Një vizitë në Tokën e Premtuar
TA ZËMË se një mik të thotë se të ka blerë si dhuratë një shtëpi fringo të re në mes të një ambienti të bukur e të qetë. «Ç’pamje ka?»—do të pyesje veten. S’ka asnjë dyshim se do të prisje me padurim që ta shihje vetë shtëpinë, të ecje nëpër të dhe të vëzhgoje çdo dhomë. Në fund të fundit, do të jetë shtëpia jote e re.
Në vitin 1473 p.e.s., Jehovai i la trashëgim kombit të lashtë të Izraelit një shtëpi të re: Tokën e Premtuar, një brez toke në një territor me përmasa mesatare 500 km nga veriu në jug dhe 55 km i gjerë.a Duke qenë se gjendej në atë që quhej Limani Pjellor, Toka e Premtuar ishte një vend i kënaqshëm për të jetuar, i pasur me karakteristikat e tij të pashoqe.
Por, përse duhet të jesh i interesuar sot për një «shtëpi» që i ishte dhënë dikujt tjetër e në mënyrë të veçantë dikujt që ka jetuar shumë kohë më parë? Sepse njohuria mbi këtë vend historik mund të rritë çmueshmërinë tënde për tregimet e Biblës. «Në tokën e Biblës,—shkroi një profesor, i ndjeri Johanan Aharoni,—gjeografia dhe historia janë gërshetuar kaq mirë me njëra-tjetrën, sa askush nuk mund ta kuptojë vërtet pa ndihmën e një tjetri.» Për më tepër, në kulmin e saj, Toka e Premtuar siguroi në shkallë të vogël një shembull, mbi faktin se çfarë kuptimi do të ketë së shpejti Parajsa nën Mbretërinë e Perëndisë për njerëzimin në mbarë botën!—Isaia 11:9.
Gjatë shërbimit të tij tokësor, Jezu Krishti përmendi pamje të zakonshme nga Toka e Premtuar për të nxjerrë mësime praktike. (Mateu 13:24-32; 25:31-46; Luka 13:6-9) Edhe ne mund të mësojmë shumë në mënyrë praktike nga shqyrtimi i disa tipareve të Palestinës së lashtë. Le të ecim nëpër disa nga dhomat e saj figurative, duke vëzhguar disa nga tiparet dalluese të kësaj toke, e cila i shërbeu si shtëpi popullit të Perëndisë për shekuj me radhë. Gjatë shikimit, do të vërejmë se ka shumë për të mësuar nga Toka e Premtuar.
[Shënimi]
a Përdorimi i termit «Tokë e Premtuar» në këto artikuj i shikon çështjet nga këndvështrimi i kohëve të lashta, siç paraqiten në Bibël dhe pa përfshirjen e pohimeve politiko-fetare në rajon.
[Burimi i figurës në faqen 2]
Kapaku: Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Burimi i figurës në faqen 3]
Garo Nalbandian