A mund të merrni pjesë në shërbim të dielave?
1. Çfarë mund të mësojmë nga mënyra si vepruan Pavli dhe shokët e tij kur ishin në Filipi?
1 Ishte sabat, një ditë kur shumica e judenjve në Filipi çlodheshin. Pavli dhe shokët e tij po vizitonin këtë qytet gjatë një prej udhëtimeve të tyre misionare. Askush nuk do t’i kishte kritikuar nëse edhe ata nuk do të kishin dalë në shërbim atë ditë, pasi do të ishte një pushim i merituar. Megjithatë, ata e dinin se judenjtë mblidheshin jashtë qytetit që të luteshin, prandaj e shfrytëzuan këtë mundësi për t’u predikuar. Sa duhet të jenë gëzuar Pavli dhe shokët e tij kur Lidia pranoi të vërtetën dhe e gjithë familja e saj u pagëzua! (Vep. 16:13-15) Meqë sot shumë njerëz pushojnë të dielën, pse të mos përdorim një pjesë të kësaj dite për t’u predikuar atyre?
2. Çfarë vështirësish ka kaluar populli i Jehovait për të predikuar të dielave pa i ngacmuar kush?
2 Beteja për të predikuar të dielën: Gjatë vitit 1927, populli i Jehovait u inkurajua që të kalonte në shërbim disa orë çdo të diel. Kjo shkaktoi një kundërshtim të menjëhershëm. Në Shtetet e Bashkuara, shumë u arrestuan për shkelje të ligjit për pushimin e së dielës, prishje qetësie dhe shitje pa licensë. Por populli i Perëndisë nuk u dorëzua. Në vitet 1930, lajmëtarë nga kongregacionet përreth ose kompanitë, siç quheshin atëherë, bashkoheshin për të mbuluar një zonë. Këto organizime quheshin «fushatat e divizioneve». Në rastet kur disa lajmëtarë arrestoheshin, kishte aq shumë lajmëtarë të tjerë sa autoritetet nuk i ndalonin dot. A i vlerësoni vërtet sakrificat që bënë ata vëllezër për të na dhënë mundësinë të predikojmë të dielave pa na ngacmuar kush?
3. Pse e diela është një ditë e përshtatshme për të dalë në shërbim?
3 Një ditë e shkëlqyer për të predikuar: Shumë njerëz të dielën i gjen në shtëpi ngaqë janë pushim. Zakonisht janë më të çlodhur. Disa që shkojnë rregullisht në kishë, mund të jenë me të prirur të flasin për Perëndinë në këtë ditë. Nëse e kemi mbledhjen të dielën, jemi tashmë të veshur siç do të ishim në shërbim, prandaj pse të mos planifikojmë për të dalë në shërbim para ose pas mbledhjes? Nëse është e nevojshme, përgatitni një vakt të lehtë për ta marrë me vete.
4. Ç’gëzim do të provojmë nëse e kalojmë një pjesë të së dielës në shërbim?
4 Nëse një pjesë të ditës së diel e përdorim për shërbim, prapëseprapë do të kemi kohë për t’u çlodhur aq sa të kemi nevojë. Dhe përveçse të çlodhur, do të jemi edhe të kënaqur sepse kemi marrë pjesë në këtë shërbim të shenjtë. (Prov. 19:23) Madje mund të provojmë edhe gëzim nëse gjejmë ndonjë si Lidia.