Kohët kanë ndryshuar
1 Bibla na thotë se «skena e kësaj bote po ndryshon». (1. Kor. 7:31, BR) Sa e vërtetë që është kjo sot! Madje, në kohën tonë, ne kemi parë ndryshime rrënjësore në mendimin dhe sjelljen e njerëzve, në çdo nivel të shoqërisë njerëzore. Nëse do të jemi të suksesshëm në arritjen e tyre me mesazhin e Mbretërisë, mënyra jonë e prezantimit të mesazhit duhet të jetë në një hap me kohët e ndryshuara. Ne dëshirojmë të prezantojmë lajmin e mirë në mënyrë të tillë, që t’u interesojë njerëzve dhe të arrijë zemrat e tyre.
2 Vite më parë, në shumë vende vepra e dëshmisë ishte e ndryshme sepse, në pjesën më të madhe, njerëzit bënin një jetë më të qetë dhe ndiheshin të sigurt. Feja zinte një vend të shenjtë në jetën e tyre. Bibla konsiderohej shumë. Në ato kohë dëshmia shpesh përfshinte përgënjeshtrimin e argumenteve mbi çështjet doktrinale. Sot, jeta e njerëzve është e trazuar. Feja vihet në lojë. Pak veta kanë besim në Bibël. Për shumë njerëz, teoria e evolucionit ka shkatërruar besimin tek Perëndia.
3 Një mbikëqyrës qarkor vërejti: «Tani, me sa duket, ka kaq shumë probleme dhe vështirësi në jetën e njerëzve, saqë duhet t’u mësojmë atyre si të jetojnë.» Shqetësimi kryesor i njerëzve, natyrisht vërtitet rreth vetvetes, familjeve të tyre dhe anktheve të tyre. Këto janë gjërat për të cilat ata bisedojnë më shumë kur mblidhen së bashku. Ne duhet ta mbajmë në mendje këtë gjë në veprën tonë të dëshmisë.
4 Mbretëria e Perëndisë është e vetmja shpresë e sigurt për të ardhmen: Shumica e njerëzve kanë pak besim në qeveritë njerëzore. Ata ndiejnë se nuk ekziston asnjë shpresë për të parë një botë më të mirë gjatë jetës së tyre. Feja e rreme ka dështuar për t’u dhënë atyre një bazë për shpresë. Ja përse nevoja më e madhe e njerëzimit është që të dëgjojë lajmin e mirë mbi Mbretërinë e Perëndisë. Ai tregon se si ajo do të sigurojë përfundimisht zgjidhjet për të gjitha problemet që përballon njerëzimi.
5 Bibla është burimi i vetëm i besueshëm për udhëheqje: Masat e sotme njerëzore janë drejtuar keq nga udhëheqës, të cilët janë bazuar mbi mençurinë njerëzore dhe filozofitë e kësaj bote. Njerëzit duhet të kuptojnë akoma se «njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij». (Jer. 10:23) Mësimi më me vlerë që ata mund të mësojnë është se duhet të ‘besojnë tek Jehovai me gjithë zemrën e tyre dhe të mos mbështeten në gjykimin e tyre’. (Prov. 3:5, BR) Ndërsa kohët kanë ndryshuar, Bibla jo. Prandaj, në shërbimin tonë ne duhet të vëmë gjithmonë në dukje Fjalën e Perëndisë, duke mësuar të tjerët të vlerësojnë udhëheqjen e saj të frymëzuar hyjnore. (2. Tim. 3:16, 17) Për të përmbushur këtë qëllim, ne duhet të tregojmë rëndësinë e Biblës para njerëzve duke iu referuar asaj në prezantimet tona, duke e përdorur për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre dhe duke mbështetur nevojën për ta studiuar dhe zbatuar mençurinë e saj praktike.
6 Edhe pse kohët sot kanë ndryshuar, qëllimet tona në shërbim mbeten të njëjta. Ne duhet të predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë, duhet të ndërtojmë besim në Fjalën e Perëndisë dhe të ndihmojmë të tjerët që të shohin nevojën për të studiuar Biblën me ne. Ajo që ne themi, duhet të ketë të bëjë me nevojat e sotme të atyre, të cilëve u dëshmojmë. Duke bërë kështu, ne mund të bëhemi ndarës të lajmit të mirë me të tjerët dhe të fitojmë më shumë persona.—1. Kor. 9:19, 23.