GEBALI
[ndoshta: territor; kufi], gebalitët.
1. Qytet fenikas në brigjet e Mesdheut, që mendohet se është Jebeili i sotëm, rreth 28 km në veri-verilindje të Bejrutit. Atë qytet, të quajtur Biblos nga grekët, historianët e mbajnë si një prej qyteteve më të lashta të Lindjes së Mesme.—Shih Js 13:5, shën., NW.
Jehovai e përfshiu ‘vendin e gebalitëve’ ndër rajonet që mbeteshin për t’i pushtuar Izraeli në ditët e Josiut. (Js 13:1-5) Sipas kritikëve, këtu ka mospërputhje, pasi qyteti i Gebalit ndodhej shumë më në veri të Izraelit (rr. 100 km në veri të Danit) dhe duket se nuk u vu kurrë nën sundimin izraelit. Disa studiues kanë hedhur idenë se teksti hebraik në këtë varg mund të jetë dëmtuar dhe se në fillim thoshte «vendi ngjitur me Libanin» ose «deri në kufirin e gebalitëve». Megjithatë, vlen të përmendet edhe se premtimet e Jehovait te Josiu 13:2-7 ishin premtime me kusht. Kështu, Izraeli ndoshta nuk e shtiu kurrë në dorë Gebalin për shkak të mosbindjes së vet.—Krahaso Js 23:12, 13.
Në shekullin e 11-të p.e.s., gebalitët ndihmuan Solomonin duke përgatitur materiale për ndërtimin e tempullit. (1Mb 5:18) Jehovai i renditi «të moshuarit e Gebalit» ndër ata që ndihmuan të ruhej lavdia dhe fuqia tregtare e Tirit të lashtë.—Ezk 27:9.
2. Një tjetër Gebal që në Psalmin 83:7 përmendet bashkë me Amonin dhe Amalekun, prandaj ka të ngjarë të ndodhej në jug ose në lindje të Detit të Vdekur. Edhe pse vendndodhja nuk dihet me saktësi, sipas disa studiuesve ky Gebal ishte në afërsi të Petrës, afro 100 km në veri-verilindje të gjirit të ʽAkabës.