Një vështrim rreth botës
«Të jetosh në mëkat» nuk është mëkat?
Gazeta Guardian Weekly thoshte se Bordi i Përgjegjësive Shoqërore i Kishës Anglikane lajmëroi kohët e fundit kishën se «të jetosh në mëkat» nuk është më diçka mëkatare. Sipas raportit, bordi lajmëroi, gjithashtu, kishën se «kongregacionet mund të nxjerrin mësim prej çifteve të pamartuara, duke përfshirë edhe çiftet gay dhe lesbiket dhe duhet t’i rezistojnë tundimit për të kthyer mendjen prapa në ‘epokën e artë të familjes’. Guardian citonte klerikun Philip Hacking që përgjigjej: «Ky qëndrim e bën kishën gazin e botës dhe shkakton pështjellim të madh mes shumë të krishterëve besimtarë.»
Po humbin aftësinë për të lexuar e për të shkruar
Pothuajse tre milionë persona në Gjermani kanë humbur aftësinë për të lexuar e për të shkruar mirë, për shkak të mungesës së praktikës. Johannes Ring, sekretar i Fondacionit të Leximit, shpjegonte se përparimi i bërë nga media elektronike po e acaron problemin. Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung raporton se në Konferencën Botërore për Luftën kundër Analfabetizmit, Ring pohoi se shtimi i këtij lloj analfabetizmi vjen pjesërisht nga përdorimi i gjerë i televizorit, kompjuterëve dhe i video game.
Pini ujë për të menduar
A keni probleme me përqendrimin? Ndoshta duhet të pini më shumë ujë,—sugjeron Asiaweek. Revista raporton se mësuesit dhe prindërit në disa shkolla fëmijësh në Hong Kong, janë këshilluar kohët e fundit se duke pirë më shumë ujë, nxënësit do të jenë të ndihmuar për të luftuar plogështinë. Prindërve iu tha se fëmijët duhet të pijnë 8 deri 15 gota me ujë në ditë. Duke cituar librin The Learning Brain, raporti i revistës theksonte disa studime që tregonin se mungesa e ujit mund të sjellë aftësi të pakta për të mësuar. Të pish ujë të kulluar e të pastër, është më mirë se të pish pije freskuese, kafe, çaj, apo edhe lëngje frutash, të cilat në fakt nxitin trupin që të nxjerrë lëngjet, pohon Asiaweek.
Paralajmërim për pesticidet
Amerikanët vuajnë nga ekspozimi më i madh ndaj pesticideve nëpërmjet prodhimeve shtëpiake, sesa nëpërmjet frutave dhe vegjetacionit të spërkatur, sipas kërkuesve të Universitetit të Kalifornisë në Barklei. Spray kundër buburrecave, letrat me ngjitëse të varura për kapjen e mizave, tymërat kundër pleshtave, topthat kundër molave dhe produkte të tjera të ngjashme përmbajnë lëndë kimike toksiske. Përveçse shkaktojnë mijëra helmime në vit, shumë prej tyre paraqesin rreziqe afatgjata për shëndetin. UC Berkeley Wellness Letter rekomandonte alternativa për shpëtim: rregulloni apo vendosni rrjetat prej teli dhe zini të çarat në dysheme a në mure, për të mbajtur jashtë insektet; mbuloni ushqimet dhe plehrat me qese plastike; përdorni vrasëset e mizave; fshini thërrimet; pastroni qilimat me avull; pastroni vazhdimisht gjërat e leshta dhe mbajini në çanta të mbyllura. Nëse buburrecat këmbëngulin, përpiquni duke përdorur çarqe me ngjitëse apo duke spërkatur acid borik prapa banjove, por mbroni fëmijët dhe kafshët e shtëpisë që të mos prekin këto produkte, sugjeron Wellness Letter.
Programet e TV-së për fëmijët: tepër të dhunshme
Një studim i rrjetit televiziv amerikan ka arritur në përfundimin se në shumë programe për fëmijë ka tepër «luftime të rrezikshme dhune». Sipas The Wall Street Journal, studimi në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos përzgjodhi disa filma vizatimorë të njohur, të cilët përmbanin «dhunë për hir të dhunës». Normalisht, programet transmetohen të shtunën në mëngjes, kur fëmijët nuk shkojnë në shkollë dhe prindërit mund të mos jenë ngritur ende nga shtrati. Edhe pse ky lloj programi nuk është i ri, studimi zbuloi se «tonet e larta të ligësisë dhe ndeshjet e pamëshirshme në këto shfaqje, përbëjnë prirjen e përhapur kohët e fundit, e cila duket se do të shkojë drejt rritjes».
Pika përputhjeje
«Krerët ortodoksë rusë dhe ata myslimanë të katër republikave të ish-Bashkimit Sovjetik, ku mbizotëron myslimanizmi, Kazakistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani, kanë arritur një përputhje ndërfetare pa precedent për të kontrolluar emërtimet dhe grupet jo të rregullta fetare, që po fitojnë ndikim në Azinë Qendrore, vëren revista Christianity Today. Të mbledhur në Tashkent, kryeqyteti i Uzbekistanit, krerët fetarë «u zotuan të bashkëpunonin për të ndalur ndikimin e të krishterëve evangjelistë, baptistëve, mormonëve dhe të Dëshmitarëve të Jehovait»,—thotë raporti.
Tepër i dobët?
Në një shoqëri që merakoset shumë për pamjen, shumë njerëz pohojnë se është gati e pamundur të jesh tepër i dobët. Një studim i kohëve të fundit, që vërtetonte rreziqet e shëndetit të tepërt, mund të duket sikur mbështet këtë pikëpamje të përgjithshme, por autorja e studimit, Xhoan Manson e Universitetit të Harvardit, dëshiron të bëjë të ditur, se edhe të qenët tepër i dobët është me rrezik për shëndetin. «Unë besoj se mund të bëhesh tepër i dobët, duke mos u ushqyer siç duhet, duke bërë ushtrime të tepërta apo duke pirë duhan»,—tha ajo për The Wall Street Journal. Duke cituar një sërë mjekësh që përbuzin rreziqet e dietave të tepruara, Journal rendiste disa rreziqe të dobësisë jo të natyrshme, ndoshta 20 për qind nën peshën mesatare të gjatësisë. Ndër to janë mungesa e oreksit, osteoporoza, ndryshimet hormonale, pafuqishmëria, frakturat dhe shërimi i ngadalshëm.
Kafshimet e gjarpërinjve: çfarë s’duhet të bëjmë?
Kur bëhet fjalë për trajtimin e viktimave nga kafshimet e gjarpërinjve, ekspertët nuk janë gjithnjë dakort. Megjithatë, sipas revistës FDA Consumer shumica e mjekëve amerikanë profesionistë janë «pothuajse në unanimitet për sa i përket pikëpamjeve të tyre për çfarë s’duhet bërë». Nëse gjendeni 30 deri 40 minuta larg nga një qendër mjekësore, këshilla është: Mos vendosni akull mbi zonën e kafshuar, mos përdorni mjete për të ndaluar gjakun apo goditje elektrike dhe mos bëni prerje në plagë. Një rekomandim i pranuar gjerësisht është që, edhe nëse gjarpri duket se është apo jo helmues, të gjitha kafshimet e gjarpërinjve duhen trajtuar si raste mjekësore urgjente dhe viktima duhet çuar menjëherë në spital. Masa më e mirë parandaluese është «të mos ngacmohen gjarpërinjtë. Shumë njerëz janë kafshuar ngaqë janë përpjekur të vrasin ndonjë gjarpër apo t’i hedhin një sy më nga afër»,—thotë FDA Consumer.
Paralajmërim për futbollistët
Në futboll, sporti më popullor në botë, lojtarët mund ta godasin topin me kokë. Megjithatë, kjo mund të shkaktojë dëmtime në tru, nëse bëhet shumë shpesh, raporton gazeta Jornal do Brasil. Sipas një studimi të kohëve të fundit, futbollistët mund të vuajnë nga humbja e kujtesës dhe nga efektshmëria e zvogëluar e trurit, për shkak të goditjeve të topit me kokë. Edhe pse më pak e ashpër, dëmi është i ngjashëm me natyrën e atij që pësojnë disa boksierë, që marrin goditje të vazhdueshme në kokë. Neurologu Paulo Niemeyer Filho sugjeron që lojtarët duhet të shmangin goditjen e topit me kokë, kur ky vjen me forcë nga lart apo edhe kur është i lagur, gjë që e bën topin më të rëndë. Disa ekspertë besojnë se goditjet e tepërta të topit me kokë, mund të dëmtojnë edhe pamjen e lojtarëve.
Buzëqeshjet e sinqerta janë ngjitëse
Ekzistojnë dy lloje buzëqeshjesh, sipas kërkuesve finlandezë dr. Jari Hietanen i Universitetit të Tamperes dhe dr. Veikko Surakka i Institutit të Biomjekësisë në Universitetin e Helsinkit. Një kategori buzëqeshjesh është e njohur nga ekspertët si buzëqeshjet shoqërore. Këto nxiten thjesht nga një ndjenjë detyrimi dhe përfshijnë vetëm muskujt e faqeve. Buzëqeshjet e sinqerta, nga ana tjetër, shprehin ndjenja të vërteta kënaqësie dhe nuk aktivizojnë vetëm muskujt e faqes, por edhe muskujt përreth syve. Një studim i kohëve të fundit nga Finlanda përmend se buzëqeshjet e sinqerta janë ngjitëse. Duke përgjuar dhe duke regjistruar lëvizje shumë të vogla të muskujve, kërkuesit zbuluan se subjektet e eksperimentit të tyre ishin të nxitura për të buzëqeshur thjesht duke parë fotografinë e dikujt që kishte bërë një buzëqeshje të sinqertë. Ky reagim nuk u vëzhgua, kur subjektet panë fotografi të njerëzve që bënin buzëqeshjen shoqërore.
Dështim i astrologëve
Sipas gazetës gjermane Die Zeit, 44 astrologë në Hollandë iu nënshtruan vullnetarisht kohët e fundit një testi të përgatitur nga Shoqata Hollandeze e Skeptikëve. Astrologëve iu dhanë dy lista. Njëra përmbante vendin dhe datën e lindjes së shtatë personave. E dyta përmbante informata të bollshme personale mbi secilin prej këtyre shtatë individëve. Astrologëve iu kërkua të barazonin secilin person në listën e parë me përshkrimin e tij përkatës në listën e dytë, duke përdorur aftësitë që ata pohonin se kishin në astrologji. Sa të suksesshëm dolën? Gjysma e astrologëve nuk gjetën asnjë përgjigje të saktë, ndërsa askush nuk mundi të barazonte më shumë se tre veta me saktësi. Eksperimente të mëparshme kishin dhënë rezultate të ngjashme, por astrologët kishin pohuar se u kishin dhënë informata të gabuara. Megjithatë, në këtë rast kushtet e testit ishin vendosur nga vetë astrologët.