Çanta e mjeteve mësimore
1. Në ç’kuptim janë si zanatçinjtë ungjillëzuesit e krishterë?
1 Zanatçinjtë përdorin lloj-lloj mjetesh. Ndonëse, ndonjëherë, për punë specifike u duhen disa vegla, më shpesh përdorin mjetet kryesore. Zanatçinjtë me përvojë i mbajnë gjithmonë mjetet kryesore në çantë dhe dinë t’i përdorin me shumë mjeshtëri. Bibla nxit çdo të krishterë të ushtrohet në shërbim për t’u bërë «një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë». (2 Tim. 2:15) Cili është mjeti më i rëndësishëm që mbajmë në çantë? Fjala e Perëndisë—mjeti kryesor që përdorim ‘për të bërë dishepuj’. (Mat 28:19, 20) Prandaj duhet të përpiqemi fort e të aftësohemi ‘që ta përdorim drejt fjalën e së vërtetës’. Megjithatë, në çantë zakonisht mbajmë edhe mjete të tjera që i përdorim shpesh. Të gjithë të krishterët duhet të mësojnë t’i përdorin me mjeshtëri këto mjete për t’u mësuar njerëzve të vërtetën.—Pro. 22:29.
2. Cilat janë mjetet tona kryesore të mësimdhënies?
2 Mjetet kryesore mësimore: Veç Biblës, ç’mjete të tjera duhet të përdorim? Mjeti parësor për t’u mësuar të tjerëve të vërtetat biblike është Çfarë mëson vërtet Bibla? Pasi mbarojmë studimin e këtij libri, përdorim «Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë» për ta mësuar studentin të zbatojë parimet e Biblës në jetën e përditshme. Prandaj, duhet të aftësohemi në përdorimin e këtyre dy botimeve. Në mjetet e mësimdhënies duhen përfshirë edhe disa broshura. Një nga mjetet kryesore për të filluar studime biblike është Një lajm i mirë nga Perëndia. Nëse në territorin tonë hasim njerëz që kanë vështirësi në lexim ose flasin një gjuhë në të cilën ka pak ose aspak botime, mund të përdorim edhe Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë. Një mjet kryesor mësimor për t’i drejtuar studentët tek organizata është Cilët po e bëjnë vullnetin e Jehovait sot? Edhe videot që na ndihmojnë të bëjmë dishepuj, si: Pse ta studiosh Biblën?, Çfarë ndodh në një Sallë Mbretërie? dhe A ka emër Perëndia? janë mjete që duhet të mësojmë t’i përdorim mirë.
3. Për çfarë do të na ndihmojnë artikujt e ardhshëm të Shërbimi ynë i Mbretërisë?
3 Artikujt e ardhshëm të Shërbimi ynë i Mbretërisë do të na ndihmojnë të aftësohemi në përdorimin e disa botimeve kryesore, që janë pjesë e mjeteve mësimore. Ndërsa bëjmë çmos t’i përdorim këto mjete siç duhet, do të zbatojmë këshillën e frymëzuar: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Ngulmo në këto gjëra, sepse duke e bërë këtë, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.»—1 Tim 4:16.