LUGINA E PËRROIT TË BESORIT
Luginë përroi që përmendet vetëm në rastin kur Davidi u vu në ndjekje të plaçkitësve amalekitë që kishin marrë dhe djegur qytetin e Ziklagut. (1Sa 30:1, 10, 21) Duket qartë se kusarët ishin nisur për në jug, drejt territorit të tyre në Negeb, por tregimi nuk thotë me saktësi çfarë udhe ndoqën. Prandaj nuk mund të përcaktohet me siguri ku ndodhej lugina e përroit të Besorit, vendi ku ndaluan 200 ushtarë të Davidit ngaqë ishin të rraskapitur. Megjithatë, në përgjithësi e lidhin me Vadi-Gazehun (Nahal-Besorin), një vad i madh në jugperëndim të Ziklagut që derdhet në Mesdhe, poshtë Gazës.
Pas fitores mbi amalekitët, Davidi e ndau prenë e luftës edhe me luftëtarët që kishin ndenjur në luginë duke ruajtur plaçkat. Me sa duket, ky veprim u bazua te parimi që kishte shprehur më parë Jehovai te Numrat 31:27, pas fitores së Izraelit mbi Midianin. Që nga ajo ditë, Davidi e mbajti këtë «si rregull dhe si vendim gjyqësor për Izraelin».—1Sa 30:21-25.