ADRIA
Te Veprat 27:27 përmendet ‘deti i Adrias’, në të cilin Pavli kaloi 14 ditë të stuhishme para se anija ku ndodhej të shkatërrohej në ishullin e Maltës. Straboni thotë se ky emër rrjedh nga qyteti i Atrias, i cili gjendej në grykëderdhjen e lumit Po, në atë që tani quhet gjiri i Venecies. (Gjeografia, 5, I, 8) Qyteti i tanishëm italian i Adrias gjendet disi larg bregut. Duket se emri Adria filloi të përdorej për ujërat që ndodheshin në afërsi dhe dalëngadalë përfshiu të gjithë detin e sotëm Adriatik, detin Jon, si edhe ujërat e Mesdheut në lindje të Sicilisë (e të Maltës) dhe në perëndim të Kretës. Kështu emri përfshinte disa ujëra që sot nuk konsiderohen pjesë e detit Adriatik; megjithatë, në kohën e Pavlit mund të thuhej me të drejtë se ishulli i Maltës lagej nga të gjitha anët nga ‘deti i Adrias’.