Kush mund të sjellë paqe të qëndrueshme?
«Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre, duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.»
VARGU i mësipërm është marrë nga kapitulli i 2-të i Isaisë, vargu 4, nga Bibla, Diodati i Ri, Përkthimi 1991-94. Një raport (Human Development Report 1994) i botuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (UNDP), citonte këto fjalë e më pas shtonte: «Dukej se koha për këtë profeci kishte ardhur me përfundimin e luftës së ftohtë [në 1990-n]. Por deri tani, është treguar se kjo shpresë është e paarritshme.»
Zvogëlimi i ushtrisë
Një faktor që venit shpresat për paqe, është se ndryshimi i klimës politike ndërkombëtare nuk u shoqërua me pakësimin në përmasa të mëdha të shpenzimeve ushtarake. Ç’është e vërteta, ka pasur disa shkurtime. Sipas shifrave të OKB-së, harxhimet e përgjithshme ushtarake kanë rënë nga maksimumi prej 995 miliardë dollarësh në 1987-n në 815 miliardë dollarë në 1992-shin. Prapëseprapë, 815 miliardë dollarë është një shifër shumë e madhe. Është afërsisht e barabartë me të gjitha të ardhurat e gjysmës së popullsisë së botës të marra së bashku.
Një faktor tjetër që vepron kundër çarmatimit është pikëpamja se forcat ushtarake sjellin siguri. Prandaj, edhe pse Lufta e Ftohtë përfundoi, shumë njerëz në kombet e industrializuara argumentojnë se shpenzimet për mbrojtjen kombëtare duhet të mbeten në nivele të larta. Xhejms Ulsi, kur ishte drejtor i CIA-s, i tha Kongresit në shkurt 1993: «Kemi vrarë një kuçedër të madhe [BRSS-në], por tani jetojmë në një xhungël të mbushur me një shumëllojshmëri trullosëse gjarpërinjsh helmues.»
Në vendet në zhvillim, harxhimet e larta ushtarake justifikohen edhe si mjet për të sprapsur ndonjë sulm nga vendet që nuhaten si kuçedra të mundshme dhe si gjarpërinj helmues. Por në të vërtetë, UNDP-ja vërente se «vendet e zhvilluara kanë bërë pak luftëra ndërkombëtare dhe shumë prej tyre i kanë përdorur forcat e tyre të armatosura për të shtypur popullin». Në fakt, raporti i UNDP-së shpjegonte: «Në vendet e zhvilluara, shanset e vdekjes nga shkujdesja shoqërore (të ushqyerit e keq dhe sëmundjet e parandalueshme) janë 33 herë më të mëdha se shanset e vdekjes në luftë nga agresioni i jashtëm. Megjithatë, për çdo mjek ka një mesatare prej 20 ushtarësh. Në një mënyrë apo në një tjetër, mundësitë janë më të shumta që ushtarët ta pakësojnë sigurinë personale, sesa ta rrisin atë.»
Tregu ndërkombëtar i armëve
Gjatë Luftës së Ftohtë, dy superfuqitë shitën armë tek aleatët, me qëllim që të çimentonin aleancat, të fitonin baza ushtarake dhe të mbanin pushtetin. Ushtritë e shumë kombeve u fuqizuan shumë. Aktualisht, për shembull, 33 vende zotërojnë më shumë se 1.000 tanke lufte secila.
Tani që Lufta e Ftohtë mbaroi, përligjja politike dhe strategjike për shitjen e armëve është zvogëluar. Megjithatë, stimujt ekonomikë mbeten të fuqishëm. Është një mundësi për të bërë para. Prandaj, ndërkohë që kërkesa e brendshme për armë zvogëlohet, prodhuesit e armëve i bindin qeveritë e tyre se mënyra për të ruajtur vendet e punës dhe për ta mbajtur ekonominë të shëndetshme, është shitja e armëve jashtë vendit.
Një revistë komenton: «Është paradoksale, por nga njëra anë superfuqitë po i tërheqin raketat e tyre të mëdha bërthamore, ndërsa nga ana tjetër kërkojnë me urgjencë mënyra për të shitur sa më shumë nga bombat dhe armët e tyre konvencionale, gati cilitdo që do t’i blente.» (World Watch) Cila është vlera në shifra? Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkimin e Paqes në Stokholm, vlera e armëve konvencionale të shitura në tregun ndërkombëtar, nga viti 1988 deri në vitin 1992, ishte 151 miliardë dollarë. Eksportuesi më i madh ishin Shtetet e Bashkuara, të ndjekura nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Kërcënimi bërthamor mbetet akoma
Po për kërcënimin bërthamor, ç’mund të themi? Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik (ose shtetet që dolën prej tij) nënshkruan Traktatin e Armëve Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi në 1987-n dhe dy traktatet START (Traktati i Zvogëlimit të Armëve Strategjike) në vitet 1991 dhe 1993.
Traktatet START ndalonin raketat me bazë tokësore, që kanë më shumë se një mbushje bërthamore dhe kërkonin eliminimin e gati tre të katërtave të mbushjeve bërthamore në të gjithë mekanizmat që mbajnë mbushje bërthamore, duke filluar nga viti 2003. Por, ndërsa kërcënimi i një Lufte III Botërore bërthamore është zbehur, mbeten akoma arsenale shumë të mëdha armësh bërthamore, të mjaftueshme për të shkatërruar disa herë me radhë gjithë jetën mbi tokë.
Çmontimi i këtyre armëve rrit mundësitë për vjedhje bërthamore. Rusia, për shembull, po zbërthen dhe po vë mënjanë rreth 2.000 mbushje bërthamore në vit, duke përftuar prej tyre sfera plutoni me përmasat e grushtit, të quajtura pits («bërthamëza»). Kjo sferë me mbushje bërthamore, prodhimi i së cilës kërkon shpenzime të mëdha dhe teknologji të lartë, është përbërësi kryesor i një bombe bërthamore. Përderisa zakonisht bërthamëzat paketohen me një shtresë çeliku që bllokon radioaktivitetin, nuk përjashtohet mundësia që një hajdut të marrë një të tillë në xhep. Një terrorist që blen një bërthamëz të gatshme, mund ta veshë me detonator, për të ndërtuar një bombë tmerrësisht të fuqishme.
Një shqetësim tjetër është kërcënimi i përhapjes së armëve bërthamore në gjithnjë e më shumë vende. Pesë kombe pranohen si fuqi bërthamore: Kina, Franca, Rusia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa disa vende të tjera mendohet se kanë aftësinë për t’i prodhuar armët bërthamore me shpejtësi.
Ndërkohë që kombe gjithnjë e në rritje shtien në dorë armë bërthamore, mundësia që ndokush t’i përdorë ato rritet. Njerëzit kanë arsye të forta për t’iu frikësuar këtyre armëve të llahtarshme. Ashtu siç shprehet një libër, «fuqia e tyre është kaq e pafund, sa i bën armët konvencionale të duken si një shaka e papërfillshme».—The Transformation of War.
Çarmatimi dhe paqja
Por, çfarë do të ndodhë, nëse kombet i heqin armët e tyre të sofistikuara shkatërruese? A do të garantonte kjo një botë paqësore? Në asnjë mënyrë. Historiani ushtarak, Xhon Kigën, vëren: «Që nga 9 gushti i 1945-s, asnjë person nuk është vrarë nga armët bërthamore. 50.000.000 njerëzit që vdiqën në luftë që nga ajo datë, në pjesën më të madhe janë vrarë nga armë jo të shtrenjta të prodhuara në masë dhe me municion të kalibrit të vogël, që kushtojnë pak më shumë se një tranzistor radioje apo sa bateritë e pakarikueshme, të cilat kanë vërshuar në botë në të njëjtën kohë.»
Një shembull i kohëve të fundit mbi përdorimin e armëve pa teknologji të lartë është masakra në Ruanda, një vend për të cilin një enciklopedi e vitit 1994, thotë: «Shumica e njerëzve bëjnë pjesë në Kishën Katolike të Romës. . . . Shumica e shkollave 8-vjeçare dhe të mesme drejtohen nga kishat katolike dhe kisha të tjera të krishtere.» (The World Book Encyclopedia) Megjithatë, rreth gjysmë milion njerëz në Ruanda, u vranë nga persona të armatosur me kosë. Është e qartë se për të sjellë paqen në botë, nevojitet diçka më shumë se pakësimi i armëve konvencionale dhe i atyre bërthamore. Përveç kësaj, nevojitet diçka më shumë sesa mësimet që japin fetë e botës.
Rritja e rivalitetit etnik
Sadako Ogata, përfaqësuese e lartë e OKB-së për refugjatët, kohët e fundit deklaroi: «Menduam se menjëherë pas Luftës së Ftohtë do të zgjidheshin të gjitha problemet. Nuk e kuptuam se Lufta e Ftohtë kishte një tjetër aspekt të saj: atë që superfuqitë siguruan rregull ose imponuan rregull në zonat e tyre përkatëse të ndikimit. . . . Tani, pra, pas Luftës së Ftohtë, po shohim shpërthimin e shumë më tepër llojeve të konflikteve etnike tradicionale e të fjetura, ndoshta qysh para Luftës I Botërore.»
Artur Shlesinger, një historian dhe shkrimtar, fitues i çmimit Pulitcer, bën një referim të ngjashëm: «Një grumbull urrejtjeje zëvendëson një tjetër. Heqja e shtrëngimit të hekurt të shtypjes ideologjike në Evropën Lindore dhe në ish-Bashkimin Sovjetik, nxori në pah antagonizmat etnike, nacionaliste, fetare dhe gjuhësore, njëherë e një kohë të ndrydhura, të cilat ishin të rrënjosura thellë në histori dhe në kujtesë. . . . Nëse shekulli i 20-të ka qenë shekulli i luftës mes ideologjive, shekulli i 21-të fillon si shekulli i luftës etnike.»
Nga 1989-a deri në 1992-shin, sipas një përllogaritjeje të Kombeve të Bashkuara, ka pasur 82 konflikte të armatosura, shumica e të cilave u zhvilluan brenda vendeve në zhvillim. Gjatë 1993-shit, 42 vende kishin konflikte të mëdha dhe 37 vende të tjera përjetuan dhunën politike. Në të njëjtën kohë, Kombet e Bashkuara, me buxhetin e tyre të shtrënguar deri në fyt, luftuan pa shumë sukses për të sjellë paqen përmes vetëm 17 operacioneve. Duket qartë se njerëzimi duhet ta kërkojë gjetkë botën paqësore.
Probleme që janë në rrugë e sipër
Gjithnjë e më tepër, në vend që ta shohin të ardhmen me optimizëm, shumë persona shprehin parandjenja. Kapaku i një botimi të përmuajshëm për muajin shkurt 1994, përmbledh një parashikim për dekadat e ardhshme: «Kombet copëtohen nën vërshimet e herëpashershme të refugjatëve nga shkatërrimet e mjedisit dhe ato shoqërore. . . . Luftërat janë bërë mbi burime të pamjaftueshme, veçanërisht në ujë dhe bëhen të pandërprera me krime, ndërsa bandat e armatosura të grabitësve pa kombësi ndeshen me forcat e sigurimit privat të elitës.»—The Atlantic Monthly.
A do të thotë kjo se paqja e qëndrueshme është e paarritshme? Jo, aspak. Artikulli vijues tregon arsyet se përse mund ta shikojmë të ardhmen me besim.
[Kutia në faqen 5]
Feja: Një forcë për paqen?
Kur kombet shkojnë të luftojnë, fetë e botës i braktisin mësimet e paqes dhe të vëllazërisë. Për sa i përket situatës gjatë Luftës I Botërore, komandanti i përgjithshëm i brigadës britanike, Frank P. Krozhër, tha: «Kishat e krishtere janë përkrahëset më kryesore të dëshirës së ethshme për gjakderdhje dhe ne i përdorim ato me shumicë.»
Roli i fesë në luftë ka qenë i njëjti gjatë gjithë epokave. Historiani katolik, E. I. Uatkin, pranoi: «Megjithëse duhet të jetë e dhimbshme të pranohet, ne katolikët nuk mund të mohojmë apo të shpërfillim faktin historik se peshkopët kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme në të gjitha luftërat e bëra nga qeveritë e vendit të tyre, vetëm për hir të ndriçimit të rremë dhe besnikërisë së pandershme.» Ndërsa një botim i një gazete (Sun) të Vankuverit, Kanada, vërente: «Është dobësi ndoshta e të gjithë fesë së organizuar, që kisha ndjek flamurin . . . Në cilën luftë nuk është thënë se Perëndia ka qenë në anën e secilës palë?»
Është e qartë se në vend që të jenë një forcë për paqen, fetë e botës kanë përkrahur luftërat dhe vrasjet, siç u ilustrua fuqishëm nga masakra në Ruanda.
[Kutia në faqen 6]
Kotësia e luftës
Në një libër të tij, të botuar në 1936-n, korrespondenti i jashtëm, Ueb Miller, shkroi: «Çuditërisht, tmerri kataklizmik [i Luftës I Botërore] nuk më la ndonjë mbresë të fortë, me gjithë turpin dhe kotësinë e saj të patregueshme, saktësisht deri tetë vjet pasi kishte mbaruar.» (I Found No Peace) Në këtë rast, ai vizitoi fushëbetejën e Verdunit, ku pohonte se kishin vdekur 1.050.000 njerëz.
«Në luftë, unë bashkë me miliona të tjerë ishim mashtruar,—shkroi Miller.—Lufta Botërore pati sukses vetëm në shtimin e luftërave të reja. Tetë milionë e gjysmë burra vdiqën kot, dhjetëra milionë njerëz duruan tmerre të patregueshme, qindra milionë vuajtën hidhërimin, humbjen dhe palumturinë. Dhe gjithë kjo ka ndodhur nën një mashtrim të madh.»
Tre vjet pas botimit të këtij libri, filloi Lufta II Botërore. The Washington Post vërente: «Luftërat e këtij shekulli të 20-të kanë qenë ‘luftëra totale’ kundër ndërluftuesve dhe civilëve bashkë. . . . Në krahasim me to, luftërat barbare të shekujve të kaluar kanë qenë beteja të papërfillshme.» Sipas një vlerësimi të bërë nga një autoritet, që nga viti 1914, kanë vdekur 197 milionë njerëz nëpër luftëra dhe kryengritje civile.
Prapëseprapë, të gjitha luftërat dhe kryengritjet e njerëzve nuk kanë sjellë paqe dhe lumturi. The Washington Post thoshte: «Asnjë sistem politik ose ekonomik nuk ka qetësuar dhe nuk ka kënaqur deri në këtë shekull, miliona njerëz që s’gjejnë prehje.»
[Figura në faqen 7]
Kjo nënë është një prej atyre qindra mijëra njerëzve të therur në Ruanda, ku shumë prej të cilëve janë vrarë nga persona të së njëjtës fe
[Burimi]
Albert Facelly/Sipa Press