Kampioni i shpejtësisë
Nga korrespondenti i Zgjohuni! në Afrikën Jugore
KUSH e mban këtë titull? Çitah, kafsha më e shpejtë në botë për distanca të shkurtra. Çdo çitë ka modelin e saj unik të njollave, e në fakt, emri çitah që vjen nga një fjalë në sanskritisht, do të thotë «pikalosh».
Disa thonë se në shikim të parë, gjëja që vihet re më shumë tek kjo mace, janë këmbët. Disa të tjerë vërejnë se pjesa e saj e prapme përkulet dhe kokën e ka shumë të vogël. Por, pikërisht këto karakteristika i japin avantazh çitës. Këmbët e gjata të prapme, i shërbejnë si leva, duke i dhënë asaj mundësi të ecë gjithë hijeshi dhe të vrapojë me elegancë. Dhe kjo kafshë vrapon vërtet shpejt! Nga pozicioni i qëndrimit, brenda disa sekondash çitah mund të arrijë një shpejtësi rreth 110 km në orë.
Çitah është projektuar më së miri për të arritur një shpejtësi optimale. Skeleti i saj i lehtë përfshin një shtyllë kurrizore jashtëzakonisht elastike që mund të dridhet e të përdridhet si një sustë. Çitah është, gjithashtu, e pajisur me një kraharor të thellë, mushkëri të mëdha, zemër të fortë, një bisht që i siguron ekuilibrin dhe me vrima të gjera hunde që i lejojnë të bëjë një frymëmarrje të shpejtë: të gjitha gjëra që i kontribuojnë shpejtësisë së saj të pakrahasueshme. Megjithatë, vrulli energjik i çitës, nuk zgjat shumë. Pas vetëm 400 metrash me gjithë shpejtësinë, ajo duhet të ndalojë për t’u çlodhur.
Zakonisht, çitah nuk përbën ndonjë rrezik për njerëzit. Ann van Dyk, e cila ka rritur çitah për vite të tëra, shkruan në një libër të saj: «Pasi haja darkë, më pëlqente t’i kaloja ato pak momente të fundit para se të errej, me familjen e maceve që mbaja në shtëpi. Mes nesh ishte zhvilluar një ndjenjë besimi dhe megjithëse nuk ishin të zbutura, e dija se nuk do të më dëmtonin.»—The Cheetahs of De Wildt.
Ndërsa njerëzit nuk janë treguar gjithmonë kaq të mirë me çitat. Për shembull, gjuetarët në Afrikë e lakmonin gëzofin e saj të jashtëzakonshëm dhe kolonizimi ka kufizuar vendin, në të cilin çitah mund të vrapojë. Kjo gjë e ka zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme numrin e tyre. Në Indi, ku njëherë e një kohë ekzistonin shumë çitah, që nga 1952-shi, ato u zhdukën. Ato nuk gjenden më edhe në ato vende që kufizohen me Mesdheun Lindor.
Sa të lumtur mund të jemi që në botën e re të Perëndisë, kafshët nuk do të kërcënohen më nga njerëzit lakmitarë! (Isaia 11:6-9) Ndoshta në atë kohë do të keni privilegjin të shikoni këtë kampion të shpejtësisë të projektuar në mënyrë të mrekullueshme, çitën.