LUDI, LUDIMI
1. Bir i Semit. (Zn 10:22; 1Kr 1:17) Sipas historianit Jozef (dhe disa të tjerëve), pasardhësit e tij ishin lidianët që jetonin në viset jugperëndimore të Azisë së Vogël. (Antikitete judaike, I, 143, 144 [vi, 4]) Në mbishkrimet asiriane të shekullit të 7-të p.e.s., lidianët quheshin luddu.
2. Pasardhës i Kamit nëpërmjet Mizraimit. (Zn 10:6, 13; 1Kr 1:8, 11) Me sa duket populli që erdhi nga ky Lud me origjinë kamitike ishin «ludimët» e famshëm si harkëtarë të zotë që, bashkë me Putin dhe Kushin kamitikë, bënin pjesë në forcat ushtarake të Egjiptit. (Jr 46:8, 9; krahaso Ezk 30:4, 5.) Edhe tek Isaia 66:19, ku përmendet sërish se Ludi përdorte harkun, duket se bëhet fjalë për Ludin kamitik, jo për Ludin semit, meqë renditet mes kombeve që ndodheshin shumë larg Izraelit. Është më e vështirë të përcaktohet cili Lud kishte luftëtarë që shërbenin në ushtrinë e Tirit. (Ezk 27:3, 10) Gjithsesi, fakti që në këtë shkrim përmendet bashkë me Putin, mund të tregojë se bëhet fjalë prapë për Ludin kamitik.
Nga shkrimet e mësipërme duket logjike që ludimët me origjinë kamitike të kenë banuar në Afrikën Veriore, por është e pamundur të përcaktohet më saktësisht vendbanimi i tyre. Sipas disa studiuesve, jetonin në zonën e Libisë, por kjo bazohet vetëm në një ndryshim arbitrar të emrit Lud në Lub.