GOLGOTA
[(vendi i) kafkës].
Vendi jashtë qytetit të Jerusalemit, por gjithsesi afër tij, ku vunë në shtyllë Jezu Krishtin. (Mt 27:33; Gjo 19:17-22; He 13:12) Aty pranë kalonte një rrugë dhe ndodhej një kopsht me një varr. (Mt 27:39; Gjo 19:41) «Golgota» ose «Vendi i Kafkës» është quajtur edhe «Kalvari» (Lu 23:33, KJ, Dy), nga fjala latine calvaria (kafkë). Bibla nuk thotë nëse Golgota ndodhej në një kodër, edhe pse përmend faktin që disa e panë nga larg vënien në shtyllë.—Mr 15:40; Lu 23:49.
Në shekullin e 4-t të e.s., perandori Kostandin i besoi peshkopit Makar detyrën që të përcaktonte ku u vu në shtyllë dhe ku u varros Jezui. Peshkopi arriti në përfundimin se ishte vendi ku perandori Adrian kishte ngritur tempullin e Afërditës (Venerës). Kështu, Kostandini urdhëroi të shembej ai tempull e të ndërtohej një bazilikë, që më vonë u zgjerua, u modifikua dhe u bë Kisha e Varrit të Shenjtë. Gërmimet arkeologjike të bëra që nga viti 1960 tregojnë se kjo zonë përdorej si varrezë dhe mendohet se e tillë ishte edhe në shekullin e 1-rë të e.s. Pra, Kisha e Varrit të Shenjtë sot ngrihet në një nga vendndodhjet që sugjeron tradita për Golgotën dhe varrin e Jezuit. Edhe pse gjendet brenda mureve të sotme të Jerusalemit, në kohën e Jezuit ky vend mendohet të ketë qenë jashtë mureve të qytetit.
Një tjetër vendndodhje e sugjeruar për vendin ku u vu në shtyllë Jezui është një kodrinë 230 m në verilindje të Portës së Damaskut, e njohur sot si Kalvari i Gordonit. Më 1842 u hodh ideja se kjo ishte vendndodhja e vërtetë e Golgotës dhe e varrit të Jezuit. Këtë ide e përkrahu në vitin 1883 gjenerali Ç. Xh. Gordon, hero ushtarak i Britanisë. Përcaktimi i kësaj vendndodhjeje bazohej në hamendje. Në bazë të dëshmive arkeologjike ekzistuese, Gabriel Barkei thotë se Varri i Kopshtit aty pranë, që shpesh u paraqitet turistëve si vendi ku u varros Jezui, u gërmua e u përdor për herë të parë diku rreth shekullit të 8-të ose të 7-të p.e.s. Kjo nuk përputhet me përshkrimin që gjejmë te Gjoni 19:41 për ‘një varr të ri, në të cilin nuk kishin futur ende askënd’.—Biblical Archaeology Review, mars-prill 1986, f. 50.
Përcaktimi i vendndodhjes së Golgotës shpesh është kthyer në debat fetar të zjarrtë. Sidoqoftë, nuk ka asnjë provë arkeologjike se vendi është «Kalvari i Gordonit». Kurse për vendin ku ngrihet Kisha e Varrit të Shenjtë janë marrë parasysh disa gjetje arkeologjike. Gjithsesi, përcaktimi i saj si vendndodhja e Golgotës bazohet kryesisht në traditën e shekullit të 4-t. Për këtë të fundit, në një botim thuhet: «Edhe pse nuk jemi plotësisht të sigurt nëse vendi ku ndodhet Kisha e Varrit të Shenjtë është vendi ku u varros Jezui, nuk kemi asnjë vend tjetër që të ketë dëshmi më të forta për këtë.» (Biblical Archaeology Review, maj-qershor 1986, f. 38) Pra, vendndodhja e Golgotës mbetet objekt hamendjesh.