PILATI
Guvernator romak i Judesë gjatë kohës që Jezui shërbeu në tokë. (Lu 3:1) Pasi Arkelau, biri i Herodit të Madh, u shkarkua si etnark i Judesë, perandori ua besoi guvernatorëve qeverisjen e provincës. Pilati, me sa duket, ishte i pesti. E emëroi Tiberi në vitin 26 të e.s. dhe qëndroi në detyrë 10 vjet.
Nuk dihet shumë për Ponc Pilatin. E vetmja periudhë e jetës së tij që ka njëfarë rëndësie historike është koha e qeverisjes në Jude. I vetmi mbishkrim i njohur që mban emrin e tij është gjetur në vitin 1961 në Cezare. Në të përmendet edhe fjala «Tiberieum» që i referohet një ndërtese të bërë nga Pilati për nder të Tiberit.
Si përfaqësues i perandorit, guvernatori kishte pushtet absolut në provincë. Ai mund të dënonte me vdekje dhe, sipas atyre që mendojnë se Sinedri mund të jepte dënimin kapital, vendimi i gjykatës judaike ishte i vlefshëm vetëm nëse ratifikohej nga guvernatori. (Krahaso Mt 26:65, 66; Gjo 18:31.) Meqë rezidenca zyrtare e guvernatorit romak ishte në Cezare (krahaso Ve 23:23, 24), pjesa më e madhe e trupave romake ishte vendosur atje dhe një kontingjent më i vogël ishte në Jerusalem. Megjithatë, gjatë periudhave të festave (si në kohën e Pashkës), zakonisht guvernatori qëndronte në Jerusalem dhe merrte me vete përforcime ushtarake. Gruaja e Pilatit ishte me të në Jude (Mt 27:19), dhe kjo ishte e mundur, pasi pak kohë më parë Roma kishte ndryshuar politikën qeverisëse kundrejt guvernatorëve në territore të rrezikshme.
Periudha e qeverisjes së Pilatit nuk ishte e qetë. Sipas historianit Jozef Flavi, Pilati i nisi keq marrëdhëniet me nënshtetasit e tij judenj. Ai dërgoi natën në Jerusalem ushtarë romakë që mbanin emblema me shëmbëlltyrën e perandorit. Kjo shkaktoi zemërim të madh. Një dërgatë judenjsh shkoi në Cezare për të protestuar e për të kërkuar heqjen e tyre. Pas pesë ditë diskutimesh, Pilati provoi t’i frikësonte protestuesit duke i kërcënuar me vdekje, por vendosmëria e tyre e detyroi t’ua pranonte kërkesën.—Antikitete judaike, XVIII, 55-59 (iii, 1).
Filoja, një shkrimtar jude i shekullit të 1-rë të e.s. në Aleksandri të Egjiptit, foli për një akt pak a shumë të ngjashëm të Pilatit që ngjalli protestë. Këtë herë bëhej fjalë për mburojat prej ari me emrin e Pilatit dhe të Tiberit, të cilat Pilati i çoi në rezidencën e tij në Jerusalem. Judenjtë u ankuan te perandori në Romë dhe Pilati mori urdhër t’i kthente mburojat në Cezare.—Delegacioni i dërguar te Gaji, XXXVIII, 299-305.
Jozef Flavi përmend një tjetër trazirë. Ai thotë se Pilati përdori paratë e thesarit të tempullit për të ndërtuar një ujësjellës që do të çonte ujë në Jerusalem nga rreth 40 km larg. Turma të mëdha protestuan kundër këtij akti gjatë një vizite të tij në Jerusalem. Pilati kishte shpërndarë nëpër turmë ushtarë të maskuar. Pas sinjalit ata sulmuan dhe lanë të plagosur e të vdekur mes judenjve. (Antikitete judaike, XVIII, 60-62 [iii, 2]; Lufta judaike, II, 175-177 [ix, 4]) Me sa duket, projekti u çua deri në fund. Thuhet se ky konflikt i fundit ishte rasti kur Pilati ‘përzieu gjakun e galileasve me atë të flijimeve të tyre’, siç tregohet te Luka 13:1. Nga këto fjalë duket se galileasit ishin vrarë në tempull. Nuk është e mundur të përcaktohet nëse kjo ngjarje përkon me atë që tregoi Jozef Flavi apo është një rast tjetër. Megjithatë, përderisa galileasit ishin nënshtetas të Herod Antipës, qeveritarit të krahinës së Galilesë, kjo masakër mund të ketë ushqyer armiqësinë që ekzistonte mes Pilatit dhe Herodit deri në kohën e gjykimit të Jezuit.—Lu 23:6-12.
Gjykimi i Jezuit. Më 14 nisan të vitit 33 të e.s., në agim, udhëheqësit judenj e çuan Jezuin para Pilatit. Meqë nuk mund të hynin në ndërtesat e një qeveritari jojude, Pilati doli jashtë dhe i pyeti cilat ishin akuzat kundër Jezuit. Ata e akuzonin se donte të përmbyste rendin, nxiste mospagimin e taksave dhe thoshte se ishte mbret, domethënë rival i Cezarit. Pilati u tha ta merrnin e ta gjykonin vetë Jezuin, por paditësit u përgjigjën se ligji nuk i lejonte të ekzekutonin dikë. Atëherë Pilati e futi Jezuin në pallat dhe e mori në pyetje lidhur me akuzat. (FIGURA, vëll. 2, f. 741 në botimin anglisht) Më pas, u kthye te paditësit dhe u tha se nuk gjente asnjë faj tek i akuzuari. Mirëpo ata vazhduan me akuza të tjera dhe, kur mori vesh se Jezui ishte nga Galilea, Pilati e nisi te Herod Antipa. Herodi, qejfprishur ngaqë Jezui nuk pranoi të bënte ndonjë mrekulli, e keqtrajtoi, e talli dhe e ktheu te Pilati.
Pilati thirri përsëri udhëheqësit judenj dhe popullin e u mundua edhe një herë të shmangte dënimin me vdekje të një njeriu të pafajshëm. Ai i propozoi turmës ta lironte Jezuin siç ishte zakon që çdo Pashkë të lirohej një i burgosur. Mirëpo, e nxitur nga krerët fetarë, turma kërkoi me britma lirimin e Barabës që ishte hajdut, vrasës e kryengritës. Përpjekjet e përsëritura të Pilatit për ta liruar të akuzuarin s’bënë gjë tjetër veç i shtuan britmat e judenjve që kërkonin vënien e Jezuit në shtyllë. I frikësuar se mos shpërthente revolta, Pilati u mundua ta qetësonte turmën duke ia plotësuar dëshirën dhe lau duart me ujë si për të thënë se ishte i larë nga faji i gjakut. Pak më parë, e shoqja i kishte thënë Pilatit se ishte trazuar nga një ëndërr për shkak të këtij ‘njeriu të drejtë’.—Mt 27:19.
Atëherë Pilati urdhëroi që Jezui të fshikullohej dhe ushtarët i vunë në kokë një kurorë me gjemba e i veshën rroba mbretërore. Pilati doli sërish para turmës, përsëriti se nuk gjente asnjë faj te Jezui dhe e nxori para tyre me rrobat e tij e me kurorën me gjemba. Kur ai tha «ja, njeriu», krerët e popullit kërkuan sërish që të vihej në shtyllë dhe për herë të parë përmendën akuzën për blasfemi. Sa dëgjoi të thoshin se Jezui e kishte bërë veten bir të Perëndisë, Pilati u tremb edhe më shumë dhe e futi Jezuin brenda për ta pyetur më gjatë. Pas përpjekjes së fundit për ta liruar, kundërshtarët judenj e kërcënuan se mund ta akuzonin si armik të Cezarit. Me të dëgjuar këtë, Pilati e nxori Jezuin jashtë dhe vetë u ul në fronin e gjykimit. Ai i tha turmës: «Ja, mbreti juaj!» Atëherë britmat e tyre që kërkonin vënien në shtyllë të Jezuit u shtuan dhe u dëgjua: «Ne s’kemi mbret tjetër, përveç Cezarit.» Atëherë, Pilati e dorëzoi Jezuin që të vihej në shtyllë.—Mt 27:1-31; Mr 15:1-15; Lu 23:1-25; Gjo 18:28-40; 19:1-16.
Autorë judenj, si Filoja, e paraqesin Pilatin si një njeri të ngurtë e kryeneç. (Delegacioni i dërguar te Gaji, XXXVIII, 301) Megjithatë, ka mundësi që vetë veprimet e judenjve ta kenë detyruar guvernatorin të merrte masa të forta kundër tyre. Sidoqoftë, tregimet e Ungjijve japin një ide mjaft të saktë të karakterit të këtij njeriu. Ai i trajtonte çështjet në mënyrën tipike të sundimtarëve romakë, ishte i prerë dhe i vrazhdë. Në dukje tregoi qëndrimin skeptik të një ciniku (si në rastin kur pyeti: «Ç’është e vërteta?»), megjithatë tregoi edhe frikë, ka të ngjarë një frikë bestyte, kur dëgjoi se kishte të bënte me një njeri që thoshte se ishte biri i Perëndisë. Megjithëse dukej qartë se ishte një tip që i përfillte të tjerët, në thelb u tregua një politikan me mungesë të theksuar integriteti. Mbi të gjitha merakosej për pozitën e vet, çfarë do të thoshin eprorët nëse merrnin vesh që në provincën e tij kishte pasur trazira të reja, dhe trembej se mos dukej tepër i butë me ata që akuzoheshin për kryengritje. Pilati e dalloi pafajësinë e Jezuit dhe zilinë e akuzuesve të tij. Gjithsesi i hapi rrugë turmës dhe lejoi të vritej një i pafajshëm në vend që të rrezikonte karrierën politike.
Si pjesë e «autoriteteve më të larta», Pilati u lejua nga Perëndia të ushtronte fuqinë e tij. (Ro 13:1) Ai mbante përgjegjësi për vendimin që mori, përgjegjësi të cilën uji s’mund ta lante. Ëndrra e së shoqes me sa duket vinte nga Perëndia, njësoj si tërmeti, errësira e pazakontë dhe çarja e perdes që ndodhën po atë ditë. (Mt 27:19, 45, 51-54; Lu 23:44, 45) Ëndrra e saj duhej ta kishte paralajmëruar Pilatin se nuk bëhej fjalë për një gjyq të zakonshëm e as për një të akuzuar të zakonshëm. Megjithatë, siç tha Jezui, ai që e dorëzoi te Pilati ‘bëri mëkat më të madh’. (Gjo 19:10, 11) Juda, që e tradhtoi Jezuin në fillim, u quajt ‘bir i shkatërrimit’. (Gjo 17:12) Farisenjtë, bashkëfajtorë në komplotin për vrasjen e Jezuit, u përshkruan si ata që ‘meritonin Gehenën’. (Mt 23:15, 33; krahaso Gjo 8:37-44.) Dhe në mënyrë të veçantë kryeprifti, që ishte në krye të Sinedrit, ishte përgjegjës para Perëndisë që Birin e Tij ia kishte dorëzuar këtij sundimtari jojude për ta dënuar me vdekje. (Mt 26:63-66) Pilati nuk ishte aq fajtor sa ata; e megjithatë, veprimi i tij ishte jashtëzakonisht i dënueshëm.
Pilati kishte antipati për nxitësit e krimit, dhe kjo duket nga shënimi që vuri në shtyllën e Jezuit, duke e identifikuar si «Mbreti i judenjve», si dhe nga refuzimi i prerë për ta ndryshuar kur tha: «Atë që e shkrova, e shkrova.» (Gjo 19:19-22) Kur Jozefi nga Arimatea kërkoi trupin e Jezuit, Pilati ia plotësoi kërkesën, por më parë kreu të gjitha formalitetet e një zyrtari romak për t’u siguruar se Jezui kishte vdekur. (Mr 15:43-45) Kur krerët e priftërinjve dhe farisenjtë shprehën merakun se mos trupi vidhej, ai u përgjigj thatë: «Rojat i keni. Shkoni dhe ruajeni si dini.»—Mt 27:62-65.
Shkarkimi nga detyra dhe vdekja. Jozef Flavi thotë se, më vonë, Pilati u shkarkua nga detyra ngaqë samaritanët u ankuan tek eprori i tij, guvernatori i Sirisë, Viteli. Ata ishin ankuar për masakrimin e disa samaritanëve, të cilët të gënjyer nga një mashtrues ishin mbledhur në malin e Gerizimit me shpresë që të zbulonin thesaret e shenjta që gjoja kishte fshehur atje Moisiu. Viteli e urdhëroi Pilatin të paraqitej para Tiberit në Romë dhe ndërkohë vuri Marçelin në vend të tij. Tiberi vdiq në vitin 37 të e.s., kur Pilati ishte ende rrugës për në Romë. (Antikitete judaike, XVIII, 85-87 [iv, 1]; XVIII, 88, 89 [iv, 2]) Historia nuk jep asnjë të dhënë të besueshme se si përfundoi gjyqi i tij. Sipas Eusebit, një historiani të fundit të shekullit të 3-të dhe të fillimit të shekullit të 4-t, Pilati u detyrua të vetëvritej gjatë mbretërimit të Gajit (Kaligulës), pasuesit të Tiberit.—Histori kishtare, II, VII, 1.
[Figura në botimin e shtypur]
Mbishkrim i zbuluar në Cezare në vitin 1961, ku përmendet Ponc Pilati