JAVANI
Biri i katërt në radhë i Jafetit dhe i ati i Elishahut, Tarshishit, Kitimit dhe Dodanimit (ose Rodanimit). Këta pasardhës të Noesë të epokës pas Përmbytjes ishin ndër ata që populluan ‘ishujt e kombeve’, një shprehje që përfshin edhe vendet bregdetare e jo vetëm ishujt e mirëfilltë. (Zn 10:2, 4, 5; 1Kr 1:5, 7) Dëshmitë historike tregojnë se pasardhësit e Javanit dhe të katër bijve të tij u vendosën me banim në ishujt dhe vendet bregdetare të detit Mesdhe, nga Qiproja (Kitimi) deri në perëndim të Mesdheut.—Shih DODANIMI; ELISHAHU; KITIMI; TARSHISHI nr. 1.
Javani (heb., Javán ) konsiderohet paraardhësi i jonëve të lashtë, të quajtur nga disa «fisi burimor i grekëve». (Commentary on the Old Testament, nga K. F. Kajli dhe F. Deliçi, 1973, vëll. I, Libri i parë i Moisiut, f. 163) Homeri (që ndoshta jetoi në shekullin e tetë p.e.s.) e përdori emrin Iáones për grekët e lashtë dhe, duke nisur nga epoka e Sargonit II (shekulli i tetë p.e.s.), emri Javanu shfaqet edhe në mbishkrimet asiriane.
Në rrjedhën e kohës, kuptimi i emrit Jonia u kufizua dhe nënkuptonte vetëm rajonin e Atikës (rajoni përreth Athinës), bregun perëndimor të Azisë së Vogël (që përkonte me brigjet e provincave të mëvonshme të Lidisë e Karisë) dhe ishujt fqinjë të detit Egje. Sot e kësaj dite, deti që ndodhet mes Greqisë Jugore dhe Italisë Jugore quhet deti Jon. Pranohet se ky emër ka origjinë mjaft të lashtë, çka mbështet hipotezën se kjo formë e emrit Javan përdorej dikur për Greqinë kontinentale, si edhe për zonën më të vogël që u quajt më vonë Jonia.
Pas tregimit të Zanafillës, pasardhësit e Javanit përmenden sërish diku nga fundi i shekullit të nëntë p.e.s. nga profeti Joel. Profeti i dënon banorët e Tirit, Sidonit dhe Filistisë ngaqë ua shitën si skllevër bijtë e Judës e të Jerusalemit «bijve të grekëve» (fjalë për fjalë, «javanitëve» ose «jonëve»). (Jo 3:4-6) Në shekullin e tetë p.e.s., Isaia paratha se disa judenj që do t’i mbijetonin zemërimit të Perëndisë, do të udhëtonin në shumë vende, mes të cilave edhe në «Javan», ku do të shpallnin lavdinë e Jehovait.—Is 66:19.
Në fund të shekullit të shtatë ose në fillim të shekullit të gjashtë p.e.s., «Javani, Tubali dhe Mesheku [këto vende të fundit ndodheshin me sa duket në lindje të Azisë së Vogël a pak më në veri]» e furnizonin qendrën e begatë tregtare të Tirit me skllevër dhe sende bakri. (Ezk 27:13) Javani përmendet prapë në Ezk 27 vargun 19 të po kësaj profecie, por fakti që vendet e përmendura në atë kontekst ndodhen në Siri, Palestinë dhe Arabi i ka shtyrë disa të mendojnë se është bërë një gabim gjatë kopjimit. Septuaginta greke, në vend që të thotë «dhe Javani nga Uzali», e përkthen Javan me fjalën «verë», pra, thotë «dhe me verë. Nga Aseli [Uzali]». (LXX, Tomsoni) Përkthimi nga Simon Filipaj thotë «verë prej Uzalit». Megjithatë, disa të tjerë hedhin idenë se këtu Javan mund t’i referohet një kolonie greke në Arabi ose mund të jetë emri i një fisi a qyteze arabe.
Në profecitë e Danielit, «Javan» zakonisht përkthehet ‘Greqi’, meqë plotësimi historik i shkrimeve të Danielit e bën të qartë se ky ishte kuptimi. (Dn 8:21; 10:20; 11:2) E njëjta gjë mund të thuhet për profecinë e Zakarisë (520-518 p.e.s.), ku parathuhej lufta ngadhënjimtare e ‘bijve të Sionit’ kundër Javanit (Greqisë).—Za 9:13.