ZOBAHU
Mbretëri siriane (aramaite) e quajtur edhe Aram-Zobah. (Ps 60:Mbishk.) Një nga mbretërit e saj ishte Hadadezeri. (1Mb 11:23) Emri i përbërë «Hamath-Zobah» ndoshta tregon dy mbretëri fqinje të quajtura Hamath dhe Zobah. (2Kr 8:3) Me sa duket Zobahu ndodhej në veri të Damaskut dhe territori i tij shtrihej deri në rajonin e Hamathit në veri e deri në lumin Eufrat në lindje.—2Sa 8:3.
Mbreti Saul luftoi kundër mbretërve të Zobahut. (1Sa 14:47) Kohë më vonë, amonitët morën me pagesë sirianë nga Zobahu, si edhe trupa të tjerë, për të luftuar kundër Davidit, por ushtria e tij i mundi të gjithë. (2Sa 10:6-19; 1Kr 19:6-19) Ajo duhet të ketë qenë beteja në të cilën Davidi shpartalloi mbretin e Zobahut, Hadadezerin, dhe i mori plaçkë, ku përfshihej një sasi e madhe bakri (që u përdor më pas në ndërtimin e tempullit) nga qytetet e tij Betah (me sa duket i quajtur edhe Tibhat) dhe Berotah (Kun?). (2Sa 8:3-12; 1Kr 18:3-9) Igali, një nga burrat e fuqishëm që bënin pjesë në forcat ushtarake të Davidit, ishte biri i Natanit nga Zobahu.—2Sa 23:8, 36; shih ARAMI nr. 5; HADADEZERI.