ZABULONI
[durim (tolerim); ose, ndoshta: vendbanim (banesë) i lartë].
1. Djali i gjashtë i Leas, gruas së Jakobit. Duke qenë gruaja që Jakobi donte më pak, Lea u kënaq në mënyrë të veçantë për lindjen e këtij djali. Emri që i vuri, pasqyronte shpresën e saj se lidhja me Jakobin do të përmirësohej. Lea thirri me zë të lartë: «Më në fund, im shoq do të më durojë, sepse i kam lindur gjashtë djem.» (Zn 30:20; 35:23; Da 1:1-3; 1Kr 2:1) Vetë Zabulonit i lindën tre bij: Seredi, Eloni dhe Jahleli. (Zn 46:14) Një pasardhës i largët i Zabulonit, që quhej Elon njësoj si njëri nga tre djemtë e tij, shërbeu si gjykatës i Izraelit.—Gjy 12:11, 12.
2. Emri i fisit që u formua nga pasardhësit e tre bijve të Zabulonit. Rreth një vit pasi izraelitët u çliruan nga skllavëria në Egjipt, burrat e aftë për luftë të këtij fisi nga mosha 20 vjeç e lart, ishin 57.400. (Nu 1:1-3, 30, 31) Regjistrimi i dytë nga fundi i 40 viteve të udhëtimit të Izraelit në shkretëtirë tregoi se të regjistruarit ishin 3.100 më shumë.—Nu 26:26, 27.
Në shkretëtirë, fisi i Zabulonit bashkë me fisin e Judës dhe të Isakarit, fushonin në krahun lindor të tabernakullit. Kjo ndarje trifisëshe nisej e para për marshim. Prijës i ushtrisë zabulonite ishte Eliabi, biri i Helonit.—Nu 1:9; 2:3-7; 7:24; 10:14-16.
Trashëgimia e fisit. Për trashëgiminë e fisit të Zabulonit, patriarku Jakob tha kur po vdiste: «Zabuloni do të banojë në breg të detit, dhe do të jetë pranë bregut ku ankorojnë anijet. Kufiri i tij do të shtrihet drejt Sidonit.» (Zn 49:13) Përderisa Sidoni ishte në veri të Izraelit dhe territori i Zabulonit do të shtrihej drejt Sidonit, vendndodhja e këtij territori do të ishte në veri. Zona që iu caktua Zabulonit nuk kufizohej drejtpërdrejt me detin, por shtrihej mes detit të Galilesë në lindje dhe Mesdheut në perëndim, kështu zabulonitët mund të arrinin me lehtësi në të dyja detet. Kështu, ata mund të bënin me lehtësi tregti, aktivitet për të cilin ndoshta e kishte fjalën Moisiu kur tha fjalët e bekimit: «Gëzoji, o Zabulon, udhëtimet e tua.»—Lp 33:18.
Në kohën kur ndarja e Tokës së Premtuar vazhdoi që nga Shilohu, shorti i tretë u hodh për Zabulonin. (Js 18:8; 19:10-16) Për të ndihmuar në ndarjen e tokës, Perëndia zgjodhi si përfaqësues të fisit të Zabulonit Elizafanin, birin e Parnakut. (Nu 34:17, 25) Kur u vendosën kufijtë e territorit, Zabuloni rrethohej nga Asheri (Js 19:24, 27), Neftali (Js 19:32-34) dhe Isakari.
Në territorin e Zabulonit gjendeshin disa qytete levite. (Js 21:7, 34, 35; 1Kr 6:63, 77) Nga njëri prej tyre, Nahaloli (Nahalali), si edhe nga Kitroni, zabulonitët nuk i dëbuan kananitët.—Gjy 1:30.
Luftëtarë të shquar. Nga fisi i Zabulonit dolën luftëtarë trima. Dhjetë mijë burra nga Neftali dhe Zabuloni iu përgjigjën thirrjes së Barakut për të luftuar kundër ushtrisë që drejtohej nga Sisera. (Gjy 4:6, 10) Pas fitores, Baraku dhe Debora kënduan: «Zabuloni ishte një popull që e vuri në rrezik veten deri në vdekje.» (Gjy 5:18) Mes atyre që mbështetën Barakun ishin zabulonitët ‘që mbanin penën e skribit’, me sa duket burra të ngarkuar me numërimin dhe regjistrimin e luftëtarëve. (Gjy 5:14; krahaso 2Mb 25:19; 2Kr 26:11.) Gjithashtu, zabulonitët vajtën te gjykatësi Gideon për t’iu përgjigjur thirrjes së tij për luftëtarë. (Gjy 6:34, 35) Mes përkrahësve të Davidit kishte 50.000 zabulonitë, burra besnikë që nuk e kishin zemrën «me dy faqe». (1Kr 12:33, 38-40) Gjatë mbretërimit të Davidit, me sa duket zabulonitët dhanë një kontribut të madh për nënshtrimin e armiqve të Izraelit.—Ps 68:27.
Qëndrimi kundrejt adhurimit të vërtetë. Në gjysmën e dytë të shekullit të tetë p.e.s., disa nga fisi i Zabulonit u përulën dhe pranuan ftesën e mbretit Hezekia për të marrë pjesë në kremtimin e Pashkës në Jerusalem. (2Kr 30:1, 10, 11, 18, 19) Shekuj më vonë, në përmbushje të profecisë së Isaisë (Is 9:1, 2), Krishti Jezu predikoi në territorin e dikurshëm të Zabulonit dhe me sa duket gjeti njerëz që e dëgjuan.—Mt 4:13-16.
Përmendet në vegime. Në vegimin e Ezekielit, toka që iu caktua Zabulonit gjendej mes territorit të Isakarit dhe të Gadit (Ezk 48:26, 27), dhe njëra nga portat e qytetit «Vetë Jehovai është atje» mban emrin e Zabulonit. (Ezk 48:33, 35) Në vegim, apostulli Gjon dëgjoi që ishin vulosur 12.000 anëtarë të fisit (frymor) të Zabulonit.—Zb 7:4, 8.