Ndiq vazhdimisht Jezuin
1 Në një rast Jezui tha: «Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë shtyllën e tij të mundimeve dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Mat. 16:24) Sigurisht që ne duam t’u përgjigjemi në mënyrë aktive fjalëve të Jezuit. Le të shqyrtojmë se çfarë përfshihet në çdo frazë të ftesës së tij.
2 «Të mohojë vetveten»: Kur ia dedikojmë jetën tonë Jehovait, ne mohojmë vetveten. Domethënia bazë e fjalës greke të përkthyer «mohoj» është «të thuash jo». Kjo do të thotë që vullnetarisht ne heqim dorë prej ambicieve, dëshirave, komoditeteve dhe kënaqësive egoiste, duke qenë të vendosur për t’i pëlqyer Jehovait për gjithë përjetësinë.—Rom. 14:8; 15:3.
3 «Të marrë shtyllën e tij të mundimeve»: Jeta e të krishterit është një jetë që përfshin mbajtjen e shtyllës së mundimit të shërbimit vetëflijues ndaj Jehovait. Një mënyrë në të cilën mund të pasqyrohet vetëflijimi, është ushtrimi i vetes në shërbim. Kështu, deri tani në këtë vit, shumë lajmëtarë kanë gëzuar veprën e shërbimit si pionier ndihmës. Ndoshta ti je një prej tyre dhe mund të vërtetosh se bekimet që nxjerr, janë më shumë të shpërblyera se sakrificat që bën. Ata që nuk janë në gjendje të shërbejnë si pionierë ndihmës, shpesh kanë marrë masat që të harxhojnë më shumë kohë në veprën e predikimit si lajmëtarë kongregacioni. Me këtë synim në mendje, disa kongregacione po i programojnë mbledhjet e tyre për shërbimin në fushë, pak minuta më herët sesa bënin më parë. Me ardhjen e pranverës, shumë lajmëtarë e çmojnë faktin që kanë këtë periudhë më të gjatë për shërbimin në fushë. Gjithashtu, disa kanë pasur rezultate të shkëlqyera, kur kanë vendosur të vizitojnë «vetëm një shtëpi më shumë» apo të punojnë «vetëm pak minuta më gjatë».
4 Një tjetër mënyrë, në të cilën shfaqet fryma e vetëflijimit, është vënia e synimeve personale. Me një planifikim të kujdesshëm dhe duke e përshtatur programin e tyre, disa janë bërë pionierë të rregullt. Të tjerë kanë qenë në gjendje t’i rregullojnë punët e tyre, në mënyrë që ta vënë veten në dispozicion në Bethel apo në shërbimin si misionarë. Disa kanë lëvizur në një zonë, ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë.
5 «Të më ndjekë vazhdimisht»: Ndonëse dishepujt e Jezuit përjetuan shumë sprova, ata ishin të inkurajuar nga zelli dhe qëndrueshmëria e tij në shërbim. (Gjoni 4:34) Prania dhe mesazhi i tij i bënte ata të ndiheshin të përtërirë në frymë. Ja, përse ata që e ndiqnin atë rrezatonin gëzim të vërtetë. (Mat. 11:29) Ngjashëm, le të inkurajojmë edhe ne njëri-tjetrin, për të qëndruar në veprën shumë të rëndësishme të predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve.
6 Le të reagojmë të gjithë në mënyrë aktive ndaj ftesës së Jezuit për ta ndjekur vazhdimisht, duke kultivuar frymën e vetëflijimit. Ndërsa e bëjmë këtë, do të kemi gëzim të madh tani dhe mund të shpresojmë për bekime edhe më të mëdha në të ardhmen.