BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 4/96 f. 12-15
  • Fundi i një epoke: A ka shpresë për të ardhmen?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Fundi i një epoke: A ka shpresë për të ardhmen?
  • Zgjohuni!—1996
  • Nëntema
  • Glasnosti dhe perestrojka
  • Sistemit fillojnë t’i merren këmbët
  • Politika e perestrojkës çon në revolucion
  • Fundi i Luftës së Ftohtë
  • Re të zeza në horizont
Zgjohuni!—1996
g 4/96 f. 12-15

Fundi i një epoke: A ka shpresë për të ardhmen?

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË GJERMANI

NGA viti 1987 deri në vitin 1990, tërmete me përmasa prej 6,9 apo më shumë ballësh sipas shkallës Rihter, tronditën pjesë të Armenisë, Kinës, Ekuadorit, Iranit, Filipineve dhe Shteteve të Bashkuara. U vranë rreth 70.000 njerëz dhe dhjetëra mijëra të tjerë u plagosën, ndërsa qindra mijëra mbetën të pastrehë. Dëmi i shkaktuar arriti në mijëra miliardë dollarë.

Prapëseprapë, asnjëra prej këtyre tronditjeve nuk goditi aq shumë njerëz apo nuk e bëri me aq ashpërsi, sa një tjetër tërmet që lëkundi botën në të njëjtën kohë. Ishte një tërmet politik, që i dha fund një epoke. Duke bërë kështu, ai u ndryshoi të ardhmen miliona njerëzve.

Ç’gjë çoi në këtë ngjarje të jashtëzakonshme? Cilat do të ishin pasojat e saj?

Glasnosti dhe perestrojka

Më 11 mars të vitit 1985, Mihail Gorbaçov u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Qytetarët sovjetikë, ashtu si edhe shumica e vëzhguesve në botë, nuk prisnin ndryshime të mëdha politike gjatë qeverisjes së tij.

Më pak se një vit më vonë, Arkadi Shevçenko, ish-këshilltar politik në Ministrinë e Jashtme Sovjetike dhe për pesë vjet nën-Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, bëri një koment veçanërisht mendjehollë, kur shkroi: «BRSS-ja gjendet në një udhëkryq. Nëse problemet e ngutshme ekonomike dhe shoqërore nuk zbuten në të ardhmen e afërt, procesi i mëtejshëm i erozionit në sistemin e saj ekonomik është i pashmangshëm, duke vënë kështu në rrezik, vetë mbijetesën e saj. . . . Gorbaçovi ka filluar në mënyrë të qartë një stil të ri . . . Por mbetet për të parë, nëse qeverisja e tij do të çojë drejt një epoke të re për BRSS-në. . . . Ai gjendet përballë problemeve gati të pakapërcyeshme.»

Pozita që kishte Gorbaçovi në atë kohë, i dha atij ndikimin e nevojshëm politik për të ndërfutur në shoqërinë sovjetike një politikë, për të cilën kishte folur tashmë në 1971-shin. Ishte glasnosti, që do të thotë «informacion publik» dhe paraqiste një politikë të transparencës zyrtare lidhur me problemet sovjetike. Kjo politikë bënte thirrje për një shoqëri më të hapur, në të cilën qytetarët sovjetikë dhe shtypi do të kishin më shumë liri fjale. Më në fund, glasnosti i hapi rrugën kritikës publike të qeverisë dhe të disa prej veprimeve të saj.

Një term tjetër, të cilin Gorbaçovi kishte kohë që e përdorte ishte «perestrojka», një fjalë që do të thotë «ristrukturim». Në një ese të botuar në 1982, ai foli mbi «nevojën për të pasur një psikologji të përshtatshme ristrukturimi» në fushën e agrikulturës.

Pasi u bë kreu i Bashkimit Sovjetik, Gorbaçovi u bind se ristrukturimi i mbarëvajtjes në ekonomi ishte madje i domosdoshëm. Ai e dinte se kjo arritje nuk do të ishte e lehtë dhe ndoshta e pamundur po të mos shoqërohej nga ndryshime politike.

Zelli në zbatimin e politikës së glasnostit dhe të perestrojkës, nuk do të thoshte se Gorbaçovi kishte ndër mend shkatërrimin e komunizmit. Përkundrazi. The Encyclopædia Britannica shpjegon: «Synimi i tij ishte të ndizte një revolucion të kontrolluar nga lart. Ai nuk dëshironte të minonte sistemin sovjetik, por vetëm ta bënte atë më të efektshëm.»

Zbutja e kufizimeve që erdhën si pasojë e këtyre politikave, ishte një shkak për shqetësim mes disa anëtarëve drejtues të Bashkimit Sovjetik. E njëjta gjë mund të thuhet për krerët e disa vendeve të bllokut lindor. Edhe pse shumë prej tyre e pranonin nevojën për ristrukturim ekonomik, jo të gjithë ishin të mendimit se ndryshimet politike ishin të nevojshme ose të dëshirueshme.

Megjithatë, Gorbaçovi u bëri të ditur aleatëve të tij të Evropës Lindore se ishin të lirë të eksperimentonin për hesap të tyre programet perestrojka. Ndërkohë, Gorbaçovi paralajmëroi Bullgarinë dhe në fakt edhe të gjitha vendet e tjera të bllokut lindor, se ndërsa reformat ishin të nevojshme, duhej bërë kujdes për të mos zvogëluar rolin mbizotërues të Partisë Komuniste.

Sistemit fillojnë t’i merren këmbët

Me kalimin e viteve, kritikimi i komunizmit, si në Bashkimin Sovjetik, ashtu edhe në vendet e bllokut lindor, ishte rritur. Për shembull, që në fillim të viteve ’80, e përjavshmja hungareze për informacion HVG (Heti Világgazdaság) kishte sfiduar me agresivitet pikëpamjet dogmatike komuniste, megjithëse shmangte kritikimin e drejtpërdrejtë të vetë Partisë Komuniste.

Në vitin 1980, u themelua në Poloni, Solidarnosti, sindikata e parë e pavarur që ekzistonte në bllokun lindor. Megjithatë, zanafilla e saj mund të gjendet në vitin 1976, kur një grup disidentësh formuan Komitetin për Mbrojtjen e Punëtorëve. Në fillim të vitit 1981, në Solidarnost ishin anëtarësuar rreth dhjetë milionë punëtorë. Ai jepte një shtytje për reforma ekonomike dhe zgjedhje të lira, duke i mbështetur herë pas here kërkesat e tij me greva. Duke u gjendur përballë kërcënimit të ndërhyrjes së mundshme sovjetike, qeveria polake e shpërndau sindikatën, edhe pse ajo vazhdoi të vepronte fshehurazi. Grevat për të arritur pranimin nga qeveria, çuan në legalizimin e sërishëm të sindikatës në 1989-n. Në korrik 1989, u mbajtën zgjedhjet e lira dhe shumë kandidatë të Solidarnostit u zgjodhën. Duke filluar nga gushti, për herë të parë pas rreth 40 vjetësh, në Poloni kishte një kryeministër jokomunist.

Glasnosti dhe perestrojka bashkë me problemet që ndesheshin në botën komuniste, po i jepnin dukshëm një formë të re gjithë bllokut lindor.

Politika e perestrojkës çon në revolucion

«Deri në korrik 1987,—shkruan Martin Mekkoli i Universitetit të Londrës,—dukej se gjithçka shkonte sipas mënyrës që kishte pasur ndër mend Mihail Gorbaçovi.» Akoma në qershor të 1988-s, në Konferencën e 19-të të Partisë Komuniste, e cila u mbajt në Moskë, thuhet se Gorbaçovi mori «përkrahje të gjerë edhe pse në ndonjë rast të vakët për programet e tij». Por dukej sheshit se po ndeshte vështirësi në ristrukturimin e Partisë Komuniste dhe të qeverisë sovjetike.

Në 1988-n, reformat konstitucionale lejuan zëvendësimin e Sovjetit Suprem ekzistues me Kongresin e Deputetëve të Popullit të BRSS-së, 2.250 anëtarët e të cilit u zgjodhën një vit më vonë me zgjedhje të lira. Këta deputetë nga ana e tyre, zgjodhën mes tyre një parlament dy-dhomësh, me 271 anëtarë për çdo dhomë. Boris Jelsin u bë një anëtar i shquar i këtij parlamenti. Ai vuri menjëherë në dukje mossuksesin e perestrojkës dhe e drejtoi vëmendjen drejt reformave që ai mendonte se ishin të nevojshme. Kështu, edhe pse Gorbaçovi në vitin 1988 ishte zgjedhur në presidencë, një pozitë të cilën donte ta ristrukturonte e ta forconte, kundërshtimi ndaj tij vazhdonte të rritej.

Ndërkohë, dy superfuqitë, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara, kishin ndërmarrë hapa të rëndësishëm në zvogëlimin e forcave ushtarake dhe në heqjen e kërcënimit bërthamor. Çdo marrëveshje që bëhej, ndizte shpresat për mundësinë e arritjes së një bote paqësore, deri në atë masë, sa shkrimtari Xhon Elson, në shtator të 1989-s, vërejti: «Për shumë komentatorë, ditët e fundit të viteve ’80 paraqesin një lloj lamtumire për armët. Lufta e ftohtë duket e përfunduar; në shumë pjesë të botës duket se po zhvillohet paqja.»

Pas kësaj, erdhi 9 nëntori i vitit 1989. Megjithëse fizikisht akoma i paprekur, Muri i Berlinit, u hap pas rreth 28 vjetësh dhe menjëherë pas kësaj, nuk përbënte më një pengesë simbolike mes Lindjes dhe Perëndimit. Kombet e Evropës Lindore braktisën njëra pas tjetrës dhe shpejt sundimin socialist. Në një libër të tij (Death of the Dark Hero—Eastern Europe, 1987-90), David Selburn e përcaktoi këtë zhvillim si «një nga revolucionet më të mëdha historike; një revolucion demokratik dhe në thelb antisocialist, pasojat e të cilit do të ndihen edhe për shumë kohë, pasi aktorët dhe spektatorët të jenë zhdukur nga skena».

Sapo arriti kulmin, revolucioni paqësor kundër komunizmit fanatik në Evropën Lindore nuk zgjati edhe për shumë kohë. Një pankartë në Pragë, Çekosllovaki, e përmblidhte kështu: «Polonia, 10 vjet; Hungaria, 10 muaj, Gjermania Lindore, 10 javë; Çekosllovakia, 10 ditë. E pas kësaj, pas një jave tmerresh: Rumania, 10 orë.»

Fundi i Luftës së Ftohtë

Selburn thotë: «Modeli i kolapsit të sistemit të Evropës Lindore qe jashtëzakonisht konstant.» Më pas, ai shton: «Duket qartë se katalizatori ishte marrja e fuqisë nga ana e Gorbaçovit në Moskë, në mars të 1985-s dhe fakti që i dha fund ‘Doktrinës Brezhniev’, gjë që u hoqi në mënyrë fatale regjimeve të Evropës Lindore sigurinë e ndihmës dhe të ndërhyrjes sovjetike në rast kryengritjeje nga ana e popullit.»

The New Encyclopædia Britannica e quan Gorbaçovin «iniciatorin e vetëm dhe më të rëndësishëm të një sërë ngjarjesh në fund të 1989-s dhe në 1990-n, që transformuan tablonë politike të Evropës dhe shënuan fillimin e përfundimit të Luftës së Ftohtë.»

Natyrisht, Gorbaçovi nuk do të mund t’i jepte fund Luftës së Ftohtë vetëm. Për të treguar atë që do të ndodhte pak kohë më pas, Kryeministrja britanike, Margaret Theçer, pas takimit të parë me të, tha: «Më pëlqen z. Gorbaçov. Mund të punojmë mirë bashkë.» Përveç kësaj, lidhja e veçantë personale që Theçer gëzonte me presidentin amerikan, Regan, i dha asaj mundësi ta bindte atë se ishte e mençur të bashkëpunonin me Gorbaçovin. Geil Shihi, autor i librit Gorbachev—The Making of the Man Who Shook the World, përfundon: «Theçer mund të ishte e kënaqur me veten, që kishte qenë ‘në kuptim shumë të vërtetë, ndrikulla e marrëdhënies Regan-Gorbaçov’.»

Siç ka ndodhur shpesh në histori, njerëzit e duhur kanë qenë në fuqi në momentin e duhur për të kryer ndryshimet, që përndryshe mund të mos kishin ndodhur.

Re të zeza në horizont

Ndërsa lindja dhe perëndimi gëzonin që Luftës së Ftohtë po i vinte fundi, disa re kërcënuese po shfaqeshin diku. Në 1988-n, bota nuk i kushtoi shumë rëndësi, kur nga Afrika arriti lajmi se disa mijëra njerëz në Burundi ishin vrarë në një shpërthim të dhunës etnike. Ndërsa në prill 1989, lajmeve që vinin nga Jugosllavia, sipas të cilave në atë vend po ndodhte shpërthimi më i hidhur i dhunës etnike që nga viti 1945, nuk iu kushtua shumë vëmendje. Në të njëjtën kohë, liria më e madhe që dukej në Bashkimin Sovjetik po rezultonte në shtrirjen e një trazire civile. Disa nga republikat e Bashkimit Sovjetik po tentonin deri aty, sa të arrinin pavarësinë.

Në gusht 1990, trupat irakiane u transferuan në Kuvajt, duke e shtënë atë në dorë brenda 12 orësh. Ndërsa gjermanët më pak se një vit pas rënies së Murit të Berlinit, kremtonin Bashkimin e Gjermanisë, presidenti irakian mburrej: «Kuvajti i përket Irakut dhe nuk do të heqim kurrë dorë prej tij, edhe nëse do të na duhet të luftojmë për 1.000 vjet.» Në nëntor, Kombet e Bashkuara ndërmorën veprime të menjëhershme dhe kërcënuan se do t’u drejtoheshin veprimeve ushtarake, nëse Iraku nuk do të tërhiqej nga Kuvajti. Bota po lëkundej edhe një herë tjetër fare pranë shkatërrimit të mundshëm dhe problemi kryesor ishte kontrollimi i rezervave të naftës.

Mos vallë shpresat për paqe dhe siguri, të ndezura nga fundi i Luftës së Ftohtë, po shuheshin përpara se të bëheshin realitet? Për këtë lexoni në po këtë numër, në faqen 20, artikullin me titull: «Rregulli i Ri botëror nis i pasigurt».

[Figura në faqen 15]

Befas, Muri i Berlinit nuk përbënte më një pengesë simbolike mes Lindjes dhe Perëndimit

[Burimi i figurës në faqen 12]

Gorbaçovi (majtas) dhe Regani: Robert/Sipa Press

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo