Lakmia: Si po ndikon mbi ne?
LAKMIA po shkatërron jetën e miliona njerëzve. Ajo po çnjerëzon lakmitarin dhe po u sjell dhimbje dhe hidhërim viktimave të tij. Edhe ju mund të ndieni pa vështirësi në jetën tuaj ndikimet e lakmisë. Edhe vjedhja e zakonshme e dyqaneve rrit çmimet e artikujve që bleni. Nëse paga që merrni është e ulët dhe me të nuk mund të përballoni nevojat e ditës, ndoshta jeni viktimë e lakmisë së dikujt tjetër.
Të uriturit dhe ata buzë vdekjes
Egoizmi lakmitar shtetëror pengon përpjekjet e qeverive për të dhënë një ndihmë efektive ndaj të varfërve. Vite më parë, në 1952-shin, shkencëtari dhe eksperti në fushën e të ushqyerit, Z. Xhon Boid Or, tha: «Qeveritë janë të përgatitura për të bashkuar njerëzit dhe pasuritë për një luftë botërore, por Fuqitë e Mëdha nuk janë të përgatitura për t’u bashkuar e për të zbuar urinë dhe varfërinë nga bota.»—Food Poverty & Power, nga An Bukanan.
Njëfarë ndihme është dhënë, natyrisht. Por, cili është realiteti i jetës për të varfërit, për shumicën e popullsisë së botës që është lënë pas dore? Një raport i kohëve të fundit, deklaronte se pavarësisht nga rritja e prodhimit ushqimor në disa zona, «urija dhe të ushqyerit e keq gjurmon ende pjesën më të madhe të të varfërve në botë . . . Një e pesta [mbi një mijë miliard] e njerëzve në botë vuajnë çdo ditë nga urija». Raporti vazhdon të thotë: «Veç këtyre, 2 mijë miliardë njerëz vuajnë nga ‘urija e fshehtë’, për shkak të . . . mangësive [në dietë], gjë që mund të çojë në çrregullime serioze.» (Developed to Death—Rethinking Third World Development) Këto statistika duhet të përbëjnë patjetër artikujt kryesorë të gazetave!
Të skllavëruarit
Bosët e mafias pasurohen në kurriz të viktimave të tyre dhe të popullit në përgjithësi. Droga, dhuna, prostitucioni dhe shfrytëzimi ekonomik po skllavërojnë miliona njerëz. Përveç kësaj, Gordon Tomas, thotë në librin e tij Të skllavëruarit: «Sipas Organizatës Antiskllavëri, përllogariten 200 milionë skllevër në botë. Rreth 100 milionë prej tyre janë fëmijë.» Cili është shkaku bazë? Raporti shpjegon: «Nxitja për të skllavëruar vazhdon të jetë një aspekt i neveritshëm i natyrës njerëzore . . . [Skllavëria është] fryt i dëshirës së ethshme, i lakmisë dhe i dashurisë për pushtet.»
Të fuqishmit shpronësojnë të dobëtit e të pambrojturit dhe vrasin shumë nga ata që janë më të dobët. Për shembull, «nga dy milionë indianë që jetonin në Brazil, kur erdhën për herë të parë të bardhët, mbase deri tani kanë mbijetuar dyqind mijë prej tyre». (The Naked Savage) Përse? Arsyeja bazë është lakmia.
Hendeku në rritje ndërmjet të pasurve dhe të varfërve
The New York Times raportonte se Xhejms Gustav Speth, administrator në Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, deklaroi se «elita mbarëbotërore që po del në skenë . . . po grumbullon pasuri dhe fuqi të madhe, ndërkohë që më shumë se gjysma e njerëzimit është shumë e varfër». Ky hendek i rrezikshëm ndërmjet të pasurve dhe të varfërve bëhet akoma më i dukshëm nga fjalët e tij: «Kemi ende më shumë se gjysmën e njerëzve në planet me të ardhura më pak se 2$ amerikanë në ditë dhe ata përbëjnë më shumë se 3 miliardë njerëz.» «Për të varfërit në këtë botë të ndarë në dy klasa, kjo situatë përbën mjedisin për shtimin e gjendjes së pashpresë, të zemërimit, të zhgënjimit»,—shtoi ai.
Kjo gjendje e pashpresë ka marrë përmasa shumë më të mëdha, për faktin se shumë nga të pasurit duket se nuk kanë as ndërgjegje e as dhembshuri për gjendjen e mjerueshme të masave të uritura dhe të prekura nga varfëria.
Viktimat e lakmisë gjenden kudo. Shikoni, për shembull, pamjen e shastisur në sytë e refugjatëve të kapur në mes të betejave për fuqi në Bosnjë, Ruanda dhe Liberi. Shikoni se si janë katandisur fytyrat e atyre që po vdesin urije në mes të botës së bollëkut. Shikoni frikën që fanitet si hije në vështrimin e viktimës së krimit dhe dhimbjen në sytë e atij që është abuzuar seksualisht. Çfarë qëndron pas gjithë këtyre? Lakmia e një forme apo e një tjetre!
Si mund të mbijetoni, kur jeni të rrethuar nga grabitësit lakmitarë në këtë mjedis kaq armiqësor? Dy artikujt vijues do të marrin në shqyrtim këtë pyetje.