Kërko ata që janë të prirur në mënyrë të drejtë
1 Një qëllim i veprës së predikimit është që të gjejë ata të cilët janë «të prirur në mënyrë të drejtë nga jeta e përhershme». (Vep. 13:48, BR) Shpërndarja e revistave, Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! ka provuar se është një mënyrë e shkëlqyer për të përmbushur këtë gjë, sepse revistat tona i bëjnë të vetëdijshëm njerëzit mbi shpresën e Mbretërisë. Ne do të prezantojmë revistat edhe gjatë muajit prill. Me plot shpresë, aty ku gjendet interes, ne mund të fillojmë studime të reja biblike me librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Këtu ka disa sugjerime që mund t’ju vlejnë:
2 Kur përdor «Kullën e Rojës», të 1 prillit, mund të prezantosh artikullin «Lavdëroni mbretin e përjetësisë!», i cili përqendrohet mbi fjalimin publik të kongresit krahinor të vitit të kaluar dhe thuaj:
◼ «Shumë njerëz, me të cilët flasim, besojnë tek Perëndia. Të tjerë e shohin të vështirë të besojnë tek ai. Si ndiheni ju? [Lëre të përgjigjet.] Ne jemi të rrethuar nga dëshmi reale që provojnë se ka një Perëndi. [Lexo Psalmin 104:24.] Kur shohim një kamera ose një kompjuter, ne pranojmë menjëherë se duhet të jetë prodhuar nga një projektues inteligjent. A do të ishte e arsyeshme të themi se gjëra shumë më të ndërlikuara, të tilla si toka dhe ne njerëzit, kemi ardhur rastësisht?» Përdor një paragraf nga artikulli që të tregosh një arsye të fortë për të besuar tek Perëndia. Nëse tregohet interes, ofro revistën.
3 «Kulla e Rojës» e 15 prillit përmban artikullin «Përse adhurimi i vërtetë merr bekimin e Jehovait». Përpara se ta prezantosh atë mund të pyesësh:
◼ «Meqë ekzistojnë qindra fe në botë, a mendoni se mund të jenë të gjitha të pranuara nga Perëndia? [Lëre të komentojë.] Jezui paratha se megjithë pretendimin e shumë personave fetarë, ata që nuk kryejnë vullnetin e Perëndisë nuk do të pranohen. [Lexo Mateun 7:21-23.] Është e rëndësishme që ne ta identifikojmë fenë e vërtetë që mësoi Jezui.» Kthehu në nëntitullin «Çfarë frytesh duhet të japë feja e vërtetë?», duke filluar në faqen 16 dhe jep një shembull për ta ilustruar atë pikë.
4 Nëse prezanton artikullin kryesor «Kur të mos ketë më luftëra», në «Zgjohuni!» për muajt prill-qershor, mund të konsiderosh këtë hyrje:
◼ «Në këtë shekull ka pasur qindra luftëra, duke përfshirë edhe dy luftërat botërore. Megjithatë, në pamje të parë, të gjithë udhëheqësit botërorë thonë se e duan paqen. Të gjithë njerëzit që njoh unë thonë të njëjtën gjë. Nëse çdo njeri e dëshiron paqen, përse atëherë nuk mund të arrihet ajo? [Lëre të përgjigjet.] Çfarë mendoni se na nevojitet për të parë një paqe të vërtetë mbi tokë?» Pas përgjigjes së pronarit të shtëpisë, kthehu në faqet 8 dhe 9 dhe lexo shkrime të tilla si Psalmi 46:8, 9. Duke përdorur ilustrimet dhe shkrimet e cituara, trego se si Mbretëria e Perëndisë do të sjellë një paqe mbarëbotërore, e cila do të qëndrojë përgjithmonë. Më pas pyet nëse pronari i shtëpisë dëshiron të lexojë revistën dhe merr masa për t’u rikthyer.
5 Nëse gjen shumë persona të cilët thonë se janë të zënë, ju mund të provoni këtë:
◼ «Jemi të interesuar të ndihmojmë njerëzit që bëjnë një jetë shumë të zënë dhe që kanë pak kohë për të reflektuar mbi anën frymore të jetës. Revistat tona, Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, janë përgatitur për të dhënë informacion të përmbledhur mbi çështjet e rëndësishme që ju shqetësojnë ju dhe familjen tuaj. Do të dëshiroja t’ju lija këto kopje për t’i lexuar.»
6 Mos harro t’u japësh atyre që pranojnë revistat, një rast për të kontribuar në lidhje me veprën tonë botërore. Ata me siguri do të përfitojnë nga leximi i Kullës së Rojës dhe Zgjohuni!, të cilat sjellin «lajme të bukura mbi gjërat e mira».—Isa. 52:7.