OFIRI
1. Pasardhës i Semit nëpërmjet Arpakshadit, Shelahut, Eberit dhe Joktanit; biri i 11-të nga 13 bijtë e Joktanit. (Zn 10:22-29; 1Kr 1:17-23) Ka të ngjarë që Ofiri lindi rreth 200 vjet para Abrahamit, i cili ishte pasardhës i xhaxhait të tij, Pelegut. (Zn 10:25; 11:18-26) Ashtu si vëllezërit e tij, edhe Ofiri me sa duket ishte kreu i një prej fiseve semitike që u renditën mes pasardhësve të Noesë «sipas familjeve të tyre, sipas gjuhëve të tyre, në vendet e tyre, sipas kombeve të tyre». (Zn 10:31, 32) Për vendndodhjet e mundshme të Ofirit, pra të vendit ku u vendos përfundimisht ky fis, shih Ofiri nr. 2.
2. Vend i famshëm për arin e cilësisë së lartë që gjendej me bollëk atje. Në fakt, që në kohën e Jobit (rr. 1600 p.e.s.), ‘floriri i çmuar në dhé’ e «ari i kulluar» përmendeshin krahas ‘arit të Ofirit’. (Jb 22:24; 28:15, 16) Mbretëresha e Psalmit 45:9 përshkruhet e stolisur me ar Ofiri të shtrenjtë, kurse tek Isaia 13:11, 12, në shpalljen kundër Babilonisë, ari i rrallë i Ofirit përdoret si simbol për të treguar sa pak tiranë do të mbeteshin në Babiloni pas rënies së saj.
Davidi dhuroi për ndërtimin e tempullit 3.000 talenta ar Ofiri, me vlerë rreth 1.156.050.000 dollarë. (1Kr 29:1, 2, 4) Më vonë, flota tregtare e Solomonit, birit të Davidit, shkonte rregullisht në Ofir dhe sillte prej andej 420 talenta ari. (1Mb 9:26-28) Tregimi paralel te 2 Kronikave 8:18 flet për 450 talenta. Disa studiues kanë hedhur idenë se ky ndryshim ndodhi kur numrat paraqiteshin me germa të alfabetit dhe se një kopist i lashtësisë ndoshta e ngatërroi germën hebraike nun (נ), që tregon numrin 50, me germën ĥaf (כ), që paraqit numrin 20, ose anasjelltas. Mirëpo dëshmitë tregojnë se të gjithë numrat në Shkrimet Hebraike nuk paraqiteshin me germa, por shkruheshin me fjalë. Prandaj, një shpjegim më i mundshëm është që të dyja shifrat janë të sakta dhe që shuma e përgjithshme ishte 450 talenta, nga të cilat 420 ishin fitim neto.
Në mbështetje të këtyre tregimeve biblike për importimin e arit nga Ofiri, në vitin 1946 u zbulua në verilindje të Tel-Aviv-Jafos një copë qeramike me mbishkrimin: «Ari i Ofirit për në bet horon, tridhjetë sikla.»—Journal of Near Eastern Studies, 1951, vëll. X, f. 265, 266.
Ofiri nuk ishte i pasur vetëm me ar, por edhe me «dru algumi» e gurë të çmuar që i importonte Solomoni. (1Mb 10:11; 2Kr 9:10) Megjithatë, njëqind vjet më vonë, orvatja e mbretit Jehozafat që të çonte anije për tregti në atë vend dështoi plotësisht. Anijet e tij ‘si ato të Tarshishit’ u shkatërruan në Ezion-Geber, në skaj të gjirit të ʽAkabës.—1Mb 22:48; shih TARSHISHI nr. 4.
Vendndodhja. Sot nuk mund të përcaktohet me saktësi vendndodhja e Ofirit. Ndër hipotezat për vendndodhjet e mundshme, më të preferuarat janë tri: India, Arabia dhe Afrika Verilindore. Një flotë që do të vinte nga Ezion-Geberi, në skajin e degëzimit lindor të Detit të Kuq, kishte mundësi të shkonte në secilin nga këto tri vende. Në Indi gjeje të gjitha mallrat që sillnin anijet e Solomonit dhe të Hiramit. Idenë se Ofiri gjendej në Indi e mbështetin edhe historiani Jozef, Jeronimi dhe Septuaginta. Nga ana tjetër, ata që pohojnë se Ofiri ndodhej në Afrikën Verilindore, afër Somalisë, në skajin e poshtëm të Detit të Kuq, theksojnë se ai rajon ndodhej shumë më afër se India për t’u furnizuar me gjithë ato mallra të importuara.
Gjithsesi, opinioni më tepër mbështet përfundimin se Ofiri ishte një rajon në Arabinë Jugperëndimore, në afërsi të Jemenit. Dëshmitë që jepen për këtë bazohen në hipotezën se pasardhësit e Ofirit, birit të Joktanit, u vendosën në Gadishullin Arabik tok me fise të tjera të afërme, si ato me prejardhje nga Sheba dhe nga Havilahu. (Zn 10:28, 29) Tregimi për vizitën e mbretëreshës së Shebës (ka shumë të ngjarë nga Arabia Jugore) zë vend mes dy rasteve ku flitet për tregtinë e Solomonit me Ofirin.—1Mb 9:26–10:11.