Do të jepet një dëshmi e fuqishme
1. Përveç fjalimit, ç’gjë tjetër mund t’u bëjë përshtypje vizitorëve në Përkujtim? Shpjegoni.
1 Kur do të jepet kjo dëshmi? Në mbrëmjen e Përkujtimit. Janë bërë shumë përpjekje për të ftuar njerëzit që të jenë aty bashkë me ne. Vizitorëve nuk do t’u bëjë përshtypje vetëm ajo që dëgjojnë. Pasi ndoqi Përkujtimin, një grua foli veçanërisht për atë që pa—përzemërsinë e secilit dhe ndërtesën e bukur e të pastër që ishte ngritur nga vullnetarë dhe që mirëmbahej prej tyre. Prandaj, jo vetëm oratori, por të gjithë ne bëjmë pjesën tonë për të dhënë dëshmi në ngjarjen më të rëndësishme të vitit.—Efes. 4:16.
2. Si mund t’i japë dëshmi vizitorëve secili prej nesh?
2 Përshëndetini vizitorët me ngrohtësi: Buzëqeshja dhe përshëndetja jonë e ngrohtë do të jenë një dëshmi e mirë. (Gjoni 13:35) Edhe pse s’do të arrini t’u flitni të gjithëve, prapëseprapë mund të prezantoheni me ngrohtësi me ata që keni pranë. (Hebr. 13:1, 2) Jini vigjilentë ndaj vizitorëve që duket se nuk njohin askënd. Ka shumë të ngjarë të kenë marrë një ftesë gjatë fushatës. Mund t’i pyesni: «Është hera e parë që vini?» Ftojini që të ulen pranë jush dhe jepuni përgjigje për çdo pyetje që mund të kenë. Nëse ju duhet të dilni shpejt nga salla për t’ia lënë një kongregacioni tjetër, mund të thoni: «Do të më pëlqente të dija mendimin tuaj për programin. A ka ndonjë mënyrë si mund të takohemi?»
3. Si të tregojmë mikpritje ndaj joaktivëve?
3 Mikpritni joaktivët: Pa dyshim që në Përkujtim do të vijnë edhe lajmëtarë joaktivë, përfshirë edhe ata që ndjekin vetëm Përkujtimin çdo vit. Mikpritini dhe bëjuni të ditur se jeni vërtet të lumtur që i takoni. (Rom. 15:7) Pleqtë mund t’i vizitojnë në shtëpi pak kohë pas Përkujtimit që t’i inkurajojnë të vazhdojnë të shoqërohen me kongregacionin. Lutemi që shumë nga të pranishmit të nxiten t’i japin lavdi Perëndisë jo vetëm falë asaj që dëgjojnë, por edhe asaj që shohin ‘si rrjedhim i veprave tona të shkëlqyera, për të cilat janë dëshmitarë okularë’.—1 Pjet. 2:12.