Burgosen për shkak të besimit—Rusi
Historia e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusinë e kohëve moderne është një histori shtypjeje dhe përndjekjeje. Në pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, autoritetet ruse i kanë sulmuar dhe keqtrajtuar Dëshmitarët, edhe pse ata njihen si nënshtetas paqësorë që i binden ligjit. Qëllimi i qeverisë së Bashkimit Sovjetik ishte t’i detyronte të pranonin ideologjinë sovjetike. Nuk i lejonin të kishin Bibël ose literaturë fetare. Dëshmitarët ishin gjithë kohës nën vëzhgim dhe u duhej t’i mbanin fshehurazi mbledhjet fetare. Nëse i zbulonin, i rrihnin dhe i dënonin me burg për një kohë të gjatë. Qeveria internoi mijëra Dëshmitarë në Siberi.
Kjo situatë nisi të ndryshonte më 1991 kur qeveria ruse i njohu ligjërisht Dëshmitarët e Jehovait dhe njohu të drejtën për të adhuruar lirisht Perëndinë pa ndërhyrjen e autoriteteve. Mirëpo, ajo periudhë paqeje nuk zgjati shumë.
Në vitin 2009, kundërshtimet dhe kufizimet nisën të përshkallëzoheshin kur Gjykata e Lartë Ruse përkrahu vendimin e një gjykate të një shkalle më të ulët, e cila e kishte shpallur «ekstremist» një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Pas shumë betejash ligjore që zgjatën për vite me radhë, në prill 2017 Gjykata e Lartë Ruse vendosi të mbyllte entet ligjore të Dëshmitarëve, me pretendimin se kryenin aktivitete ekstremiste. Menjëherë autoritetet ruse ndërmorën hapa për t’u konfiskuar pronat, për të mbyllur vendet e tyre të adhurimit dhe për t’i shpallur «materiale ekstremiste» botimet e tyre fetare.
Duke mos u mjaftuar me sulmin kundër enteve ligjore të Dëshmitarëve, autoritetet ruse vendosën të vinin në shënjestër edhe individët Dëshmitarë të Jehovait. Duke shkuar përtej vendimit, ata e lidhin adhurimin në mënyrë private të individëve Dëshmitarë me organizatën e ndaluar. Bastisjet e policisë nëpër shtëpitë e Dëshmitarëve, shoqërohen me keqtrajtime fizike dhe marrje në pyetje në mënyrë të ashpër. Autoritetet kanë arrestuar, kanë futur në arrest shtëpie ose në paraburgim, kanë shpallur fajtorë e kanë dënuar me burg shumë Dëshmitarë e Dëshmitare.
Që nga ndalimi në prill të 2017-s, qindra Dëshmitarë janë dënuar nëpër qendra paraburgimi e burgje me akuzën për ekstremizëm. Deri më 17 qershor 2025, gjithsej 160 Dëshmitarë po vuajnë dënimin me burg.
Thirrje kundër keqtrajtimeve që u bëjnë autoritetet ruse Dëshmitarëve të Jehovait
Autoritetet ruse vazhdojnë të shpallin fajtorë Dëshmitarë të Jehovait për veprimtari ekstremiste, pavarësisht nga thirrjet e ndërkombëtarëve që Rusia t’i japë fund përndjekjes mizore. Vëzhgues të mirinformuar dhe gjykata jashtë Rusisë e kanë dënuar qeverinë ruse për përndjekjen e vazhdueshme kundër Dëshmitarëve të Jehovait.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut: Më 7 qershor 2022, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mori një vendim historik kundër Rusisë, duke e dënuar përndjekjen e saj ndaj Dëshmitarëve të Jehovait (OFL-ja e Taganrogut dhe të tjerët kundër Rusisë. nr. 32401/10 dhe 19 të tjera). Gjykata e shpalli të paligjshëm vendimin e Rusisë në vitin 2017 për të ndaluar Dëshmitarët e Jehovait. Ajo e urdhëroi Rusinë «të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që të ndalojë të gjitha ndjekjet penale kundër Dëshmitarëve të Jehovait . . . dhe të lirojë . . . Dëshmitarët e Jehovait [që janë në burg]». Për më tepër Rusia duhet të kthejë të gjitha pronat e konfiskuara ose të paguajë një dëmshpërblim prej më tepër se 60 milionë dollarësh, si edhe t’u paguajë aplikantëve një dëmshpërblim mbi 3 milionë dollarë.
Letër nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës: Në letrën e 9 dhjetorit 2022, drejtuar ministres së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Pejçinoviç-Buriçi, thuhej: «Në çështjet Dëshmitarët e Jehovait në Moskë dhe të tjerë dhe Krupko dhe të tjerë, kur foli për shpërbërjen e komunitetit fetar të aplikuesve, që solli ndalimin e aktiviteteve të tij, shpërndarjen e një mbledhjeje fetare paqësore dhe më pas mohimin e lirisë së disa pjesëmarrësve, Komiteti i nxiti fuqimisht autoritetet të anulonin ndalimin e vendosur për aktivitetet e të gjitha organizatave të Dëshmitarëve të Jehovait dhe të mos i ndjekin më penalisht.»
Vendimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës: Në mbledhjen e zhvilluar në shtator të vitit 2023, Komiteti i Ministrave [CoM] vërejti me «keqardhjen më të madhe se sugjerimet e qarta të [Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut] në përputhje me nenin 46 të Konventës dhe me vendimin në fuqi për çështjen OFL-ja e Taganrogut dhe të tjerët, janë shpërfillur plotësisht dhe me qëllim nga autoritetet ruse, sidomos për sa i përket . . . lirimit të Dëshmitarëve të Jehovait të burgosur». Duke marrë parasysh mosbashkëpunimin e Rusisë, Komiteti i Ministrave «vendosi t’i sillte këto çështje në vëmendje të Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Grupit të Punës për Burgosjen Arbitrare në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe organeve të tjera përkatëse ndërkombëtare që merren me problemin e përndjekjes së Dëshmitarëve të Jehovait në Federatën Ruse, me synimin për të siguruar bashkëpunimin me kërkesat e vendimeve të marra».
Raste të vendimeve të ashpra të marra kohët e fundit
Më 27 mars 2025, Gjykata e Qytetit të Konakovos në Rajonin e Tverit dënoi 4 Dëshmitarë: Oleg Katamovin, Aleksei Kuznecovin, Aleksandër Shçjetininin dhe Aleksandër Starikovin. Për cilin krim? Kanë folur për Biblën me fqinjët e tyre dhe kanë drejtuar mbledhje fetare paqësore. Katër burrat i dënuan me 6 vjet burg secilin dhe i arrestuan menjëherë në sallën e gjyqit.
Më 3 prill 2025, Gjykata Krahinore Sovjetike në Qytetin e Çeljabinskut shpalli fajtor vëllain Maksim Hamatshin dhe e dënoi me 6 vjet burg. Maksimin e akuzuan për drejtim të mbledhjeve fetare dhe e arrestuan menjëherë në sallën e gjyqit.
Më 30 maj 2025, Gjykata Krahinore e Leninskit në Tambov dënoi 60-vjeçarin Oleg Sirotkin me 6 vjet në një kamp pune. Olegu është i martuar me Natalinë dhe ka 2 vajza. Peripecitë e tij nisën në shtator të 2021-shit, kur forcat e rendit i kontrolluan shtëpinë në Tambov. Olegun e akuzuan për organizim dhe pjesëmarrje në mbledhjet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait, që autoritetet i konsiderojnë si aktivitete të një organizate ekstremiste. Atë e arrestuan menjëherë në sallën e gjyqit.
Vazhdojnë përpjekjet për t’u dhënë fund burgosjeve të padrejta
Dëshmitarët e Jehovait anekënd botës janë thellësisht të shqetësuar që Rusia po keqtrajton ashpër bashkëbesimtarët e tyre. Miliona Dëshmitarë nga e gjithë bota u kanë dërguar letra zyrtarëve të qeverisë ruse për Dëshmitarët e burgosur. Avokatët e Dëshmitarëve të burgosur kanë apeluar në çdo shkallë të gjykatave ruse dhe kanë paraqitur sa e sa kërkesa pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu, Dëshmitarët e Jehovait kanë paraqitur ankesa edhe pranë Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, pranë Grupit të Punës të OKB-së kundër Burgosjes Arbitrare dhe kanë dorëzuar raporte pranë organizatave ndërkombëtare që monitorojnë rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Dëshmitarët e Jehovait do të përdorin çdo mënyrë për të informuar vazhdimisht opinionin publik për vuajtjet që po heqin bashkëbesimtarët e tyre në Rusi, që t’i japin fund kësaj përndjekjeje të rëndë fetare.
Tabelë kronologjike
17 qershor 2025
Janë të burgosur gjithsej 160 Dëshmitarë.
6 mars 2025
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) publikoi një vendim për çështjen Loginov dhe të tjerë kundër Rusisë, dhe arriti në përfundimin se Rusia ka shkelur të drejtat e 9 burrave Dëshmitarë, të cilët i arrestuan padrejtësisht (7 prej tyre i torturuan) pasi u bastisën shtëpitë në Surgut, më 15 shkurt 2019.
24 tetor 2023
Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (CCPR) publikoi 2 Raporte për Organizatat Fetare Lokale në Elistë dhe Abinsk. Në të dyja rastet, CCPR-ja arriti në përfundimin se Rusia ka shkelur të drejtat e Dëshmitarëve sipas neneve 18.1 («e drejta e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë») dhe 22.1 («e drejta e lirisë së shoqërimit») të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Këto vendime konfirmojnë se në botimet e tyre fetare nuk kanë asnjë përmbajtje që nxit urrejtje dhe dhunë.
7 qershor 2022
GJEDNJ-ja merr një vendim historik, OFL-ja e Taganrogut dhe të tjerët kundër Rusisë, dhe dënon Rusinë për keqtrajtimin e Dëshmitarëve të Jehovait.
12 janar 2022
Ministria e Drejtësisë e Federatës Ruse e futi aplikacionin JW Library në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste. Ky është aplikacioni i parë dhe i vetëm i ndaluar si ekstremist në Rusi.
27 shtator 2021
Gjykata e Qytetit të Shën-Pjetërburgut hodhi poshtë apelimin për vendimin e 31 marsit 2021, që e deklaroi ekstremist aplikacionin JW Library dhe ndaloi përdorimin e tij në të gjithë Federatën Ruse dhe në Krime. Vendimi fillestar i gjykatës hyri menjëherë në fuqi.
26 prill 2019
Grupi i Punës për Burgosjen Arbitrare të OKB-s deklaron se të drejtat e Dimitri Mihajlovit janë shkelur dhe se Rusia po përndjek padrejtësisht Dëshmitarët e Jehovait.
20 prill 2017
Gjykata e lartë e Federatës Ruse vendosi të mbyllte zyrën kombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait dhe 395 organizatat fetare të saj në vend.