Pyetje nga lexuesit
«Kulla e Rojës» e 15 gushtit 1996, thoshte: «Në pjesën e fundit të mjerimit, ‘mishi’ që do të ketë marrë anën e Jehovait do të shpëtohet.» A hedh kjo idenë se pas fazës së parë të mjerimit të madh, shumë persona të rinj do të kalojnë në anën e Perëndisë?
Nuk ishte kjo çështja e trajtuar.
Fjalët e Jezuit që gjenden në Mateun 24:22 do të përmbushen në radhë të parë në të ardhmen, nëpërmjet një shpëtimi gjatë pjesës së parë të mjerimit të madh që po vjen, sulmit mbi fenë. Artikulli thoshte: «Mos harro se ‘mishi’, mbetja e mirosur dhe ‘shumica e madhe’, tashmë do të kenë shpëtuar gjatë kohës kur Babilonia e Madhe është rrëzuar me të shpejtë dhe plotësisht në fazën e parë të mjerimit.»
Këta persona besimplotë nuk do të jenë në asnjë rrezik kur Jezui dhe ushtria e tij qiellore të veprojnë në fazën e fundit të mjerimit. Por, kush do ta mbijetojë atë fazë të mjerimit? Zbulesa 7:9, 14 tregon se një shumicë e madhe që ka shpresë tokësore do të mbijetojë. Ç’mund të thuhet për të krishterët e mirosur me frymë? «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 gushtit 1990 në anglisht, trajtonte se përse nuk mund të jemi dogmatikë lidhur me faktin se kur do të merret në qiell mbetja e të mirosurve. Kështu që artikulli i kohëve të fundit (15 gusht 1996) e linte çështjen të hapur, duke bërë një koment të përgjithshëm: «Ngjashëm, në pjesën e fundit të mjerimit, ‘mishi’ që do të ketë marrë anën e Jehovait do të shpëtohet.»
Në lidhje me pyetjen nëse ndonjë nga personat e rinj mund të jetë në gjendje për të mësuar të vërtetën dhe për të kaluar në anën e Perëndisë pas fillimit të mjerimit të madh, vëre fjalët e shkruara në Mateun 24:29-31. Pas shpërthimit të mjerimit të madh, do të shfaqet shenja e Birit të njeriut. Jezui tha se të gjitha fiset e tokës do të rrahin veten dhe do të vajtojnë. Ai nuk tha ndonjë gjë që tregonte për njerëz, të cilët hapin sytë ndaj kësaj situate, pendohen, marrin anën e Perëndisë dhe bëhen dishepuj të vërtetë.
Ngjashëm, në shëmbëlltyrën e deleve dhe cjepve, Biri i njeriut shfaqet dhe ndan në mënyrë gjykuese njerëzit, mbi bazën e asaj që ata kishin bërë apo nuk kishin bërë në të kaluarën. Jezui nuk tha asgjë në lidhje me njerëzit që për një kohë të gjatë shfaqën cilësi ngjashëm cjepve dhe papritur u kthyen dhe u bënë si dele. Ai vjen të gjykojë mbi bazën e asaj që njerëzit tashmë kanë provuar se janë.—Mateu 25:31-46.
Megjithatë, edhe në këtë rast, nuk ka arsye për të qenë dogmatikë për sa i përket kësaj çështjeje. Anëtarët e popullit të Perëndisë, si ata të të mirosurve, ashtu edhe ata të shumicës së madhe, e dinë se çfarë duhet të bëjnë tani: të predikojnë dhe të bëjnë dishepuj. (Mateu 28:19, 20; Marku 13:10) Pikërisht tani është për ne periudha që ta marrim për zemër thirrjen: «Dhe duke qenë bashkëpunëtorë të tij, ju këshillojmë të mos e pranoni më kot hirin e Perëndisë, sepse ai thotë: ‘Në kohë të pëlqyer unë të dëgjova dhe në kohë shpëtimi të ndihmova.’ Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit.»—2. Korintasve 6:1, 2.