LABANI
[i bardhë].
1. Nipi i Nahorit, vëllait të Abrahamit. Ai ishte i biri i Betuelit dhe vëllai i Rebekës (Zn 24:15, 29; 28:5), si edhe babai i Leas e i Rakelës. (Zn 29:16) Labani banonte në qytetin e Haranit në Padan-Aram, një zonë e Mesopotamisë.—Zn 24:10; 27:43; 28:6; 29:4, 5.
Labani është quajtur «biri i Betuelit, sirianit [fjalë për fjalë, ‘aramaitit’]» dhe ‘Labani, siriani’. (Zn 28:5; 25:20; 31:20, 24) Ky epitet i shkonte për shtat, pasi ai banonte në Padan-Aram, term që do të thotë «rrafshina (pllaja) e Aramit (Sirisë)». Ai ishte një semit që banonte në një zonë të zaptuar nga një popullsi që fliste aramaisht, gjuhë semitike.
Pikërisht në këtë zonë, Abrahami i moshuar dërgoi shërbëtorin e tij që të gjente grua për Isakun. (Zn 24:1-4, 10) Pasi dëgjoi Rebekën që i tregoi për takimin e saj me shërbëtorin e Abrahamit dhe pa dhuratat që kishte marrë, Labani vrapoi drejt shërbëtorit, e quajti të bekuar nga Jehovai dhe i ofroi mikpritjen e tij. (Zn 24:28-32) Më pas, Labani luajti një rol të rëndësishëm në bisedimet për martesën e Rebekës, pasi pëlqimi për këtë martesë varej nga ai dhe i ati, Betueli.—Zn 24:50-61.
Vite më vonë, Jakobi shkoi në shtëpinë e dajës së tij në Haran, për t’i shpëtuar hakmarrjes së Esaut dhe për të gjetur grua. (Zn 27:41–28:5) Në këtë kohë, Labani kishte dy vajza, Lean dhe Rakelën (Zn 29:16), e ndoshta edhe disa djem. (Zn 31:1) Ai ra në ujdi me Jakobin që për shtatë vite shërbimi t’i jepte për grua Rakelën, vajzën e tij të vogël. Megjithatë, natën e martesës, Labani e mashtroi Jakobin duke i dhënë Lean në vend të Rakelës. Ai i shpërfilli protestat e Jakobit duke nxjerrë justifikimin se kështu ishte zakoni, dhe pastaj i ofroi Rakelën si grua të dytë, nëse i shërbente edhe për shtatë vite të tjera.—Zn 29:13-28.
Kur, më në fund, Jakobi deshi të largohej, Labani i bëri presion të rrinte dhe të vazhdonte t’i shërbente kundrejt pagesës. (Zn 30:25-28) Ata ranë dakord që Jakobi të mbante të gjitha delet pikaloshe e lara-lara dhe deshtë në ngjyrë kafe të errët, si dhe dhitë pikaloshe e lara-lara. (Zn 30:31-34) Mirëpo fjalët që i tha më pas Jakobi Leas, Rakelës, por edhe vjehrrit të tij (Zn 31:4-9, 41), tregojnë se gjatë viteve pasuese Labani e ndryshonte fjalën shpesh, kur shihte se kopetë e Jakobit shtoheshin së tepërmi. Qëndrimi i Labanit kundrejt Jakobit nuk ishte më si më parë dhe, sipas udhëzimit të Jehovait, Jakobi vendosi të kthehej në vendlindje me familjen dhe kopetë e tij.—Zn 31:1-5, 13, 17, 18.
Pasi mori vesh ditën e tretë se Jakobi kishte ikur fshehurazi, Labani e ndoqi dhe e arriti në rajonin malor të Galaadit. Megjithatë, një paralajmërim nga Perëndia e frenoi t’i bënte keq Jakobit. (Zn 31:19-24) Kur u takuan, Labani dhe Jakobi u grindën. Jakobi i kujtoi Labanit se kishte 20 vjet që i shërbente me besnikëri dhe punonte për të pa u lodhur. Veç kësaj, nuk i la pa përmendur se ai nuk ishte treguar i drejtë me të, duke ia ndryshuar pagën dhjetë herë.—Zn 31:36-42.
Labani donte me çdo kusht të rimerrte idhujt e shtëpisë, ose siç i quanin ata terafimët, që Rakela kishte vjedhur pa dijeninë e Jakobit. Ai s’mundi t’i gjente, sepse Rakela i mbante fshehur. Labani mund të jetë ndikuar nga idetë fetare të adhuruesve të hënës, mes të cilëve jetonte, siç tregohet nga fakti që përdorte ogure dhe mbante idhuj shtëpie. Megjithatë, duhet mbajtur parasysh se kishte edhe arsye të tjera edhe më të mëdha përveç atyre fetare që mund ta kenë shtyrë Labanin t’i kërkonte me ngulm idhujt e tij e t’i rimerrte. Disa pllaka të zbuluara në Nuzi afër Kirkukut, në Irak, tregojnë se, sipas ligjeve që vepronin në këtë zonë gjatë kohës së patriarkëve, një dhëndër që kishte idhuj të tillë shtëpie, kishte të drejtë të paraqitej në gjyq e të kërkonte të mirat e vjehrrit të tij pas vdekjes. Kështu, Labani mund të ketë menduar se Jakobi i kishte vjedhur idhujt e shtëpisë që më vonë t’u merrte pronat bijve të tij. Kjo mund të jetë arsyeja pse Labani, kur nuk i gjeti perënditë e shtëpisë, tërë merak nxitoi të binte në ujdi me Jakobin për t’u siguruar se pasi të vdiste, dhëndri nuk do të kthehej me perënditë e shtëpisë për t’u marrë trashëgiminë kunetërve.—Zn 31:30-35, 41-52.
Labani dhe Jakobi bënë një pakt paqeje e për ta kujtuar morën një gur dhe e ngritën si shtyllë, si dhe bënë një tog me gurë. Jakobi e quajti togun e gurëve Galed, që në hebraisht do të thotë «tog dëshmitar». Kurse Labani e quajti Jegar-Sahaduta, shprehje që në gjuhën aramaike ose siriake ka të njëjtën domethënie. Ai tog u quajt edhe «Kulla e Rojës». (Zn 31:43-53) Pasi u dha lamtumirën nipërve dhe vajzave të tij, Labani u kthye në shtëpi dhe që nga ai moment nuk përmendet më në tregimin biblik.—Zn 31:54, 55.
2. Vend që përmendet te Ligji i përtërirë 1:1 në lidhje me «rrafshinat e shkreta përballë Sufit». Vendndodhja e saktë e Labanit nuk dihet.