Çfarë emri po i bën vetes?
A KE lexuar ndonjëherë një njoftim vdekjeje në gazetë ose a ke parë ndonjë kronikë të gjatë për jetën dhe arritjet e dikujt që ka vdekur? A e pyete veten: ‘Po për mua çfarë do të thoshin?’ Sa veta mendojnë ndonjëherë se si do t’i kujtojnë të tjerët pas vdekjes? Mendo për këto pyetje të qarta: çfarë do të thoshin njerëzit për ty, po të kishe vdekur dje? Çfarë emri po i bën vetes? Si do të doje të të kujtonin ata që të kanë njohur dhe Perëndia?
Shkrimtari i mençur i librit biblik të Predikuesit tha: «Një emër i mirë pëlqehet më tepër se një vaj i parfumuar dhe dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes.» (Predikuesi 7:1) Pse dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes? Sepse kur lind, një njeri nuk i ka bërë ndonjë emër vetes. Biografia e tij është krejt bosh. Drejtimi që do të marrë në jetë mund t’i sjellë ose një emër të mirë, ose një emër të keq. Në këtë kuptim, për ata që kanë bërë një emër të mirë gjatë viteve, dita e vdekjes është vërtet më e mirë se dita e lindjes.
Pra, na duhet të zgjedhim. Madje çdo ditë na duhet të bëjmë shumë zgjedhje që në ditën e vdekjes do të përcaktojnë çfarë emri i kemi bërë vetes, sidomos si do të na kujtojë Perëndia. Prandaj, i njëjti shkrimtar i mençur hebre shkroi: «Kujtimi i të drejtit është në bekim, por emri i të pabesit do të kalbet.» (Fjalët e urta 10:7) Sa privilegj i madh është që të të kujtojë Perëndia për të të dhënë bekime!
Nëse jemi të mençur, synimi ynë do të jetë t’i pëlqejmë Perëndisë duke jetuar në përputhje me normat e tij. Kjo do të thotë të ndjekim parimet bazë që shprehu Krishti: «‘Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi më i madh dhe i pari. I dyti, ngjashëm këtij, është ky: ‘Duhet ta duash të afërmin tënd si vetveten.’ Në këto dy urdhërime varet gjithë Ligji dhe Profetët.»—Mateu 22:37-40.
Disa njerëz mbahen mend si filantropë, humanitarë, mbrojtës të të drejtave civile ose për arritjet e tyre në biznes, shkencë, mjekësi a fusha të tjera. Por, si do të doje të të mbanin mend ty?
Poeti skocez Robert Bërns (1759-1796) shprehu dëshirën që një fuqi të na jepte dhuntinë që ta shihnim veten siç na shohin të tjerët. A mund ta shohësh veten me realizëm dhe të thuash se ke një emër të mirë para njerëzve dhe para Perëndisë? Në fund të fundit, marrëdhëniet tona me të tjerët janë patjetër më të rëndësishme se çdo arritje afatshkurtër që mund të kemi në botën e sportit ose të biznesit. Prandaj çështja është: çfarë efekti ka te të tjerët mënyra si i trajtojmë, bisedat tona, sjellja dhe gjestet tona? A na shohin si njerëz të afrueshëm apo si të ftohtë? Si të dashur apo si të ashpër? Si elastikë apo si tepër të rreptë? Si të përzemërt e të dhembshur apo si indiferentë e të largët? Si kritikues që shkurajojnë apo si këshillues që të japin zemër? Le të shqyrtojmë disa shembuj nga e kaluara dhe nga kohët tona, për të parë çfarë mund të mësojmë.
[Figura në faqen 3]
Robert Bërnsi shprehu dëshirën që një fuqi të na jepte dhuntinë që ta shohim veten siç na shohin të tjerët
[Burimi]
Nga libri A History of England