Ai e donte mirëdashjen
MILTON G. HENSHELI, prej shumë kohësh anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, mbaroi jetën e tij tokësore të shtunën, më 22 mars 2003. Ishte 82 vjeç.
Kur ishte i ri, Milton Hensheli u bë pjesëtar i selisë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait dhe shërbeu me besnikëri për më shumë se 60 vjet. Menjëherë u dallua për maturinë dhe për interesimin e sinqertë për veprën e predikimit të Mbretërisë. Në vitin 1939 u bë sekretar i N. H. Norit, i cili atëherë ishte mbikëqyrësi i shtypshkronjës së Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin. Kur vëlla Nori filloi të merrte drejtimin ndër Dëshmitarët në mbarë botën, në vitin 1942, e mbajti vëlla Henshelin si ndihmës. Vëlla Hensheli u martua me Lusilë Benetin në vitin 1956, e së bashku ndanë gëzimet dhe vështirësitë e jetës.
Vëlla Hensheli punoi ngushtësisht me vëlla Norin deri me vdekjen e këtij të fundit, në vitin 1977. Vëlla Hensheli udhëtoi në më shumë se 150 vende, shpesh përkrah vëlla Norit. Ata vizitonin Dëshmitarët e Jehovait përreth botës e u jepnin zemër, sidomos misionarëve dhe atyre që punonin në zyrat e degëve. Nganjëherë këto udhëtime ishin të lodhshme, e madje edhe të rrezikshme. Në vitin 1963, gjatë vizitës në një kongres në Liberi, vëlla Hensheli ishte viktimë e përndjekjes së ashpër, sepse nuk pranoi të merrte pjesë në një ceremoni patriotike.a Pa u frikësuar, vetëm disa muaj më vonë vëlla Hensheli u kthye prapë në Liberi për t’u takuar me presidentin e vendit, që të kërkonte më shumë liri adhurimi për Dëshmitarët e Jehovait atje.
Kur bëhej fjalë për probleme të vështira e për sfida, vëlla Hensheli njihej si një njeri praktik, elastik dhe i arsyeshëm. Kolegët vlerësonin tek ai sidomos rregullsinë, modestinë dhe ndjenjën e humorit. Me dhuntinë e një kujtese të jashtëzakonshme, ai i kënaqte shumë misionarë përreth botës duke u kujtuar menjëherë emrat, një ose dy shprehje në gjuhën vendëse dhe ndonjë lojë fjalësh, të cilën e bënte me sytë që i qeshnin.
Mikea 6:8 na kujton se Perëndia Jehova dëshiron që ne ‘të duam mirëdashjen’. Milton Hensheli do të mbahet mend se la një shembull në këtë drejtim. Me gjithë barrën e rëndë të përgjegjësisë, ai ishte gjithnjë i afrueshëm, i butë e mirëdashës. I pëlqente të thoshte: «Kur jeni në mëdyshje, mbani mend se gjëja e duhur është të jeni mirëdashës.» Edhe pse jemi të hidhëruar për humbjen e këtij vëllai të dashur, gëzohemi që qëndroi besnik deri në fund, i sigurt se do të merrte shpërblimin e tij, «kurorën e jetës».—Zbulesa 2:10.
[Shënimi]
a Shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1977, faqet 171-177, anglisht.
[Figura në faqen 31]
M. G. Hensheli me N. H. Norin
[Figura në faqen 31]
Me gruan e tij, Lusilën