HUSHAI
[ndoshta formë e shkurtuar e emrit Hashabiah që do të thotë «Jehovai ka vlerësuar (konsideruar)»].
Arkit, shok besnik i mbretit David i cili ndihmoi që të shtypej revolta e Absalomit. (1Kr 27:33) Hushai, me petk të shqyer e me dhé mbi kokë, takoi në Malin e Ullinjve mbretin që po ia mbathte. Ashtu siç i sugjeroi Davidi, ai u kthye prapë në qytet, duke u shtirur si besnik i Absalomit, dhe u përpoq të sabotonte këshillën e Ahithofelit e të informonte Davidin me anë të priftërinjve Sadok e Abiatar. (2Sa 15:30, 32-37) Në fillim Absalomi dyshoi, por Hushai ia doli mbanë të fitonte besimin e tij. (2Sa 16:16-19) Kur Absalomi e pyeti se cila do të ishte sipas tij strategjia më e mirë për të sulmuar Davidin, Hushai tha të kundërtën e asaj që propozoi Ahithofeli, duke sugjeruar një taktikë që do t’i linte kohë Davidit të organizohej. Hushai e paraqiti idenë e tij në një mënyrë të tillë që Absalomit iu duk më e mirë se këshilla e Ahithofelit për ta sulmuar Davidin menjëherë. Atëherë Hushai njoftoi priftërinjtë për gjithçka. (2Sa 17:1-16) Këshilla e tij sabotoi atë të Ahithofelit, tamam siç i ishte lutur Davidi Perëndisë, dhe ‘Jehovai solli gjëmën mbi Absalomin’.—2Sa 15:31; 17:14; shih MIKU (Mik [shok] i mbretit).