Vullkanet: A janë një rrezik për ju?
VULLKANET shpërthyese që nxjerrin hi të zjarrtë dhe rrjedha llave inkandeshente, përbëjnë disa nga shfaqjet më spektakulare të energjisë natyrore të tokës. Ndoshta vetë nuk keni asistuar personalisht në ndonjërën prej këtyre shfaqjeve, por mund të keni pasur kënaqësinë të bëni banja në burime vullkanike me ujë të nxehtë apo të shijoni prodhime të kultivuara në toka pjellore të përbëra nga hiri vullkanik. Disa madje përfitojnë nga energjia gjeotermike në shtëpitë e tyre.
Por kohët e fundit, shumë nga ata që jetonin pranë vullkaneve aktive, kanë qenë dëshmitarë të vdekjeve dhe shkatërrimeve të shkaktuara nga katastrofat vullkanike. Që nga shpërthimi i fuqishëm i Malit Shën Helena në jugperëndim të Uashingtonit, SHBA, më 18 maj 1980, pjesë të ndryshme të botës iu nënshtruan siç duket një zjarri të vazhdueshëm shpërthimesh vullkanike vdekjeprurëse. Jetët e humbura gjatë kësaj periudhe kohore, e kanë kapërcyer shumën e përgjithshme të regjistruar për shtatë dekadat e mëparshme dhe dëmet në prona arritën në qindra milionë dollarë. Kanë ndodhur pothuaj shkatërrime, kur hiri vullkanik i ngritur në ajër i bëri aeroplanët të humbnin fuqi, duke i detyruar të bënin ulje urgjente.
Më shkatërrimtare kanë qenë shpërthimet dhe rrjedhat e mëvonshme të baltës nga shpërthimi i Malit Pinatubo, në Filipine, i cili sheshoi përtokë dhjetëra mijëra shtëpi dhe i Malit Nevado del Ruiz, në Kolumbi, i cili u mori jetën më shumë se 22.000 njerëzve. Shkatërrime të tjera mund të ndodhin akoma. Ekspertët vullkanologë, Robert Tilling dhe Piter Lipman, nga një qendër kërkimesh gjeologjike (U.S. Geological Survey), deklarojnë se «deri në vitin 2000, ka mundësi që popullsia që rrezikohet nga rreziqet vullkanike të rritet të paktën në 500 milionë».
Prandaj, do të ishte e mençur të pyesnit: «A jetoj pranë një vullkani aktiv apo mundësisht aktiv? Cilat lloj shpërthimesh janë më të rrezikshme dhe a mund të shkaktojnë shpërthime të tjera edhe më rrënuese? Çfarë mund të bëj për të minimizuar rrezikun, nëse jetoj në një zonë të rrezikshme vullkanike?»
Ku ndodhen vullkanet aktive?
Ndoshta do të mbeteshit të çuditur, po të mësonit se jetoni pranë një vullkani të fjetur dhe se në mënyrë të pashmangshme do të prekeshit, nëse një ditë do të ndodhte që ai të kthehej përsëri në një vullkan aktiv. Shkencëtarët që studiojnë vullkanet (të njohur si vullkanologë), kanë arritur gjatë dekadave të fundit, jo vetëm të identifikojnë vullkanet aktive dhe të fjetura, por edhe të kuptojnë përse vullkanet priren të shpërthejnë në disa zona.
Hidhini një sy hartës (faqe 13), e cila tregon vendndodhjen e disa prej më shumë se 500 vullkaneve, që janë regjistruar si aktive. A jetoni pranë ndonjërit? Gjetkë, gejzerët, fumarolët dhe burimet termike tregojnë praninë e disa vullkaneve të tjera të fjetura; edhe për këta është i mundur një aktivitet i ardhshëm. Më shumë se gjysma e vullkaneve aktive gjenden përgjatë kufijve të Paqësorit, duke formuar të ashtuquajturën «unaza e zjarrtë». Disa prej këtyre vullkaneve ndodhen në kontinente, si p.sh., Malet Kaskade në Amerikën Veriore dhe Andet në Amerikën Jugore, ndërsa të tjerë formojnë vargje ishujsh në oqean, si Ishujt Aleutian, Japonia, Filipinet dhe Indonezia Jugore. Vullkanet janë të zakonshëm edhe në zonën mesdhetare.
Shkencëtarët kanë përcaktuar se këto vullkane formohen përgjatë kufijve të pllakave të mëdha lëvizëse të kores së tokës apo të rrasave, veçanërisht aty ku një pjesë oqean zhytet nën pllakën kontinentale. Ky proces quhet subducion. Nxehtësia e çliruar nga ky proces prodhon magmën (material shkëmbor i shkrirë), e cila ngrihet në sipërfaqe. Përveç kësaj, lëvizjet e befasishme ndërmjet pllakave shkaktojnë tërmete të fuqishme në shumë nga po ato zona që përjetojnë shpërthime vullkanike.
Vullkanet mund të formohen, gjithashtu, aty ku largohen pllakat oqeanike. Shumë prej këtyre shpërthimeve ndodhin në fund të detit dhe janë të padukshme për njerëzit. Megjithatë, sikur të jetonit në vendin ishullor të Islandës, do të ishit mbi vargmalin Reikjanes, i cili lidhet me vargmalin e Atlantikut qendror, ku pllakat që përfshijnë Amerikën Jugore dhe Veriore largohen nga ato që përfshijnë Evropën dhe Afrikën. Në ndonjë rast tjetër, pikat e nxehta të izoluara poshtë pllakave tektonike kanë krijuar vullkane të mëdhenj në Havai dhe në kontinentin afrikan.
Cilat janë rreziqet?
Niveli i rrezikshmërisë që paraqet një vullkan varet nga aktiviteti i tij i fundit, duke përfshirë madhësinë e shpërthimeve vullkanike dhe rreziqet që lidhen me të. Rreziku vlerësohet në proporcion me dendësinë e popullsisë që jeton në një zonë të rrezikshme dhe me parapërgatitjen e saj. Së pari, le të shqyrtojmë rreziqet.
Kryesisht, shpërthimet plasëse më të rrezikshme bëhen nga magma e pasur në silikat. Kjo lloj magme ka dendësi të madhe dhe mund ta bllokojë përkohësisht vullkanin, derisa gazrat e akumuluar të krijojnë një presion të mjaftueshëm për shkaktimin e shpërthimit. Magma e pasur në silikat ngurtësohet në shkëmbinj me ngjyrë të hapur dhe është e zakonshme për vullkanet që ndodhen përgjatë kufijve të pllakave. Shpërthimet mund të ndodhin edhe kur magma që ngrihet, ndeshet me ujin dhe çliron avuj. Hiri i zjarrtë i prodhuar nga shpërthimet plasëse, mund të jetë vdekjeprurës. Tri vullkane, në zonën e Karaibeve në Amerikën Qendrore, vranë më shumë se 36.000 njerëz në një periudhë gjashtë mujore, në vitin 1902.
Nga ana tjetër, vullkanet që formohen nga pikat e nxehta dhe nga largimi i dy apo më shumë pllakave, përbëhen në një masë të madhe nga bazalt i errët, i cili ka përqindje të vogël silikati dhe është i pasur në hekur dhe magnez. Magma e përbërë nga bazalti është e rrjedhshme dhe zakonisht prodhon shpërthime pak ose aspak plasëse dhe rrjedha të ngadalshme llave, që janë relativisht të lehta për t’u shmangur. Megjithatë, këto shpërthime mund të zgjasin shumë. Vullkani Kilaua, në ishujt Havai, ka shpërthyer pareshtur, që nga janari i 1983-shit. Megjithëse prej këtyre shpërthimeve kanë rezultuar dëme të mëdha në prona, ato rrallëherë kanë çuar në plagosje dhe vdekje.
Disa shpërthime depozitojnë sasira të mëdha hiri të çliruar në një anë të vullkanit, gjë që mund të çojë në rrëshqitje të tokës ose kur përzihen me një sasi të madhe bore, akulli apo uji, mund të formojnë një llum të dendur, që mund të përmbysë me shpejtësi luginat. Këto derdhje balte (të njohura, gjithashtu, si lahar, nga termi indonezian për llavën) mund të përshkojnë shumë kilometra larg nga vullkanet, ndoshta edhe kur shpërthimet kanë mbaruar që prej kohësh.
Me pasoja veçanërisht të shumta, por historikisht të rralla, janë tsunamiset, dallgë gjigante oqeani që prodhohen nga një shpërthim në oqean apo nga një rrëshqitje toke nënujore, përgjatë anës së një vullkani që po mufatet. Këto valë të fuqishme mund të zhvendosen me një shpejtësi rreth qindra kilometra në orë. Megjithëse tsunamiset janë shumë të lehta në det të hapur, duke mos krijuar asnjë rrezik për anijet që kalojnë, ato e rrisin me shpejtësi lartësinë në afërsi të tokës. Këto valë e kalojnë lartësinë e çative të shtëpive dhe të shumë ndërtesave. Në 1883-shin, kur shpërtheu Krakatau, 36.000 vetë humbën jetën nga tsunamiset që u përplasën në bregdetin e Javës dhe të Sumatrës.
Rreziqe të tjera vullkanike që mund të dëmtojnë apo të shkaktojnë vdekjen, përfshijnë rënien e hirit vullkanik dhe të fragmenteve, rrymat atmosferike të ajrit që formohen si rezultat i shpërthimeve plasëse, tymrat helmues, shiun acid dhe tërmetet. Identifikimi i dhjetëra vullkaneve rreth botës, që përbëjnë rrezikshmëri të lartë, rreziqet e panumërta të mundshme dhe vlerësimi serioz i rreziqeve vullkanike është me të vërtetë një detyrë e koklavitur dhe sfiduese.
A mund ta zvogëloni rrezikun?
Me rritjen e popullsisë në botë, gjithnjë e më shumë njerëz jetojnë në zona vullkanike me rrezikshmëri të mundshme. Për këtë arsye, si dhe për rritjen e aktivitetit vullkanik kohët e fundit në të gjithë botën, vullkanologët i kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për të zbutur rrezikun vullkanik. Në disa raste, parathëniet dhe parashikimet e shpërthimeve kanë pasur sukses dhe është shpëtuar jeta. Mbi ç’bazë bëhen këto parashikime?
Zakonisht shpërthimeve u paraprijnë tërmete brenda vullkanit apo në strukturat brenda dhe poshtë vullkanit, ku lëviz materiali i shkrirë, gjë që sinjalizon se magma po zhvendoset lart. Ndërsa magma akumulohet në majë të vullkanit, presioni rritet. Çlirohen gazra dhe uji i nëndheshëm mund të rrisë temperaturën dhe aciditetin. Përveç kësaj, përpara shpërthimit të madh, mund të ndodhin shpërthime të vogla. Të gjitha këto aktivitete mund të kontrollohen.
Shumë kohë para shpërthimit, gjeologët mund të kenë një ide të rreziqeve të mundshme, duke analizuar formacionet shkëmbore. Shpeshherë, karakteristikat e rrjedhjeve vullkanike dhe të rreziqeve dytësore përsëriten ose shpërthimet janë të ngjashme me ato të vullkaneve të tjera tashmë të studiuar. Në bazë të këtyre të dhënave, për shumë vullkane janë përpunuar harta, që tregojnë zonat me rrezikshmëri më të madhe.
Prandaj, çelësi për të shpëtuar jetën nga rreziqet vullkanike përfshin vlerësimin e rrezikshmërisë dhe kontrollimin e vullkaneve nga vullkanologët, si dhe paralajmërimin që më përpara për një katastrofë kanosëse nga autoritetet lokale. Ndryshe nga tërmetet, të cilët në një masë të madhe janë akoma të paparashikueshëm, shumë shpërthime vullkanesh mund të kontrollohen me një saktësi të mjaftueshme për të shpërngulur popullsinë në rrezik para një katastrofe. Largimi nga zona e rrezikut është vendimtar, pasi strukturat e bëra nga njeriu zakonisht ofrojnë pak ose aspak mbrojtje kundër furisë dhe nxehtësisë së rrjedhjeve e të shpërthimeve vullkanike dhe të forcave shkatërruese të rrëshqitjeve të tokës, të rrjedhjeve të baltës dhe të tsunamiseve.
Edhe pse janë bërë përpjekje të lavdërueshme për të pakësuar vdekshmërinë, plagosjet dhe shkatërrimet e shkaktuara nga shpërthimet vullkanike dhe pasojat e tyre, njeriu mbetet i paaftë për të parashikuar me saktësi të plotë shpërthimet dhe aktivitetin katastrofik që lidhet me to, për të garantuar siguri të plotë nga rreziqet vullkanike. Edhe disa nga ata që kontrollojnë vullkanet janë gjetur të vdekur, për shkak se janë zënë në kurth nga një shpërthim i papritur. Sidoqoftë, nëse jetoni pranë një vullkani të mundshëm aktiv, duhet t’i vini veshin çdo paralajmërimi të bërë nga autoritetet lokale. Duke vepruar kështu, do të rrisni në një masë të madhe shanset për të mbijetuar nga një shkatërrim vullkanik.—Nga një astrogjeolog.
[Kutia në faqen 14]
Parashikime të shpërthimeve vullkanike nga hapësira?
Përfytyroni matjen e lëvizjeve të jashtme të vullkaneve me një saktësi prej 1 cm nga satelitët, në një largësi 20.000 km mbi lartësinë e tokës, të cilët përshkojnë jo më pak se 5 km në sekondë! Kjo gjë është bërë e mundur nga Sistemi i Vendosjes Globale (GPS), i cili konsiston në një sërë satelitësh, të cilët u shtohen radiomarrëseve të vendosura në mënyrë strategjike mbi tokë. Për çdo matje, zbulohen me saktësi pozicionet e të paktën katër satelitëve. Koha matet me sahatë atomikë, të cilët janë jashtëzakonisht të saktë. Këto matje, të mundshme gati në çdo gjendje meteorologjike, kanë disa përparësi në lidhje me metodat kërkimore nga toka. Zbulimet GPS mund të përmirësojnë dukshëm parashikimin e shpërthimeve vullkanike, të cilat mund të paraprihen nga vite përhapjeje të vullkanit. Kjo teknologji është zbatuar tashmë për vullkanet në Islandë, Itali, Japoni dhe Shtetet e Bashkuara.
[Harta në faqen 13]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Vullkanet aktive dhe pllakat tektonike në botë
Vullkane aktive
Kufijtë e pllakave
Më sipër janë paraqitur disa nga më shumë se 500 vullkanet aktive
[Burimi]
Mountain High Maps™ copyright © 1993 Digital Wisdom, Inc.
[Figura në faqen 12]
Hi nga vullkani Unzen, Japoni, duke zbritur në një zonë të banuar
[Burimi]
Orion Press-Sipa Press
[Figura në faqen 12]
Shpërthimi i Malit Shën Helena, 22 korrik 1980
[Burimi]
USGS, David A. Johnston, Cascades Volcano Observatory
[Figura në faqen 12]
Mali Etna, Sicili, kohët e fundit nxorri llavë për 15 muaj
[Burimi]
Jacques Durieux/Sipa Press
[Figura në faqen 13]
Mali Kilaua, Havai, i ka shtuar ishullit rreth 200 ha sipërfaqe
[Burimi]
©Soames Summerhays/Photo Researchers