JABESH-GALAADI
[ndoshta: vendi i tharë i Galadit].
Qytet i lashtë në territorin e fisit të Gadit, në lindje të Jordanit. Nuk dihet me siguri ku ndodhej, ndonëse shumica e studiuesve mendojnë se ishte pak më në lindje të Jordanit, afër Vadi-Jabisit (Jabeshit), rreth 35 km në jug të detit të Galilesë.
Për herë të parë, Jabesh-Galaadi u përmend në kohën e gjykatësve, në ngjarjen për shpagimin që mori fisi fqinj i Beniaminit ngaqë toleroi një imoralitet të rëndë. (Gjy 21:8) Në atë rast, izraelitët thuajse e shfarosën krejt fisin e Beniaminit (vetëm 600 burra ia mbathën), por u zbulua se asnjë burrë nga Jabesh-Galaadi nuk kishte marrë pjesë në ekzekutimin e atij ndëshkimi të merituar. Si pasojë, u mor vendimi që në Jabesh-Galaad të vritej çdo burrë, grua e fëmijë, me përjashtim të virgjëreshave. Kështu, për të mos u shuar fisi, beniaminitëve që ia kishin mbathur u dhanë për gra 400 virgjëreshat e lëna gjallë.—Gjy 20:1–21:14.
Afro tre shekuj më pas, kur gjithë Izraeli po kërkonte me të madhe një mbret njerëzor ashtu si kombet e tjera, amonitët kërcënuan se do t’i nxirrnin syrin e djathtë çdo mashkulli të Jabesh-Galaadit. Mirëpo kërcënimi shkoi bosh, pasi Sauli mobilizoi një ushtri prej 330.000 vetash e u dha dërrmën amonitëve. (1Sa 11:1-15) Dyzet vjet më vonë, filistinët i mundën izraelitët dhe kufomat e Saulit e të tri bijve të tij, që u kishin prerë kokën, i varën në murin e sheshit të Beth-Shanit. Me të dëgjuar për këtë poshtërim, burra trima nga Jabesh-Galaadi bënë një mësymje të guximshme natën dhe i morën kufomat, i çuan në Jabesh-Galaad e i dogjën, ndërsa eshtrat i varrosën denjësisht. Pas kësaj, agjëruan shtatë ditë.—1Sa 31:8-13; 1Kr 10:8-12.
Davidi, si mbreti i porsamirosur i Judës, i lavdëroi dhe i bekoi qytetarët e Jabesh-Galaadit për dashamirësinë që i treguan të mirosurit të Izraelit të rënë në betejë. (2Sa 2:4-7) Më pas, Davidi i mori eshtrat e Saulit dhe të Jonatanit nga Jabesh-Galaadi e i varrosi në territorin e Beniaminit, në varrezën e familjes së Saulit.—2Sa 21:12-14.