e themeluara nga Nimrodi, që formuan ‘në fillim mbretërinë e tij’. (Zn 10:10) Akadi mendohet se është qyteti i lashtë i Agades, por vendndodhja e tij nuk dihet me saktësi.
Emri Akad përdoret edhe për rajonin verior të asaj zone që më vonë u quajt Babiloni. Akadi, me sa duket, u shqua si qytet kryesor ose si seli mbretërore e atij rajoni, kur sundonte Sargoni I (jo Sargoni i Is 20:1). Rajoni jugor i Mesopotamisë quhej Sumer. Babilonia u formua nga këto dy rajone dhe në dokumentet babilonase, sundimtarët e saj quheshin ende «mbreti i Akadit» deri në kohën e rënies së Babilonisë në vitin 539 p.e.s. Në cilindrin e Kirit thuhet se pushtuesi i Babilonisë mori titullin «mbret i Babilonisë, mbret i Sumerit dhe Akadit».
Duket se banorët e Akadit ua kalonin banorëve të Sumerit në artin e skulpturës dhe në prerjen e vulave të ndërlikuara. Sot termi «akadiane» përdoret për dialektet e lashta të gjuhës asiriane dhe babilonase.