LUGINA E KRIPËS
Luginë ku izraelitët mundën edomitët në dy raste. (2Sa 8:13; 2Mb 14:7) Vendndodhja e saktë nuk dihet, por në përgjithësi studiuesit sugjerojnë dy vende, njëri afër Beer-Shebës dhe tjetri në jug të Detit të Kripur.
Në Negeb, në lindje të Beer-Shebës është një luginë që kuptimin e emrit arab (Vadi-el-Milh) e ka Lugina e Kripës. Ky është një vend ku fare mirë mund të ndesheshin në betejë judenjtë që vinin nga veriu me edomitët që vinin nga juglindja. Gjithsesi, disa studiues anojnë nga ideja se ndodhej në territorin edomit, dhe e lidhin Luginën e Kripës që përmendet në Shkrime me një rrafshinë në jug-jugperëndim të Detit të Kripur. Aktualisht, ultësira në jug të Detit të Kripur është goxha moçalore dhe vështirë se mund të zgjidhej si shesh beteje. Por, meqë niveli i Detit të Kripur është rritur, trualli mund të ketë qenë më kompakt në kohën kur u zhvilluan betejat ose luftimet mund të kenë nisur në një pjesë të luginës ku toka nuk ishte moçalore. Pas betejës së dytë, 10.000 edomitë vdiqën pasi i hodhën nga një shkrep, vendndodhja e të cilit nuk thuhet.—2Kr 25:11, 12.
Në betejën e parë, Davidi dhe Joabi (siç duket Abishai u printe të paktën një pjese luftëtarësh) goditën 18.000 edomitë në Luginën e Kripës. (2Sa 8:13; 1Mb 11:15; 1Kr 18:12; Ps 60:Mbishk.) Më vonë, në të njëjtën luginë mbreti Amaziah (858-830 p.e.s.) sulmoi dhe vrau 10.000 edomitë, dhe pas kësaj u ekzekutuan 10.000 të tjerë që ishin zënë rob. Gjithashtu pushtoi Selën, qytet i fortifikuar edomit.—2Mb 14:7; 2Kr 25:11, 12; shih EDOMI, EDOMITËT.