Ndryshimi i qëndrimeve ngre pyetje të reja
«REVOLUCION SEKSUAL», «shpërthim seksual në rritje», «revolucion moral». Terma të tillë i bënin reklamë ndryshimit të qëndrimeve kundrejt sjelljes seksuale, sidomos nga mesi i viteve ’60 e më pas. Të shumtë ishin ata që adoptuan sloganin «dashuri e lirë», që karakterizonte një stil jetese, në të cilin individët hidhnin poshtë martesën dhe virgjërinë.
Manifesti i autorit Ernest Heminguej, sipas të cilit «morale është ajo që të bën të ndihesh mirë më pas dhe imorale është ajo që të bën të ndihesh keq më pas», mund ta përmbledhë fort mirë qëndrimin e atyre që janë magjepsur nga premtimet e lirisë dhe kënaqësisë seksuale. Pranimi i kësaj filozofie justifikoi marrëdhëniet seksuale jetëshkurtra me disa partnerë, përmes të cilave individët, mashkull dhe femër, eksperimentonin me dëshirat e tyre seksuale. «Kënaqësia» seksuale s’njeh kufij. Pilula kontraceptive, që doli në skenë në të njëjtën dekadë, kontribuoi në eksperimentimin e mëtejshëm të pafre mbi seksin.
Megjithatë, SIDA dhe të tjera sëmundje të transmetuara në rrugë seksuale, u bënë trashëgimia e këtij stili të përzier jetese. Qëndrimet seksuale të një brezi të shthurur u tronditën. Pak vite më parë, revista Time paraqiste kryeartikullin «Seksi në vitet ’80: Revolucioni mori fund». Kjo shpallje, bazohej kryesisht në sëmundjet e pafrenueshme të transmetuara në rrugë seksuale që kishin prekur shumë amerikanë. Deri më tani, numri i rasteve të SIDA-s në të gjithë botën ka arritur një shifër marramendëse prej rreth 30 milionë!
Frika nga sëmundjet e transmetuara në rrugë seksuale, i dha shtytje një ndryshimi të mëtejshëm në qëndrimin e shumë njerëzve kundrejt marrëdhënieve jetëshkurtra seksuale. Botimi i një reviste zbavitëse amerikane për vitin 1992, duke raportuar mbi një anketë qeveritare, thoshte: «Rreth 6,8 milionë gra beqare kanë bërë ndryshime në sjelljen e tyre seksuale nga frika e SIDA-s dhe e sëmundjeve të tjera të transmetuara seksualisht.» Sipas artikullit, mesazhi është i qartë: «Seksi është një çështje serioze. Me të e vë veten në rrezik.»
Si kanë ndikuar këto dekada të turbullta mbi qëndrimet kundrejt marrëdhënieve seksuale? A është nxjerrë ndonjë mësim nga harbimi i paarsyeshëm, i karakterizuar nga dashuria e lirë e dekadave të fundit dhe nga realitetet kthjelluese të sëmundjeve të transmetuara në rrugë seksuale të viteve ’80? A i ka ndihmuar të rinjtë e të rejat futja e edukatës seksuale në shkollat shtetërore, që të përballojnë me sukses sjelljen e tyre seksuale? Cila është mënyra më e mirë për të përballuar sfidën e qëndrimeve të sotme të ndryshuara kundrejt sjelljes seksuale?