SILA, SILVANI
[nga lat., që do të thotë «pyll; pyllishtë»].
Një nga drejtuesit e kongregacionit të krishterë në Jerusalem në shekullin e 1-rë, profet dhe shok i Pavlit gjatë udhëtimit të dytë misionar. Me sa duket ishte qytetar romak. (Ve 15:22, 26, 27, 32, 40; 16:19, 25, 37, 38) Ka mundësi që emri Silvan, që gjendet në letrat e Pavlit dhe të Pjetrit, të ketë qenë forma e latinizuar e emrit grek «Sila» që përdor Luka te Veprat.
Kongregacioni në Jerusalem zgjodhi Silën që të shoqëronte Barnabën dhe Pavlin në Antioki të Sirisë për t’i komunikuar kongregacionit të atjeshëm vendimin për rrethprerjen.—Ve 15:22, 30-32.
Nuk dihet me siguri nëse Sila qëndroi në rrethinat e Antiokisë apo u kthye në Jerusalem. Disa dorëshkrime përmbajnë fragmentin e Veprave 15:34, ku thuhet: «Por Silës iu duk e udhës të qëndronte akoma atje.» Megjithatë, dorëshkrimet më me emër nuk e përfshijnë këtë varg. (Shih shën., NW.) Sidoqoftë, Sila ishte në Antioki në fillim të udhëtimit të dytë misionar të Pavlit. Që atje, ai dhe Pavli u nisën drejt veriut e perëndimit duke përshkuar Sirinë, më pas Kilikinë dhe vise të tjera të Azisë së Vogël. Në Listër me ta u bashkua edhe Timoteu, kurse në Troadë Luka.
Pavli pa një ëndërr ku e ftonin të shkonte në Maqedoni, prandaj ata u ndalën fillimisht në Filipi. Atje, me urdhër të administruesve civilë, Silën dhe Pavlin i rrahën me thupër në sheshin e pazarit, ua shtrënguan këmbët në fallaka dhe i futën në burg. Por gjatë natës, kur po luteshin dhe po këndonin, një tërmet ua zgjidhi vargonjtë dhe dyert e burgut u hapën. Roja i burgut, shumë i trembur, e dëgjoi Pavlin dhe Silën, u bë i krishterë dhe u mjekoi plagët.—Ve 15:41–16:40.
Shërbimi i tyre pati sukses në Selanik e Bere, ku Sila me Timoteun qëndruan edhe për pak kohë, ndërkohë që Pavli shkoi në Athinë e në Korint. (Ve 17:1, 10, 14-16; 18:1) Sila dhe Timoteu u bashkuan përsëri me Pavlin në Korint dhe vazhduan ta ndihmonin. Ata ishin me apostullin kur shkroi dy letrat drejtuar selanikasve. (1Se 1:1; 2Se 1:1) Sila nuk përmendet më kur flitet për udhëtimet e Pavlit.
Disa vjet më vonë (rreth 62-64 të e.s.), Pjetri shkroi letrën e parë nga Babilonia «me anë të Silvanit», dhe kjo mund të nënkuptojë se Silvani ishte sekretari i Pjetrit. Ai e përshkroi Silvanin si ‘vëlla të besueshëm’ dhe ka të ngjarë të ketë qenë pikërisht Silvani që më parë kishte qenë me Pavlin.—1Pj 5:12.