Bartësit e vegjël të dritës të Zelandës së re
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË ZELANDËN E RE
NATA ishte shumë e errët, pa hënë dhe e kthjellët. Kur dritat e kampit ikën, na u duk se qemë në një univers yjesh të ndritshëm. Zbritëm nëpër një shteg të thepisur drejt pellgut termal, në fund të një gryke të ngushtë mali. Nga çdo anë e ujit avullues po rriteshin bimë. U krodhëm në ujë dhe pas një dite të gjatë udhëtimi, u çlodhëm. Ky pellg, me ujë të ngrohtë që flluskonte natyrshëm nga nëntoka, ndodhej në strehimet tona të përnatshme në një kampim motoristësh.
Vëreja se si një yll lëvizte me shpejtësi mes për mes qiellit. Iu drejtova gruas sime që t’i tregoja për të, por ndërsa po i flisja, m’u morën këmbët dhe u llokoçita zhurmshëm. Për çudinë time, disa yje papritur u shuan, u zhdukën! Teksa flisja i çuditur, u zhduk një grumbull i tërë. M’u duk sikur kisha shkaktuar një vrimë në univers!
Ndërsa përpiqesha të kuptoja ç’kishte ndodhur, yjet u rishfaqën njëri pas tjetrit dhe tani pashë se një grumbull ishte shumë më afër meje sesa grumbulli kryesor i yjeve. Në fakt, disa ishin mjaft afër për t’u prekur. Për herë të parë ishim ndeshur me larvat e xixëllonjës së Zelandës së Re. Ato ishin varur në muret e padukshme të gjelbërimit sipër nesh dhe dritat e tyre të buta përziheshin me sfondin e yjëzuar.
Larva e xixëllonjës së Zelandës së Re nuk është një krimb, por një insekt. Ajo është e ndryshme nga larvat e xixëllonjave dhe nga xixëllonjat në vendet e tjera të botës. Emri i saj, Arachnocampa luminosa, ndoshta ju krijon idenë e një lloj merimange të ndritshme. Por kjo s’është aspak e vërtetë.
Jo shumë kohë pas takimit tonë të parë, ne i ndeshëm përsëri larvat e xixëllonjës në Shpellat Waitomo, në Ishullin Verior të Zelandës së Re. Më lejoni t’ju përshkruaj udhëtimin tonë drejt guvës së larvave të xixëllonjës, ku një varkë na mori për të parë këto krijesa të vogla.
Shpella Waitomo
Shpella Waitomo është një mrekulli e ndriçuar bukur, për të treguar madhështinë artistike të formacioneve të stalaktiteve dhe stalagmiteve, të cilat janë akumuluar gjatë shumë mijëvjeçarëve. Ndërsa i afroheshim secilës zonë, udhërrëfyesi ynë ndizte dritat dhe ne habiteshim nga formacionet dhe tunelet magjepsëse: një botë e papritur dhe e çuditshme mrekullish nën tokë. Kur u mblodhëm në majë të shkallëve që zbrisnin në terr, hapat tanë jehuan frikshëm. Ndërsa sytë na mësoheshin me errësirën, filluam të shohim lart vezullime të vogla me dritë të gjelbër. Larvat e xixëllonjës!
Arritëm në mol dhe hipëm në një varkë. Duke u larguar nga ky mol, ne notonim në errësirë. Më pas, sapo kaluam një kthesë, diçka që mundem vetëm ta përshkruaj si një version të ngjeshur të krejt Udhës së Qumështit, u shfaq pikërisht mbi ne; çatia e shpellës ishte plotësisht e mbuluar nga larvat e xixëllonjës. Autori Xhorxh Bernard Shou e quajti këtë vend «mrekullia e tetë e botës».
Xixëllonja magjepsëse
Kur mbaroi udhëtimi, fakti që u mrekulluam nga larvat e xixëllonjës, na nxiti që të mësonim më shumë për të. Ajo që mësuam ishte po aq magjepsëse sa dhe ajo që kishim parë. Duke e nisur jetën si një larvë e vogël, me dritën e bishtit tashmë të ndezur, larva e xixëllonjës së Zelandës së Re ndërton një shilarës prej mukoze dhe mëndafshi nga gjendra të veçanta të gojës së saj dhe e ngjit atë në tavanin e një guve. Shilarësi është në të vërtetë një tunel, në të cilin larva mund të lëvizë para dhe prapa.
Që të jetojë, larva e xixëllonjës ka nevojë për ushqim, kështu që për gjashtë deri nëntë muaj, ajo merret me peshkim. Por gjahu i saj është në ajër, megjithëse vjen me anë të ujit. Përroi kryesor sjell një sasi harrjesh, mushkonjash, insektesh të rendit Plecoptera dhe Ephemeroptera, të cilat tërhiqen nga drita. Për t’i kapur ato, larva e xixëllonjës lëshon nga shilarësi i saj një seri fijesh mëndafshi (disa herë deri në 70 të tilla). Çdo fije e barasvarur në hapësirë është një seri pikash të ngjitura mukoze, kështu që këto fije ngjajnë si gjerdanë perlash të varur poshtë.
Pjesa më magjepsëse e larvës së xixëllonjës është drita me të cilën ajo ndriçon fijet gjuajtëse. Larva e xixëllonjës së Zelandës së Re është një prej grupit të insekteve, ndriçimi i të cilave nuk lidhet me sistemin nervor. Megjithatë, ajo është në gjendje ta fikë dritën kur do. Organi i ndriçimit ndodhet në fundin e gypave të saj jashtëqitës dhe një pjesë e sistemit të frymëmarrjes së larvës vepron si reflektor, duke e çuar dritën poshtë. Ajo e fik dritën, duke kufizuar oksigjenin ose kimikatet e nevojshme për të prodhuar dritën.
Megjithatë, drita në fund të tunelit të larvës së xixëllonjës nuk është shenja shpresëdhënëse që pret një insekt. Ai vrapon në perden vdekjeprurëse ku, siç kanë sugjeruar disa, një kimikat mund ta vërë gradualisht në anestezi. Pasi ndjen dridhjet e viktimës që lufton, larva var me kujdes prej shilarësit dhe tërheq lart fijen që ndodhet në gojën e saj, duke përdorur kontraktimet e trupit.
Pasi ka gjuajtur dhe është ushqyer për gjashtë deri në nëntë muaj, larva bëhet një nimfë dhe më pas gëzon jetën si një e rritur. Nëse e gëzon apo jo jetën fluturaku i rritur, është shumë e dyshimtë. Jeta e tij do të zgjasë vetëm dy ose tri ditë, sepse fluturaku i rritur nuk ka gojë, kështu që nuk mund të hajë. Koha që i mbetet i kushtohet riprodhimit. Fluturakët e rritur meshkuj bëjnë pjellore ato femra, në momentin që këto çajnë fshikëzat e tyre. Femrës mund t’i duhet një ditë e tërë për të bërë vezët e saj njërën pas tjetrës dhe pastaj ngordh. Pasi ka kontribuar në një galaktikë të shndritshme, e cila u jep një kënaqësi të madhe njerëzve, cikli jetësor prej 10 deri 11 muajsh i bartësit të vogël të dritës të Zelandës së Re, përfundon.
[Figura në faqen 16]
Faqja përbri: Duke hyrë në guvën e larvave të xixëllonjës
[Figura në faqen 17]
Lart: Çatia e guvës me dritën e shfaqur nga larvat e xixëllonjës
[Figura në faqen 17]
Djathtas: Fijet gjuajtëse të larvave të xixëllonjës
[Burimi i figurës në faqen 16]
Fotografitë në faqet 16-17: Shpellat Waitomo Museum Society Inc