ORPA
Moabite, gruaja e Kilionit dhe, njësoj si Rutha, nusja e Naomit. (Krahaso Ru 1:3-5 me Ru 4:10.) Pasi u vdiqën burrat, tri vejushat pa fëmijë, Naomi, Orpa dhe Rutha, morën rrugën për t’u kthyer nga Moabi në Betlehem. Mirëpo, rrugës Naomi iu lut nuseve të ktheheshin secila në shtëpi tek e ëma dhe të martoheshin në Moab, por të dyja i thoshin: «Jo, ne do të kthehemi me ty, te populli yt.» Orpa ishte treguar dashamirëse me të vjehrrën, të cilën dukej qartë që e donte shumë (Ru 1:8-10) e dëshironte të qëndronte me të, ndoshta edhe sepse i pëlqente të jetonte në një familje izraelite. Mirëpo, Naomi u tha dy moabiteve se, nëse shkonin me të në Judë, kishte shumë të ngjarë që të mbeteshin vejusha për gjithë jetën, përderisa kishte pak shpresë që Naomi të martohej përsëri e të lindte djem. Edhe sikur të ndodhte, ishte e sigurt se Orpa dhe Rutha nuk do të prisnin derisa të rriteshin djemtë e saj e të martoheshin me to sipas ligjit për detyrën që i takonte kunatit. Para një perspektive të tillë, përzemërsia dhe vlerësimi i Orpës për Naomin nuk mjaftonin që ajo të vazhdonte më tej, dhe pas shumë lotësh, Orpa i tha lamtumirë Naomit dhe Ruthës e u kthye «te populli dhe te perënditë e saj».—Ru 1:3-15.