Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Vendosmëria sjell shpërblime të pasura
JEZUI paratha se ithtarët e tij do të persekutoheshin dhe kështu ndodhi me apostullin Pavël siç thuhet në 2. Timoteut 3:12: «Në fakt, të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me devotshmëri të shenjtë në lidhje me Krishtin Jezu edhe do të persekutohen.» Por, vendosmëria për t’i shërbyer Jehova Perëndisë sjell shpërblime të pasura.
□ Kjo u bë e vërtetë në një qytet në bregdetin verilindor të Malajzisë. Sado që ishte një budist i vendosur, që i qortonte rreptë fëmijët e tij, një baba nuk mundi t’i ndalonte tri vajzat dhe tre djemtë e tij të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Madje, edhe gruaja e tij tregoi interes për të vërtetën. Atëherë, një ditë një fqinj e talli atë: «Si mund të humbasësh kontrollin mbi fëmijët e tu dhe t’i lejosh ata të bëhen Dëshmitarë të Jehovait? Fëmijët e mi qëndrojnë me mua dhe me budizmin e trashëguar. Je bërë për të ardhur keq!»
Babai nxitoi për në shtëpi, kërcënues për të goditur motrën që udhëhiqte studimet me fëmijët e tij. Megjithatë, fëmijët e qetësuan atë dhe vazhduan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe të merrnin pjesë në mbledhje duke pasur përkrahjen e nënës së tyre.
Megjithatë, më në fund, babai mblodhi para tij tërë familjen. «Zgjidhni,—tha ai,—ndërmjet meje e qëndrimit në shtëpi dhe kthimit në të krishterë e lënies së shtëpisë.» Djali më i madh, një djalë shumë i butë, menjëherë filloi të përgatitej për të ikur. «Jo,—bërtiti babai.—Meqë ju jeni fëmijë rebelë, për mua është më mirë të vdes.» Pastaj, doli nga shtëpia, i ndjekur nga familja që i lutej të mos vriste veten. I prekur nga lutjet e tyre ai u kthye në shtëpi.
Kaloi pak kohë. Babai filloi të dallonte ndikimin e mirë të së vërtetës biblike në sjelljen e fëmijëve të tij. Një ditë ai takoi mikun e tij që e talli, tani një burrë mjaft i trishtuar, i cili tha: «Jam shumë i zhgënjyer me fëmijët e mi. Ata më mashtrojnë dhe më vjedhin.» Ndërsa babai, fëmijët e të cilit studionin me Dëshmitarët e Jehovait tha: «Oh, fëmijët e mi janë ndryshe. Ata janë shumë të sjellshëm me mua dhe madje, më kanë ndihmuar të paguaj huanë e veturës sime, ndërkohë që unë isha i papunë.»
Sot, tri vajzat dhe nëna janë pagëzuar. Një djalë është pionier special. Po babai dikur i vendosur dhe i inatosur? Tani ai është miqësor dhe mori pjesë në Përkujtim.
Jehovai e shpërbleu djalin, tri motrat e tij si dhe nënën për vendosmërinë ndaj Tij. Tani, ata janë predikues të zellshëm të Mbretërisë, duke gëzuar zemrën e Jehovait.—Proverbat 27:11.