Ne duhet të jemi mësues, jo vetëm predikues
1 Është vërejtur se «Dëshmitarët e Jehovait e kanë përshkuar në kuptimin e drejtpërdrejtë tokën me dëshminë e tyre». Si ka qenë e mundur kjo? Jo me anë të forcës apo të fuqisë njerëzore, por me anë të frymës së Perëndisë që vepron mbi shërbëtorët e tij, ndërsa ata përdorin sigurimet e ndryshme për të përmbushur detyrën e tyre të predikimit dhe të mësimit.—Zah. 4:6; Vep. 1:8.
2 Materiali i shtypur është një mjet i efektshëm për të kryer veprën tonë të predikimit. Përgjatë viteve, një sasi marramendëse librash, broshurash, revistash dhe fletushkash janë shtypur dhe shpërndarë nga Dëshmitarët e Jehovait për të ndihmuar bërjen të njohur të lajmit të mirë të Mbretërisë. Raportet në Librin vjetor 1997 tregojnë se prodhimi i literaturës ka arritur nivele rekord. Deri tani janë shtypur mbi 91 milion kopje të Përkthimit Bota e Re. Në një vit numri i revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! të shtypura në Shtetet e Bashkuara u rrit me 7,1 përqind. Në Gjermani, prodhimi i revistave u rrit me 35 përqind. Mbi një e treta e revistave të prodhuara atje ishin për fushën ruse.
3 Përse nevojitet kaq shumë literaturë? Në mbarë botën, inkurajimi që na është dhënë për të dëshmuar kudo ku mund të gjenden njerëzit ka pasur një përgjigje të jashtëzakonshme. Duke qenë se më shumë nga ne kanë zgjeruar veprën e tyre të dëshmisë, në vendet publike, në rrugë dhe në territorin tregtar, sasi më të mëdha literature po u lihen njerëzve që tregojnë njëfarë interesi. Shumë prej tyre rrallë, për të mos thënë asnjëherë, kishin pasur mundësi të dëgjonin mesazhin e Mbretërisë më parë. Për të plotësuar këtë nevojë, kongregacionet kanë në dispozicion një shumëllojshmëri botimesh për t’i përdorur në të gjitha aspektet e shërbimit.
4 Cili është synimi ynë në shpërndarjen e literaturës? Synimi ynë nuk është vetëm për të lënë literaturën. Detyra për të bërë dishepuj përfshin dy aspekte: predikimin dhe mësimin. Së pari, kemi privilegjin për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë, duke i bërë njerëzit të vetëdijshëm se ajo është e vetmja shpresë për njerëzimin. (Mat. 10:7; 24:14) Literatura jonë e bazuar në Bibël është një mjet i provuar nga koha dhe i efektshëm për t’u nxitur interesin dhe për t’u komunikuar të tjerëve njohurinë për Mbretërinë.
5 Së dyti, nëse duhet të bëjmë dishepuj, ne duhet t’u mësojmë të gjitha gjërat që ka urdhëruar Jezui. (Mat. 11:1; 28:19, 20) Edhe një herë, literatura luan një rol të rëndësishëm në ngulitjen e së vërtetës në zemrat e studentëve, duke i ndihmuar ata që të bëhen dishepuj.
6 Ata që pranojnë literaturën mund të jenë ‘dëgjues të fjalës’, por vështirë se do të bëhen bërës të saj nëse asnjëri nuk i ndihmon ata. (Jak. 1:22-25, BR) Pak do të bëhen ndonjëherë dishepuj nëse dikush nuk i drejton. (Vep. 8:30, 31) Ata kanë nevojë për një mësues që t’i ndihmojë për t’i provuar vetes të vërtetën që gjendet në Shkrime. (Vep. 17:2, 3) Synimi ynë është që t’i ndihmojmë të përparojnë deri në pikën e dedikimit dhe pagëzimit dhe t’i stërvitim që të bëhen të kualifikuar në mënyrë të mjaftueshme për të mësuar të tjerët.—2. Tim. 2:2.
7 Nevoja më e madhe është për më shumë mësues: Kur predikojmë, ne e shpallim lajmin e mirë publikisht. Megjithatë, të mësuarit përfshin ta arsimosh dikë në mënyrë progresive. Ndërkohë që predikimi i bën të tjerët të vetëdijshëm për mesazhin e Mbretërisë, mësimi i ndihmon individët të pranojnë lajmin e mirë dhe të veprojnë në përputhje me të. (Luka 8:15) Një mësues bën më shumë se sa thjesht shpalljen; ai shpjegon, arsyeton me argumentim të mirë, ofron prova dhe bind.
8 Sa më shumë prej nesh që të jetë e mundur duhet të jenë mësues, jo vetëm predikues. (Hebr. 5:12a) Shpërndarja e literaturës është një pjesë jetësore e veprës sonë, por arritja e objektivit të dytë të shërbimit tonë varet në fund të fundit nga ajo që bëjmë ne si mësues. Megjithëse mund të jemi të kënaqur kur jemi në gjendje të lëmë literaturën, për të kryer plotësisht shërbimin tonë ne nuk duhet ta shohim lënien e literaturës si synimin tonë përfundimtar. (2. Tim. 4:5) Lënia e literaturës është një mjet i efektshëm për t’u hapur derën mundësive që t’i mësojmë të vërtetën të tjerëve.
9 Bëj rivizita për të filluar studime biblike: Të gjithë ne ka të ngjarë që të kemi lënë një numër librash, broshurash dhe revistash, duke përpiluar një listë me rivizita. Ne duhet të programojmë një kohë të rregullt për t’u kthyer që të nxitim interesin. Qëllimi ynë kryesor kur rikthehemi nuk është vetëm që të lëmë më shumë literaturë, por të inkurajojmë njerëzit që të lexojnë dhe të nxjerrin dobi nga ajo që tashmë kanë. Sa progres frymor do të kishim bërë vetë ne po të mos ishte dikush që të kthehej vazhdimisht për të na ndihmuar që të fitonim njohuri të saktë?—Gjoni 17:3.
10 Ndiq të gjithë interesin duke pasur parasysh fillimin e një studimi biblik me broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? ose me librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Këto dy botime e paraqesin mesazhin e Mbretërisë në një formë që kuptohet me lehtësi. Broshura Çfarë kërkon? përmban një kurs të përmbledhur studimi, duke trajtuar mësimet themelore të Biblës. Libri Njohuria e aftëson një person për të mësuar të vërtetën me më shumë hollësira, e megjithatë thjesht, qartë dhe shkurt.
11 Programi i thjeshtuar i mësimit, siç është shpjeguar në shtojcën e Shërbimi ynë i Mbretërisë, qershor 1996, e bën të lehtë për mësuesin që të arsimojë dhe për studentin që të mësojë. Mbaj një kopje të asaj shtojce në dispozicion për të rishikuar metodat dhe teknikat e mësimit që kanë dalë të efektshme. Disa nga sugjerimet që jep ajo, përfshijnë si të kemi interes të sinqertë personal për studentin, sa material duhet trajtuar në një sesion, si të veprojmë me pyetjet që nuk i përkasin subjektit, se si mësuesi dhe studenti, që të dy, mund të përgatiten më përpara për studimin dhe si ta drejtojmë studentin drejt organizatës së Jehovait. Duke ndjekur sugjerimet, më shumë prej nesh, duke përfshirë edhe më të rinjtë, do të jenë në gjendje të drejtojnë studime progresive.
12 Raporte nga fusha për suksesin e arritur: Broshura Çfarë kërkon? dhe libri Njohuria kanë provuar se janë mjete të vlefshme në shpejtimin e procesit të bërjes së dishepujve. Kur mori broshurën Çfarë kërkon?, një vëlla në Bolivi e përdori menjëherë për të filluar një studim me një burrë. Katër muaj më vonë, në kongresin krahinor, ky student ishte midis kandidatëve të lumtur për t’u pagëzuar!
13 Shumë persona po ndihen të nxitur për t’ia dedikuar jetën e tyre Jehovait, pasi mbarojnë studimin me librin Njohuria. Në një kongregacion në Angola, numri i studimeve biblike të drejtuara nga lajmëtarët u rrit nga 190 në 260 dhe prania në mbledhje u dyfishua në numër, nga 180 në 360, vetëm në katër muaj pasi libri Njohuria filloi të përdorej në atë zonë. Jo shumë kohë pas kësaj, u bë e nevojshme të formohej një kongregacion tjetër.
14 Pasi filloi studimin e tij të parë me librin Njohuria, një vëlla tha se drejtimi i tij është «i thjeshtë, nëse drejtuesi bën pyetjet, lexon disa shkrime të aplikueshme dhe sigurohet se studenti e kupton». Megjithëse ai mendonte gjithnjë se vetëm lajmëtarët shumë të kualifikuar mund të drejtonin studime biblike progresive dhe se ai nuk mund ta bënte kurrë këtë, më pas kuptoi se mundej, duke thënë: «Nëse mund ta bëj unë, çdokush mund ta bëjë.»
15 Ne e përmbushim objektivin e bërjes së dishepujve, duke drejtuar studime biblike si pjesë të shërbimit tonë. Ata që kanë zhvilluar aftësinë për të marrë pjesë në këtë aspekt të shërbimit kanë parë se është me të vërtetë i kënaqshëm dhe shpërblyes në mënyrë të pasur. Le të thuhet edhe për ne se jemi «duke predikuar mbretërinë e Perëndisë . . . dhe duke mësuar gjërat që kanë lidhje me Zotërinë Jezu Krisht me lirinë më të madhe të fjalës».—Vep. 28:31, BR.