Të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim—Pjesa 6
Çfarë të bëjmë kur studenti bën një pyetje?
1 Kur studimi biblik të ketë filluar të zhvillohet rregullisht, është më mirë që mësimet biblike t’i shqyrtojmë me radhë, sesa të kapërcejmë nga njëra temë te tjetra. Kjo do ta ndihmojë studentin të marrë njohurinë e saktë bazë dhe të bëjë përparim frymor. (Kolos. 1:9, 10) Mirëpo, gjatë studimit, shpesh studentët bëjnë pyetje për çështje të ndryshme. Si duhet të veprojmë në këto raste?
2 Të tregojmë aftësi dalluese: Pyetjeve që lidhen me materialin që po studiohet, zakonisht mund t’u përgjigjemi menjëherë. Nëse është një pyetje që do të trajtohet më vonë në botimin që po studiojmë, mjafton vetëm t’i themi që do ta shqyrtojmë më vonë. Por, nëse një pyetje nuk ka lidhje fare me materialin që po studiohet ose duhen bërë kërkime për t’iu përgjigjur si duhet, mund të jetë e arsyeshme që ta diskutojmë këtë çështje pas studimit ose një herë tjetër. Disa lajmëtarë kanë vënë re se, nëse në këto raste e mbajmë shënim pyetjen, kjo e siguron studentin që pyetja e tij po merret seriozisht dhe në të njëjtën kohë e ndihmon për të mos u shpërqendruar nga tema që po trajtohet.
3 Shumë nga mësimet biblike trajtohen vetëm shkurtimisht në botimet bazë që përdorim për të studiuar Biblën. Po nëse studenti e ka të vështirë ta pranojë një mësim ose është i bindur për diçka që në fakt është e rreme? Mund të ishte e dobishme që të shqyrtonim edhe materiale të tjera shtesë, ku trajtohet gjerësisht çfarë thotë Bibla për këtë temë. Nëse edhe pas këtyre shqyrtimeve, studenti nuk është bindur ende, mund ta lëmë diskutimin për një herë tjetër e ndërkohë të vazhdojmë me studimin sipas programit. (Gjoni 16:12) Ndërsa njohuria e tij për Biblën rritet dhe ndërsa përparon frymësisht, ndoshta do të arrijë ta kuptojë atë mësim biblik.
4 Të tregohemi modestë: Nëse nuk jemi të sigurt për përgjigjen e një pyetjeje, të bëjmë kujdes që të mos themi diçka me hamendje. (2 Tim. 2:15; 1 Pjet. 4:11) T’i shpjegojmë që do të bëjmë kërkime për atë pikë dhe do t’ia japim përgjigjen herën tjetër. Madje mund të përfitojmë nga këto raste për t’i shpjeguar studentit se si të bëjë edhe ai vetë kërkime. Pak nga pak, t’i tregojmë si t’i përdorë mjetet e kërkimit që ka siguruar organizata e Jehovait. Në këtë mënyrë do të jetë në gjendje t’u përgjigjet vetë pyetjeve që ka.—Vep. 17:11.