Dhembshuri në një botë mizore
NJË burrë në Burundi sëmuret rëndë me malarje. Duhet çuar urgjent në spital. Por si? S’gjendet asnjë makinë. Dy shokë të ngushtë i vijnë në ndihmë. E hipin në biçikletë dhe për pesë orë rraskapiten teksa e shtyjnë në një terren malor. Më pas e hipin në një autobus që e çon në spitalin më të afërt. Pas ca ditësh bëhet shumë më mirë.
Në anën tjetër të globit, kur uragani Katrina shkatërroi zonën e gjirit të Meksikës, në Shtetet e Bashkuara, në gusht të vitit 2005, disa vullnetarë gjetën një shtëpi që pemët e kishin zënë përposh. Vullnetarët, që as nuk i njihnin fare të zotët e shtëpisë, hoqën gjithë ditën mbeturinat dhe pemët me sharra elektrike. «S’di si t’i falënderoj»,—thotë e zonja e shtëpisë.
Lajmet e bujshme në media më shumë e vënë theksin te mizoritë dhe aktet makabre. Për shkak të këtyre, veprat e përditshme të dhembshurisë e të mirësisë shpesh mbeten në hije. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon faktin se njerëzit kudo janë të dëshiruar për ngrohtësi, dashuri e zemërbutësi. Ne jemi të etur për dhembshuri. Këto ndjenja mund të dalin më në pah në periudhën e Krishtlindjeve, kur shumë veta flasin ose i këndojnë ‘paqes në tokë për njerëzit që kanë miratimin e [Perëndisë]’.—Luka 2:14.
Mund të mos jetë e lehtë të tregojmë dhembshuri në një botë që shpesh është e ftohtë dhe jomiqësore. Qëndrimi mbizotërues është se vrazhdësia dhe pandjeshmëria i hapin rrugën suksesit dhe triumfit. Duket se shumë njerëz jetojnë sipas motos se është më e mençur të jesh mizor sesa i dhembshur. Lakmia dhe egoizmi ia presin lehtë udhën dhembshurisë.
Si pasojë shumë njerëz vënë në vend të parë veten, madje edhe duke shkelur mbi ndjenjat dhe interesat e të tjerëve. Sportistët dhe heronjtë e filmave shpesh paraqiten si «burra të vërtetë»—burra që nuk tregojnë përzemërsi. Kështu sillen edhe disa politikanë.
Prandaj, bëjmë mirë të pyesim: pse duhet të tregojmë dhembshuri? A ndikon për mirë dhembshuria? Çfarë mund të na ndihmojë të shfaqim dhembshuri? Artikulli vijues do të trajtojë këto pyetje.
[Kutia në faqen 3]
•A është shenjë dobësie të tregosh dhembshuri?
•A ndikon për mirë dhembshuria?
•Si mund ta tregojmë në praktikë dhembshurinë?