GOSHENI
1. Rajon i Egjiptit ku izraelitët banuan 215 vjet (1728-1513 p.e.s.). (Zn 45:10; 47:27) Vendndodhja e saktë e Goshenit nuk dihet, por duket se shtrihej në lindje të deltës së Nilit, aty ku fillonte Egjipti. Kjo duket edhe nga fakti se Jozefi, pasi la banesën e tij në Egjipt, u takua me të atin (që udhëtonte nga Kanaani) në Goshen. (Zn 46:28, 29) Mënyrat se si e ka përkthyer këtë emër Septuaginta greke, tregon se Gosheni gjendej në afërsi të Vadi-Tumilatit.
Faraoni mbante bagëtinë në Goshen, kurse hebrenjtë kullotnin atje kopetë dhe tufat. (Zn 47:1, 4-6; 50:8) Përshkrimi që i bëhet vendit si ‘pjesa më e mirë’ e Egjiptit, duket se është një term relativ që do të thotë se kishte kullotat më pjellore në vend dhe plotësonte më së miri nevojat e veçanta të familjes së Jakobit. Gosheni mund të ketë qenë si ‘vendi i Ramsesit’. (Zn 47:6, 11) Që nga plaga e katërt e këtej, Jehovai e dalloi qartësisht nga Egjipti vendin e ‘Goshenit’ që të mos prekej.—Da 8:22; 9:26.
2. Qytet në rajonin malor të Judës. (Js 15:20, 48, 51) Disa studiues janë orvatur ta lidhin me Ed-Dahirijanë, rreth 18 km në jugperëndim të Hebronit. «Gosheni» që përmendet te Josiu 10:41 dhe 11:16, ka të ngjarë të ketë qenë një krahinë aty afër. Krahina mund të përfshinte rajonin malor mes Hebronit dhe Negebit.