SHEBNA(HU)
[ndoshta formë e shkurtuar e emrit Shebaniah].
Zyrtar i mbretit Hezekia. Për njëfarë kohe, Shebna kishte qenë ‘kujdestar i shtëpisë’, me sa duket i asaj të Hezekisë, një pozitë mjaft e rëndësishme. Megjithatë, Jehovai e urdhëroi Isainë ta dënonte Shebnën, duke profetizuar se do ta ‘hiqte nga pozita’, siç duket për shkak të krenarisë dhe ambicies që tregoi duke ndërtuar një varr madhështor për vete. Petku i tij, rripi dhe autoriteti, bashkë me «çelësin e shtëpisë së Davidit» iu dhanë ‘shërbëtorit të Perëndisë, Eliakimit’.—Is 22:15-24.
Megjithatë, Shebnës nuk iu hoqën të gjitha privilegjet, pasi kur Senakeribi kërcënoi Jerusalemin në vitin 732 p.e.s. dhe kujdestar i shtëpisë ishte bërë Eliakimi, Shebna ishte sekretari i mbretit që shkoi me Eliakimin dhe regjistruesin për të folur me rabshakehun. Me rroba të shqyera, ata i thanë Hezekisë çfarë kishin dëgjuar dhe ai i nisi tek Isaia që të pyesnin Jehovain.—2Mb 18:18–19:7; Is 36:3–37:7.