ZOROBABELI
[nga gjuha akadiane, që do të thotë «farë (pasardhës) i Babelit»].
Guvernatori i parë i judenjve të riatdhesuar (Hg 2:21); pasardhës i mbretit David dhe paraardhës i Jezu Krishtit; ka shumë të ngjarë të ketë qenë biri i Pedajahut, por ligjërisht konsiderohej si bir i Shealtielit. (1Kr 3:19; Mt 1:12, 13; Lu 3:27; shih GJENEALOGJIA E JEZU KRISHTIT [Probleme në gjenealogjinë sipas Mateut].) Në listën gjenealogjike të 1 Kronikave (3:19, 20) përmenden emrat e shtatë djemve të Zorobabelit (Meshulami, Hananiahu, Hashubahu, Oheli, Berekia, Hasadiahu, Jushab-Hesedi) dhe i një vajze (Shelomita). Emri zyrtar ose babilonas i Zorobabelit duket se ishte Sheshbazar.—Ezd 1:8, 11; 5:14, 16; krahaso Ezd 3:8.
Pas lirimit nga robëria në Babiloni, në vitin 537 p.e.s., Zorobabeli ktheu në Jerusalem dhe në Judë judenjtë e mbetur. (Ezd 2:1, 2; Ne 7:6, 7; 12:1; HARTA, vëll. 2, f. 332 në botimin anglisht) Si guvernator i emëruar nga mbreti Kir, atij i besuan enët prej ari dhe argjendi që Nabukodonosori kishte marrë vite më parë nga tempulli. (Ezd 5:14, 15) Nën drejtimin e Zorobabelit dhe të kryepriftit Jeshua, muajin e shtatë (ethanim ose tishër, shtator-tetor) u ngrit në Jerusalem altari i tempullit (Ezd 3:1, 2), dhe vitin e dytë, muajin e dytë (ziv ose ijar, prill-maj, të vitit 536 p.e.s.), nisi ndërtimi i tempullit. (Ezd 3:8) Kur pikasën motivet e këqija të jojudenjve që donin të merrnin pjesë në punime, Zorobabeli, Jeshua dhe krerët e shtëpive atërore thanë: «Ju s’keni punë me ne për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë tonë, sepse jemi ne që do t’ia ndërtojmë atë Jehovait, Perëndisë së Izraelit, ashtu si na urdhëroi mbreti Kir, mbreti i Persisë.»—Ezd 4:1-3.
Megjithatë, ata vazhduan të shkurajonin ndërtuesit e tempullit dhe në fund (në vitin 522 p.e.s.) arritën të ndalonin zyrtarisht punimet. Dy vjet më vonë, të nxitur nga profetët Hage dhe Zakaria, Zorobabeli dhe Jeshua (Josiu) rinisën me guxim ndërtimin e tempullit, pavarësisht nga ndalimi. (Ezd 4:23, 24; 5:1, 2; Hg 1:1, 12, 14; Za 1:1) Më pas, u hetua nëpër arkivat perse dhe doli se punimet ishin të ligjshme. (Ezd 6:1-12) Gjatë gjithë kësaj kohe, Hageu dhe Zakaria e inkurajuan vazhdimisht Zorobabelin, duke i dhënë forcë të vazhdonte punën dhe duke e siguruar se kishte miratimin e Perëndisë. (Hg 2:2-4, 21-23; Za 4:6-10) Në fund (në vitin 515 p.e.s.) tempulli përfundoi. (Ezd 6:13-15) Veç kësaj, gjatë kohës së guvernatorit Zorobabel u plotësuan nevojat e levitëve; këngëtarët dhe derëtarët morën pjesën e tyre «sipas nevojave të përditshme».—Ne 12:47.