Të ndihmojmë familjet që të sigurojnë një të ardhme të qëndrueshme
1 «Lakmia është shëndetdhënëse,—i tha një financier një klase të diplomuarish të një kolegji.—Mund të jeni lakmitarë e megjithatë ta ndjeni veten mirë.» Kjo është tipikja e asaj se si bota e nxit interesin për veten, si mënyra me të cilën një person siguron të ardhmen e tij. Në kontrast të thellë, Jezui mësoi se një i krishterë duhet «ta mohojë vetveten . . . sepse ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet?». (Mat. 16:24-26) Për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, një person duhet ta përqendrojë gjithë jetën e tij në kryerjen e vullnetit të Perëndisë: synimi më i rëndësishëm për familjet sot. (Psal. 143:10; 1. Tim. 4:8) Ky mesazh është përçuar në kapitullin përmbyllës të librit Sekreti i lumturisë familjare. Ky botim i ri, i ndihmon njerëzit që të kuptojnë se çfarë ka me të vërtetë rëndësi në jetë dhe se si mund të veprojnë në mënyrë të dobishme ndaj familjeve të tyre. Ndërsa vazhdojmë të predikojmë kudo lajmin e mirë, ç’gjë mund të themi që do t’i inkurajonte ata që takojmë, për të lexuar librin Lumturia familjare? Këtu ka disa sugjerime:
2 Si në derë, ashtu dhe në rrugë, mund të provosh për të filluar biseda, duke përdorur fletushkën «Gëzo jetën familjare». Mund të pyesësh:
◼ «Me gjithë ankthet që sjell mbi ne mënyra moderne e të jetuarit, a mendoni se është e mundur që të kemi një jetë familjare me të vërtetë të lumtur? [Lëre të përgjigjet.] Kjo fletushkë na siguron se është e mundur. A do t’ju pëlqente ta lexonit?» Nëse pranohet, mund të vazhdosh duke thënë: «Meqenëse jeni i interesuar për këtë temë, mund të kënaqeni edhe me këtë libër, i cili siguron këshilla të hollësishme mbi atë se si ta gjejmë lumturinë në rrethin familjar.» Trego përmbajtjen e librit Lumturia familjare. Nxirr në pah disa prej titujve të kapitujve që të kap syri. Kalo në faqen 10 dhe lexo që prej fjalisë së fundit të paragrafit 17, deri në fund të paragrafit 18. Ofro librin dhe përmend rregullimin e kontributeve. Shpjegoji se ke për të ndarë me të edhe më shumë informata dhe pyete se kur mund të takoheni përsëri.
3 Mund ta vazhdosh bisedën tënde fillestare në lidhje me lumturinë familjare, duke thënë:
◼ «Do të më pëlqente të vija në dukje diçka në librin që morët, të cilën mendoj se do ta çmoni. Kapitulli i fundit përqendrohet në sekretin e vërtetë të lumturisë familjare. [Lexo paragrafin 2 në faqen 183.] Vëreni se çelësi është që të punohet së bashku për të kryer vullnetin e Perëndisë. Ne rekomandojmë që familjet ta studiojnë së bashku Biblën, për të mësuar se cili është vullneti i Perëndisë dhe si të zbatohet ai në familje. Ne ofrojmë një kurs falas për studimin e Biblës, të cilin duhen vetëm pak muaj për ta përfunduar. Nëse do të më lejoni, do t’ju tregoj se si drejtohet ai.» Kthehu me broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? ose me librin Njohuria, me cilin prej tyre do të ishte më e përshtatshme.
4 Kur u flet shokëve të klasës në shkollë apo të rinjve në territor, mund të marrësh përgjigjen e kësaj pyetjeje:
◼ «Sa e rëndësishme është për prindërit dhe fëmijët e tyre që t’i mbajnë të hapura linjat e komunikimit me njëri-tjetrin? [Lëre të përgjigjet.] Vëreni se ç’thotë ky manual mbi jetën familjare, në lidhje me çështjen e ‘komunikimit të ndershëm dhe të hapur’. [Lexo të gjithë paragrafin 4 dhe fjalinë e parë të paragrafit 5 në faqen 65 të librit Lumturia familjare.] Paragrafët që vijojnë sigurojnë sugjerime praktike mbi atë se si të përmirësohet komunikimi brenda një familjeje. Ky libër titullohet Sekreti i lumturisë familjare. Nëse do të dëshironit ta lexonit dhe premtoni se do të bëni kështu, mund ta merrni dhe ta mbani këtë kopje.» Shpjegoji se do të kthehesh më vonë për të marrë përshtypjet e tij mbi atë që ka lexuar.
5 Mund të ndërtosh mbi bisedën tënde fillestare me një të ri, në lidhje me komunikimin prind-fëmijë, duke thënë kështu:
◼ «E çmova interesin që treguat mbi rëndësinë e pasjes së një komunikimi të mirë brenda familjes suaj. Cila do të thoshit ju se është tema më e rëndësishme që duhet të trajtojnë prindërit dhe fëmijët?» Lëre të përgjigjet. Pastaj shko tek faqja 68 në librin Lumturia familjare dhe lexo përgjigjen që gjendet në gjysmën e parë të paragrafit 11. «Pasja e një studimi të përjavshëm biblik, është një mënyrë e shkëlqyer për të fituar njohurinë e Perëndisë.» Prezanto broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Shpjego se 16 mësimet e saj sigurojnë një skemë bazë të mesazhit të Biblës. Lexo hyrjen në faqen 2 dhe pastaj trajtoni së bashku mësimin e parë.
6 Nëse takon një prind në veprën nga shtëpia në shtëpi, apo ndoshta në një park a në një shesh lojërash, mund t’i ngjallësh interesin, duke i thënë:
◼ «Jam i sigurt se do të jeni dakort që të rritësh sot fëmijë, është një sfidë e vërtetë. Çfarë mendoni ju se mund ta mbrojë familjen tuaj nga ndikimet e pashëndetshme? [Lëre të përgjigjet.] Këtu është një këshillë e shëndetshme, që unë e kam çmuar.» Trego ilustrimin në paragrafin 1 dhe lexo paragrafin 2 në faqen 90 të librit Lumturia familjare. Shpjego se si ajo jep drejtim të ekuilibruar, që me të vërtetë ka efekt në mbrojtjen e familjeve nga ndikimet shkatërruese. Ofroji për t’i lënë një kopje dhe vëre veten në dispozicion për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që ngrihet.
7 Në vizitën tënde të dytë me një prind, i cili ka pranuar librin «Lumturia familjare», mund ta vazhdosh bisedën në këtë mënyrë:
◼ «Kur u takuam herën e parë, munda të kuptoj se ju kujdeseni me të vërtetë për fëmijët tuaj dhe se dëshironi të bëni gjithçka mundeni për t’i mbrojtur ata nga ndikimet e gabuara. Ndoshta ju nuk e keni lexuar ende, por në librin që ju lashë, të cilin duhej ta shikonit, ndodhet një vërejtje shumë e rëndësishme. [Lexo paragrafin 19 në faqen 59.] Zhvillimi i një marrëdhënieje me Perëndinë kërkon që të arrijmë ta njohim atë nëpërmjet faqeve të Fjalës së tij të shkruar, Biblës. A do t’ju pëlqente t’ju tregoja se si e studiojmë ne Biblën si një familje?»
8 Këshilluesit botërorë nuk mund t’u tregojnë familjeve rrugën drejt lumturisë, por me siguri që do t’i lënë të zhgënjyera ato. Le t’i japim një shpërndarje të gjerë librit Lumturia familjare, që kështu njerëzit kudo të mund të ndihmohen nga Fjala e Perëndisë, për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme.—1. Tim. 6:19.