Kongresi Krahinor për vitin 1997 «Besim në Fjalën e Perëndisë»
1 Apostulli Pavël e kujtoi Timoteun se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia». (2. Tim. 3:16) Përderisa Fjala e Perëndisë është e frymëzuar, kemi çdo arsye për të ushtruar besim në të. Tema e Kongresit Krahinor për këtë vit është «Besim në Fjalën e Perëndisë». Programi do të forcojë besimin tonë në Biblën, sido që të jetë, e kemi njohur të vërtetën nga shumë vjet, apo jemi lidhur me organizatën e Jehovait vetëm kohët e fundit. Të gjithë ne duhet të marrim masat që të jemi të pranishëm gjatë tërë programit. Sa ndërtuese do të jetë, nëse personat e sapointeresuar, e sidomos ata me të cilët studiojmë Biblën, janë të pranishëm bashkë me ne!
2 Kongres treditor: Këtë vit janë marrë masat për një program treditor të kongresit krahinor në dobinë tonë. Deri tani, jeni informuar për kongresin, në të cilin është caktuar kongregacioni juaj dhe duhet të keni bërë plane të qarta për të qenë të pranishëm në të trija ditët e programit. A i jeni afruar punëdhënësit, për të marrë leje për kohën e nevojshme? Nëse keni fëmijë të moshës shkollore dhe kongresi bie gjatë kohës së shkollës, a i keni informuar me mirësjellje mësuesit e tyre, se fëmijët do të mungojnë të premten dhe të shtunën për këtë pjesë të rëndësishme të stërvitjes së tyre fetare?—Ligj. 31:12.
3 Siç është njoftuar në Kullën e Rojës së 15 shkurtit 1997, për Shqipërinë janë programuar dy kongrese krahinore. Njëri do të mbahet në Tiranë më 11-13 korrik 1997. Tjetri do të mbahet në Berat më 25-27 korrik 1997.
4 Programi do të fillojë çdo ditë në orën 930 të paradites. Dyert do të hapen në orën 800. Të vetmit që lejohen të hyjnë më përpara, do të jenë ata që kanë caktime pune, por nuk do të lejohen të zënë vende për t’u ulur, derisa ndërtesa të hapet për të gjithë.—Filip. 2:4.
5 Bëni mirë t’i kushtoni vëmendje: Apostulli Pjetër i kujtoi të krishterët e shekullit të parë se do të bënin mirë t’u kushtonin vëmendje fjalëve profetike, si një llampe që ndriçon një vend të errët. (2. Pjet. 1:19) Po kështu është edhe me ne. Të jetosh në këtë botë të vjetër që është nën kontrollin e Satanait, është njësoj sikur të gjendesh në një vend të errët. Ne jemi mirënjohës që jemi thirrur, për të dalë jashtë errësirës frymore. (Kolos. 1:13; 1. Pjet. 2:9; 1. Gjon. 5:19) Për të qëndruar në dritë, duhet ta mbajmë të fortë besimin tonë, duke i kushtuar vëmendje Fjalës së frymëzuar të Jehovait. Pikërisht këtë do të na inkurajojë të bëjmë kongresi ynë krahinor gjatë kësaj vere.
6 Mund të kërkohen përpjekje nga ana jonë që të përqendrohemi në program, por sigurisht që për këtë do të bekohemi. Duhet të përpiqemi që të vijmë të shlodhur mirë në vendin e kongresit, e në këtë mënyrë do të jemi syhapur gjatë sesioneve. Çdo ditë lini kohë të mjaftueshme për të ardhur në vendin e kongresit, kështu që të mund të jeni të ulur para se të fillojë programi. Më pas, merrni pjesë në këngën e hapjes dhe lutjen e fillimit të programit të çdo dite. Të rriturit duhet të lënë shembull dhe prindërit duhet t’i stërvitin fëmijët e tyre.—Efes. 6:4.
7 Nëse shikojmë titujt e pjesëve para se të fillojë programi i ditës, mund të përpiqemi të marrim me mend se cilat pika mund të paraqiten gjatë atij sesioni. Kjo gjë do të rritë interesin tonë mbi materialin, kur ai të paraqitet. Mund t’u kushtojmë vëmendje pikave që do të na ndihmojnë t’u shprehim të tjerëve arsyen përse besojmë në Perëndinë dhe në premtimin e tij të sigurt, për të shpërblyer ata që me zjarr e kërkojnë atë. (Hebr. 11:1, 6) Është sugjeruar që të marrim shënime të shkurtra, të cilat na ndihmojnë të kujtojmë pikat kryesore të programit. Nëse marrim shumë shënime, mund të humbim disa pika kyçe, për faktin që jemi tepër të zënë duke shkruar.
8 Vitin e kaluar, përsëri ishin parë shumë të rritur dhe të rinj, duke ecur pa ndonjë qëllim nëpër korridore, duke ardhur vërdallë jashtë e duke bërë muhabet me të tjerët, gjatë kohës që programi vazhdonte, në vend se të dëgjonin atë që «skllavi i besueshëm dhe i matur» kishte siguruar për dobinë tonë. Jezui premtoi të na jepte ushqim frymor në kohën e duhur. (Mat. 24:45-47) Prandaj, duhet të jemi të pranishëm për të përfituar nga ai ushqim dhe jo të tregojmë mungesë çmueshmërie. (2. Kor. 6:1) Veç kësaj, duket se kur disa fëmijë nuk i zë vendi, shpesh kërkojnë të përdorin banjon si një justifikim për t’u ngritur e për të ardhur vërdallë. Zakonisht, duke u stërvitur siç duhet në shtëpi, vajtjet e shpeshta në banjo do të jenë të panevojshme. Nganjëherë, të rinj më të rritur ulen së bashku në vende të veçuara, duke folur, përshpëritur dhe duke i kaluar shënimet njëri-tjetrit. Të rinjtë tanë, të cilët përballojnë shumë presione sot, duhet të përqendrohen mbi materialin që paraqitet, e jo të merren me gjëra të tjera gjatë programit. Dëshirat rinore që nuk janë në harmoni me parimet biblike duhen shmangur. (Krahaso 2. Timoteut 2:22.) Vëmendja e të gjithëve, të rritur e të rinj, do të nderojë Jehovain dhe do ta bëjë atë të gëzuar.
9 Nëse del nevoja që ndonjë nga përcjellësit t’i japë këshillë ndokujt për këto gjëra, ajo duhet pranuar si një sigurim i dashur nga Jehovai. (Gal. 6:1) Të gjithë duhet të mos harrojnë se arsyeja përse bëjmë përpjekje për të qenë të pranishëm në kongres, është që të mund ‘të dëgjojmë dhe të mësojmë’. (Ligj. 31:12) Gjithashtu, «një person i mençur do të dëgjojë dhe do të marrë më shumë udhëzim». (Prov. 1:5) Gjatë kohës që mbetet para se të merrni pjesë në kongres, diskutoni si familje nevojën për t’u ulur së bashku në auditor, për të ndenjur të ulur gjatë programit dhe për të qenë shumë të vëmendshëm, në mënyrë që të fitoni dobi të plota nga programi.
10 Stolisja që i pëlqen Jehovait: Populli i Jehovait është një shfaqje para gjithë botës. (1. Kor. 4:9) Ne jemi kryesisht të njohur për normat tona të shkëlqyera në veshje dhe në krehje. Zbatimi i parimeve biblike që gjejmë në 1. Timoteut 2:9, 10 dhe 1. Pjetrit 3:3, 4 ka rezultuar në ndryshime të mëdha në paraqitjen e jashtme të shumë personave, nëse i krahasojmë me mënyrën se si dukeshin kur filluan të shoqëroheshin me kongregacionin e krishterë. Kjo është në kontrast të qartë me normat e keqësuara që kanë zënë rrënjë në veshjen dhe në krehjen që shohim në botë. Duam të jemi vigjilentë që të mos bëhemi si bota në paraqitjen tonë të jashtme, duke mbajtur veshje të çuditshme, duke përkrahur tekat e botës në stilin e flokëve apo duke u veshur në mënyrë jomodeste. Veshja dhe krehja jonë shembullore duhet t’i ndihmojë të sapointeresuarit që janë të pranishëm në kongres, për të parë se si duhet të stolisen të krishterët.
11 Edhe pse përshtypja e përgjithshme e lënë nga kongreset e viteve të fundit ka qenë shumë pozitive, veshja dhe krehja botërore vazhdon të jetë një problem me disa vëllezër dhe motra, sidomos pas sesioneve të ditës. Ndërkohë që bëjmë planet për të qenë të pranishëm në kongres, duhet të analizojmë veten, në lidhje me veshjen dhe krehjen tonë. Prindër, kontrolloni me mençuri se çfarë do të veshin adoleshentët dhe fëmijët tuaj. Sigurohuni se nuk po lejojmë që stilet dhe moda e botës të kenë një ndikim të keq mbi paraqitjen tonë të krishterë.
12 Të mbajmë një sjellje të shkëlqyer: Sjellja e shkëlqyer është një shenjë e të krishterëve të vërtetë. (1. Pjet. 2:12) Sjellja jonë kudo që të jemi, në kongres, në restorante dhe në hotele, si edhe gjatë udhëtimit, mund të japë një dëshmi të shkëlqyer dhe të ndihmojë të tjerët për të parë se çfarë mund të bëjë tek njerëzit besimi në Perëndinë dhe në Fjalën e tij. Kjo mund t’i nxitë disa që të njohin Jehovain. (Krahaso 1. Pjetrit 3:1, 2.) Ne kemi privilegjin për t’i sjellë lavdi Perëndisë me sjelljen tonë. Drejtoria e një hoteli në Alabama tha se delegatët tanë janë «grupi më i këndshëm dhe me sjellje më të mirë që ata mikpresin». Ajo shtoi: «Do të jetë një privilegj t’ju kemi përsëri në të ardhmen.» Një zyrë kongresi dhe turistike në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara shkroi: «Konferenca e Shoqatës Watchtower pritet çdo vit me padurim nga i gjithë komuniteti ynë. Anëtarët tuaj janë një kënaqësi e vërtetë, që sillen me mirësjelljen dhe respektin më të madh. Biznesi ynë e di këtë dhe e çmon kthimin e ‘familjes’ së tyre të mysafirëve çdo vit.» Raporte si këto janë një kënaqësi për t’u lexuar, apo jo? Megjithatë, është e nevojshme të qëndrojmë vigjilentë, me qëllim që të mund ta ruajmë reputacionin e mirë të popullit të Jehovait.
13 Janë bërë shumë përkujtues lidhur me kontrollimin e fëmijëve tanë nëpër hotele, për të mos i lënë ata të vijnë vërdallë pa qenë të mbikëqyrur, duke shqetësuar mysafirët e tjerë. Çdo vit, Shoqata merr raporte se disa nga fëmijët tanë janë të pambikëqyrur brenda hoteleve dhe përqark pishinave, ose shihen duke vrapuar nëpër korridore apo në vendet publike të hoteleve. Një administrator, i cili kaloi natën në hotelin e tij, ishte zgjuar dy herë pas orës 1100 të natës, nga grupe fëmijësh që trokisnin në çdo derë, duke kërkuar Dëshmitarë të tjerë. Megjithëse, kongreset na japin mundësinë për të biseduar dhe për t’u shoqëruar me vëllazërinë tonë, prindërit duhet të mbajnë ende parasysh detyrimin e tyre për t’i mbikëqyrur fëmijët në çdo kohë. Kjo është një përgjegjësi që Jehovai e ka vënë mbi çdo prind. (Prov. 1:8; Efes. 6:4) Veprimet e pambikëqyrura të fëmijëve mund të minojnë reputacionin e mirë që Dëshmitarë të tjerë të Jehovait e kanë ndërtuar me mund.—Prov. 29:15.
14 Nëse një hotel jep mëngjesin falas gjatë qëndrimit tuaj, nuk duhet ta shikoni këtë si një mundësi për t’u furnizuar për drekën. Disa hotele kanë raportuar se ca nga vëllezërit dhe motrat tona kanë zbritur nga dhomat e tyre në dhomën e ngrënies me çanta plastike dhe i kanë mbushur ato me fruta, ëmbëlsira dhe bukë, për t’i konsumuar më vonë, duke lënë pak për mysafirët e tjerë. Këto mirësi të hotelit bëhen si një mirësjellje për mysafirët gjatë kohës që janë në hotel dhe nuk duhet abuzuar me to. Marrja më shumë nga sa do të hahet për mëngjes, do të tregonte vërtet një frymë lakmitare e veç kësaj, nuk është e ndershme. Nëse vërehet një sjellje e papërshtatshme nga ana e shokëve tanë Dëshmitarë, do të ishte një shenjë dashamirësie t’i kujtonit se si duhet të veprojnë. Mos harroni, gjithashtu, se nuk duhet gatuar në dhomat e hotelit, nëse ato nuk janë të pajisura me një kuzhinë për këtë qëllim. Nëse çoni në dhomë një ftohës, ju lutemi të siguroheni se ajo nuk pikon apo avullon e të dëmtojë qilimin, orenditë apo muret e dhomës.
15 Mbani parasysh se bakshishi është i përshtatshëm, kur të bëhet një shërbim personal, veçanërisht duke qenë se shumë nga ata që u shërbejnë njerëzve, si kamerierët dhe shërbyeset e hotelit varen në një masë të madhe nga bakshishet për të nxjerrë jetesën. Si Dëshmitarë të Jehovait, ne duam të tregojmë mirësjellje edhe në këtë aspekt.—Shiko Zgjohuni! 22 qershor 1986, faqet 24-27, botuar në anglisht.
16 Mbulimi i shpenzimeve të kongresit: Të gjithë ne do të kemi shpenzime, për sa i përket pjesëmarrjes në kongres. Ka edhe një tjetër shpenzim që ne bëjmë mirë ta marrim parasysh. Ndërtesat që përdorim për kongreset janë të kushtueshme. Ka edhe shpenzime të tjera, për të cilat duhet të kujdesemi. Kontributet tona vullnetare me bujari nëpër kongrese, çmohen shumë.—Vep. 20:35; 2. Kor. 9:7, 11, 13.
17 Vendet e uljes: Do të vazhdojnë të zbatohen direktivat që janë dhënë për disa vjet me radhë, d.m.th., VENDET MUND TË RUHEN VETËM PËR PJESËTARËT E AFËRT TË FAMILJES DHE PËR NDONJË QË UDHËTON ME JU NË MAKINËN TUAJ. Është kënaqësi të shohësh se më shumë persona po i zbatojnë këto direktiva gjatë viteve të fundit dhe kjo e ka rritur atmosferën e dashur që shfaqet nëpër kongrese. Në shumicën e ndërtesave të kongresit, disa vende uljeje arrihen më lehtë sesa të tjerat. Ju lutemi të tregoni konsideratë dhe të lini vendet më të përshtatshme për ata, të cilëve ua kërkojnë rrethanat.
18 Kamerat, videokamerat dhe kasetofonët: Në kongrese mund të përdoren kamera dhe pajisje për regjistrim. Megjithatë, përdorimi i tyre nga ana jonë nuk duhet të shpërqendrojë të pranishmit e tjerë. Nuk duhet të sillemi vërdallë gjatë sesioneve, duke bërë fotografi, saqë kjo të shqetësonte të tjerët që po përpiqen të përqendrohen mbi programin. Asnjë aparat regjistrimi i ndonjë lloji nuk duhet lidhur me sistemin elektrik apo akustik e as nuk duhet që këto pajisje personale të bllokojnë kalimet mes radhëve, rrugët apo shikimin e të tjerëve.
19 Ndihma e shpejtë: Reparti i ndihmës së shpejtë është vetëm për rastet urgjente. Ai nuk është në gjendje të kujdeset për sëmundjet kronike. Për këtë arsye, duhet të mbani parasysh nevojat shëndetësore të vetes dhe të familjes suaj që më përpara. Ju lutemi të merrni vetë aspirina, ndihmës për tretjen, fasho, kapëse dhe gjëra të tilla, pasi ato nuk do të jenë në dispozicion në kongres. Kushdo që dihet se ka rrezik të ketë epilepsinë, një goditje insuline, probleme zemre e kështu me radhë, duhet t’i dalë përpara nevojave të tij aq sa të jetë e mundur. Ata duhet të kenë mjekimin e nevojshëm dhe një anëtar i familjes apo i kongregacionit që e kupton situatën e tyre duhet të jetë me ta në çdo kohë, për t’u dhënë gjithë ndihmën e nevojshme. Kanë lindur probleme nëpër kongrese, kur individë me probleme kronike shëndetësore janë lënë vetëm dhe janë sëmurë. Administratës së kongresit i është dashur të lidhet me shërbimin mjekësor të urgjencës, për t’i çuar ata në spital. Të gjithë ata që kanë anëtarë të familjes me sëmundje kronike, duhet të sigurohen se ata nuk janë lënë pa kujdes. Nëse disa persona me nevoja të veçanta shëndetësore nuk kanë pjesëtarë të familjes që mund t’i ndihmojnë, pleqtë e kongregacionit të tyre do të duhet të jenë të informuar për situatën dhe të bëjnë rregullimet e nevojshme për ndihmë. Nëpër kongrese nuk do të merren masa për të siguruar dhoma të veçanta, që të strehohen ata që kanë alergji.
20 Ushqimi në kongres: Mospasja e shërbimit për ushqim nëpër kongrese, ka rezultuar se më shumë vëllezër janë të lirë gjatë të gjitha sesioneve, për t’u përqendruar mbi ushqimin frymor. Janë marrë një sërë shprehjesh çmueshmërie për këtë thjeshtim, që kur u vendos ky rregullim. Të gjithë duhet të planifikojnë që të marrin gjërat e veta praktike për ushqim gjatë drekës, si ato të sugjeruara në shtojcën e Shërbimi ynë i Mbretërisë për muajin maj 1995, paragrafi 25 dhe 26. Në ndërtesën e kongresit nuk duhen sjellë mbajtëse gotash dhe pije alkoolike. Ftohësit e ushqimit duhet të jenë mjaft të vegjël për t’u futur nën ndenjëse. Janë parë disa në auditor duke ngrënë apo duke pirë gjatë programit. Një gjë e tillë nuk tregon respekt. Në vendet ku brenda ndërtesës së kongresit gjenden pika shitjeje për ushqim apo ka shitës jashtë, është parë që disa vëllezër janë bërë klientë të rregullt të këtyre gjatë programit. Një praktikë e tillë nuk është e përshtatshme.
21 E çmojmë vërtet gostinë tonë frymore dhe atmosferën e qetë dhe çlodhëse të shoqërimit me të tjerët gjatë drekës së shkurtër. Në përputhje me qëllimin e këtij rregullimi, në vend se të ikim nga ndërtesa për të blerë ushqim, ju lutemi të merrni diçka me vete. Në këtë mënyrë, do të keni më shumë kohë për të gëzuar shoqërinë e vëllezërve dhe të motrave.
22 Sa të gëzuar jemi që së shpejti do të nisë Kongresi Krahinor «Besim në Fjalën e Perëndisë»! Të gjithë duam të jemi të sigurt se i kemi bërë përgatitjet për të qenë të pranishëm gjatë gjithë programit, kështu që të mund të gëzojmë plotësisht banketin e shkëlqyer frymor që Jehovai ka përgatitur për ne nëpërmjet organizatës së tij. Në këtë mënyrë, ne do të bëhemi «plotësisht të pajisur për çdo vepër të mirë» në ditët që do të vijnë.—2. Tim. 3:17.
[Kutia në faqen 6]
Përkujtues për Kongresin Krahinor
Pagëzimi: Kandidatët për pagëzim duhet të ulen para fillimit të programit, në vendin e caktuar, ditën e shtunë në mëngjes. Një kostum banje modest dhe një peshqir duhet të merret nga çdo person që planifikon të pagëzohet. Në kongreset e kaluara, disa kanë veshur gjëra jo të përshtatshme dhe që i zvogëlojnë vlerën këtij rasti. Pleqtë që rishikojnë me kandidatët për pagëzim pyetjet në broshurën Mësimet elementare të Biblës, duhet të sigurohen se çdonjëri i kupton këto pika. Pas fjalimit të pagëzimit dhe lutjes së bërë nga oratori, drejtuesi i sesionit do të bëjë ftesën për një këngë. Pas strofës së fundit, përcjellësit do t’i drejtojnë kandidatët në vendin për pagëzim. Pagëzimi si simbol i dedikimit të personit, është një çështje intime dhe personale mes individit dhe Jehovait. Prandaj, nuk është e përshtatshme që kandidatët të përqafojnë njëri-tjetrin apo të mbahen për dore gjatë momentit të pagëzimit.
Distinktivi: Ju lutemi të vini distinktivin e vitit 1997 në çdo kohë, kur jeni në qytetin e kongresit dhe kur udhëtoni për të ardhur apo për t’u kthyer prej tij. Shpeshherë, kjo na krijon mundësi për të dhënë një dëshmi të shkëlqyer. Distinktivat dhe mbajtëset duhet të merren nëpërmjet kongregacionit, pasi ato nuk do të disponohen në kongres. Mos prit deri pak ditë para kongresit, për të kërkuar distinktivat për vete dhe për familjen. Mos harro të marrësh kartën e përditësuar Deklaratë/Shfajësim mjekësor i mëparshëm.
Strehimi: Kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve, që të përdorin VETËM listën e ambienteve të siguruara nga kongresi. Nëse devijojmë nga rregullimet e Shoqatës dhe sigurojmë strehim në ndonjë hotel që nuk është në listën e miratuar apo paguajmë më shumë se çmimi i miratuar në një nga hotelet e listës, atëherë po minojmë punën e rëndë të vëllezërve tanë, që kanë bërë kontrata me hotelet për një çmim më të mirë. Mbani ndër mend se çmimi i dhomave për kongresin është e vlefshme edhe për netët e së enjtes dhe të së dielës. NËSE PËRJETONI NDONJË PROBLEM NË NDONJË HOTEL, ju lutemi të mos nguroni për të njoftuar Repartin e Strehimit ndërkohë që ende je në kongres, në mënyrë që të mund t’ju ndihmojnë menjëherë në zgjidhjen e çështjes. Ju lutemi të kuptoni se mund të mos jetë e mundur për të gjithë që të marrin në hotel një dhomë ku s’pihet duhani, edhe nëse është bërë kërkesa, kur është regjistruar rezervimi. Njësoj është edhe me parapëlqimet tuaja për krevat dopjo. Sekretarët e kongregacioneve duhet të sigurohen që formularët Kërkesë për dhomë me nevoja të veçanta, duhen dërguar menjëherë që më parë në adresën e përshtatshme të kongresit. Nëse ju duhet të anuloni një strehim që është bërë përmes rregullimit për nevoja të veçanta, duhet të njoftoni menjëherë të zotin e pronës apo të hotelit, si edhe Repartin e Strehimit të kongresit, në mënyrë që dhoma t’i ricaktohet dikujt tjetër.
Karrocat e fëmijëve dhe karriget portative: Në shumë vende, karrocat e fëmijëve nuk mund të përdoren në vendet publike të asamblesë. Rregullat për parandalimin e zjarrit nuk lejojnë vendosjen e tyre nëpër korridore dhe në kalimet midis rreshtave apo midis rradhëve të karrigeve. Meqë turmat e mëdha mund të shkaktojnë ngushtica, karrocat mund të jenë të rrezikshme si për fëmijën, ashtu edhe për këdo që mund të pengohet mbi to. Prandaj, ju lutemi të mos i sillni ato në vendin e kongresit. Janë të lejueshme ndenjëse për fëmijët në makinë, pasi këto mund të sigurohen në vendet pranë prindërve. Ju lutemi, të mos sillni karrige portative. Ato janë të rrezikshme dhe nuk lejohen në ndërtesat e mëdha publike. Bashkëpunimi juaj në këto aspekte është i rëndësishëm dhe i çmuar.
Shërbimi vullnetar: A mund të veçoni ca kohë gjatë kongresit për të ndihmuar në ndonjë nga repartet? Shërbimi ndaj vëllezërve tanë, edhe vetëm për pak orë, mund të jetë një ndihmë e madhe dhe sjell shumë kënaqësi. Nëse mund të ndihmoni, ju lutemi të raportoni në Repartin e shërbimit vullnetar në kongres. Fëmijët nën moshën 16 vjeç, mund të japin një kontribut të shkëlqyer, duke punuar nën drejtimin e një prindi apo të të rriturve të tjerë përgjegjës.
Zëra për kujdes: Qëndroni të vëmendshëm ndaj problemeve të mundshme, për të shmangur vështirësitë e panevojshme. Shpesh, hajdutë dhe individë të tjerë të paskrupullt grabisin njerëz që janë larg vendbanimit të tyre. Sigurohuni që automjeti juaj është i kyçur në çdo kohë dhe mos lini asnjëherë diçka të dukshme, që e tundon dikë për të thyer xhamin. Hajdutët dhe xhepistët e përqendrojnë vëmendjen e tyre në grumbullime të mëdha. Nuk do të ishte e mençur të linit ndonjë gjë me vlerë në vendin tuaj të ndenjjes. Nuk mund të jeni të sigurt se të gjithë ata që ju rrethojnë janë të krishterë. Përse të ofroni ndonjë tundim? Janë marrë raporte për përpjekje të bëra nga disa të jashtëm për të joshur fëmijët e për t’i larguar ata. RUAJINI FËMIJËT GJATË GJITHË KOHËS.
Televizioni dhe videot në shumë hotele shpesh japin programe pornografike të ndyra moralisht. Jini vigjilentë ndaj kësaj gracke dhe mos i lejoni fëmijët që të jenë të pakontrolluar për sa i përket televizorit në dhomë. Prindërit mund të dëshirojnë t’ua parandalojnë fëmijëve të tyre aktivizimin e «TV me pagesë» në dhomën e tyre të hotelit, duke i kërkuar hotelit që të mbyllë këtë program gjatë qëndrimit të tyre.
Ju lutemi, mos i shkruani ose mos i telefononi drejtuesve të kongresit, duke kërkuar informacion mbi ndonjë çështje që ka të bëjë me kongresin. Nëse informacioni nuk është i disponueshëm nga pleqtë, mund të shkruani në adresë të një kongresi të veçantë, që gjendet në anën e prapme të të formularëve Kërkesë për dhomë me nevoja të veçanta, njëri prej të cilëve është vendosur në tabelën e informacionit të kongregacionit.