Singapori: Diamanti pa shkëlqim i Azisë
BRRAU! Në mënyrë kërcënuese, dyerve të rënda prej çeliku të burgut të grave në Çengi të Singaporit iu vunë shulat me rrapëllimë pas një vejushe të brishtë 71-vjeçare, e cila ishte e krishterë. Si Dëshmitare e Jehovait, ajo ishte munduar t’i shpjegonte drejtuesit të trupit gjykues qëndrimin e saj: «Unë nuk përbëj ndonjë kërcënim për këtë qeveri.»
Edhe një herë brrau! Ajo që vinte pas ishte një gjyshe 72-vjeçare, një tjetër e krishterë. Cila ishte shkelja e saj? Zotëronte katër botime biblike të Shoqatës Watch Tower, ku përfshihej edhe kopja e saj personale e Biblës së Shenjtë.
Gjithsej 64 qytetarë të Singaporit nga mosha 16 deri 72 vjeç u arrestuan dhe u shpallën fajtorë. Dyzet e shtatë prej tyre refuzuan në parim të paguanin gjobat dhe u burgosën për periudha të ndryshme nga një deri në katër javë. Si mund të ndodhte një gjë e tillë në një qytet-shtet të përshkruar si një nga vendet më të mira në të gjithë botën për të jetuar? Si mund të ndodhte një gjë e tillë në një qytet-shtet të famshëm në botën mbarë për stabilitetin e tij ekonomik, zhvillimin fenomenal, ndërtesat moderne dhe që deklaron se ka tolerancë fetare?
Një qytet-shtet modern
Si fillim, shkurtimisht historia e Singaporit. Historia e ditëve moderne të Singaporit zuri fill në 1819-n, me mbërritjen e britanikut Sir Tomas Stamford Rafëlls. Rafëlls, përfaqësues i Kompanisë së Indisë Lindore, po kërkonte një bazë operacionesh në botën Lindore. Ai vendosi të konsideronte Singaporin. Kështu nisi një bazë tregtare, që ka pasur një ndikim në zhvillimin e Azisë Lindore deri në këtë ditë.
Përpara pavarësisë, Singapori ishte përshkruar si një qytet i lënë pas dore. Sot, askush nuk do ta përshkruante Singaporin si të tillë. Madje vlen e kundërta. Gjatë 30 vjetëve të kaluar, qyteti është rindërtuar gati i tëri, duke ruajtur aty ku është e mundur karakterin e qytetit të lashtë, ose duke ruajtur fasadën e ndërtesave të hershme, apo duke bërë njësh struktura të tëra historike me ndërtesa moderne. Singapori është bërë një udhëkryq i trafikut detar në Lindje, ku shpesh numërohen gati 800 anije përnjëherësh në port. Pajisje të teknologjisë së lartë moderne i japin mundësinë anijes kontiner-mbajtëse të shkarkohet dhe të ngarkohet brenda pak orësh. Rajonet financiare të qytetit kërkojnë dhe futin në dorë prona të patundshme me një çmim prej 60.000 apo më shumë dollarësh për metër katror.
Popullsia prej afro 3.400.000 banorësh përbëhet nga një përzierje e madhe kinezësh, malajasësh, indianësh, evropianësh dhe të tjerë. Ndër gjuhët që fliten janë ajo mandarin, malajase, tamile dhe angleze.
Tranziti i shpejtë prej 83 km mbi e nëntokë, i jep Singaporit një nga sistemet më moderne dhe më të efektshme të transportit në të gjithë botën. Parqet e blerta janë gjerësisht të shpërndara në të gjithë qytetin, duke i dhënë larmi pamjeve të ndërtesave moderne që lartësohen. Një gjë që s’duhet lënë pa parë nga turistët që shkojnë atje për të parën herë, është Hoteli Rafëlls krejtësisht i rinovuar, tani i përcaktuar si monument kombëtar, për shkak të origjinës së tij që nga viti 1889. Një gjë tjetër është edhe qendra botanike dhe hortikulturore prej 52 ha, ku dhjetë prej të cilave janë ruajtur xhungël e ku dikur endeshin tigrat.
Garantohet liria fetare
Si plotësim të progresit të tij ekonomik që s’ka të krahasuar, Singapori u premton liri fetare të gjithë banorëve. Mjerisht, Singapori nuk e ka përmbushur premtimin e tij. Në mënyrë të veçantë ata njerëz që shoqërohen me kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait, kanë parë se kjo nuk është e vërtetë.
Kushtetuta e Republikës së Singaporit, në nenin 15(1), siguron garancinë bazë të lirisë së adhurimit: «Çdo person ka të drejtën për të shprehur hapur dhe për të praktikuar fenë e tij, si edhe për ta përhapur atë.»
Neni 15(3) i Kushtetutës garanton: «Çdo grup fetar ka të drejtën:
(a) për të drejtuar çështjet e veta fetare;
(b) për të vendosur dhe për të mbajtur institucione për qëllime fetare e bamirësie; dhe
(c) për të marrë dhe zotëruar pronë, për ta mbajtur dhe administruar atë në përputhje me ligjin.»
Që në vitin 1936, Dëshmitarët e Jehovait ishin pjesë e komunitetit të Singaporit. Për shumë vjet, ata vazhduan mbledhjet e rregullta të kongregacionit në Sallën e tyre të Mbretërisë, që gjendej në 8 Exeter Road, tamam përballë një tregu të zhurmshëm. Kongregacioni lulëzoi, duke dhënë njëkohësisht kontributin e vet të pashoq për stabilitetin e jetës në komunitet.
Dëshmitarët e Jehovait ndalohen
E gjithë kjo ndryshoi më 12 janar 1972. Nën Aktin e Ndalimit nga Qeveria, kreu 109, u dha një urdhër dëbimi, i cili urdhëronte misionarin e krishterë Norman Deivid Beloti dhe gruan e tij, Gladis, banorë që prej 23 vjetësh në Singapor, që të iknin nga vendi. Ky u ndoq shpejt nga një urdhër çrregjistrimi për kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait në Singapor. Në pak orë, Salla e Mbretërisë u konfiskua nga policia, e cila hyri duke bërë copë-copë derën kryesore. Gati menjëherë pas kësaj, u ndalua zyrtarisht e gjithë literatura e Shoqatës Watch Tower. Për Dëshmitarët e Jehovait nisi, kështu, një periudhë shtypjeje.
Më vonë, Salla e Mbretërisë u shit nga qeveria si pjesë e veprimit të tyre arbitrar, e gjithë kjo pa njoftim: pa hetim, pa gjyq, pa mundësi për t’u përgjigjur.
Qeveria e Singaporit e ka përmendur herë pas here mospjesëmarrjen e Dëshmitarëve të Jehovait në shërbimin ushtarak si një arsye ligjore për ndalimin e plotë. Kohët e fundit, më 29 dhjetor 1995, z. K. Kesavapani, përfaqësues i përhershëm i Kombeve të Bashkuara, në Gjenevë, në një letër drejtuar Shkëlqesisë së Tij Ibrahim Fall, Ndihmës/Sekretar i Përgjithshëm për Të Drejtat e Njeriut, i Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, tha si më poshtë:
«Ndalimi nga qeveria ime i lëvizjes së Dëshmitarëve të Jehovait, rrjedh nga shqyrtimet për sigurinë kombëtare. Ekzistenca e mëtejshme e lëvizjes do të ishte e dëmshme për mirëqenien dhe rregullin e mirë publik në Singapor. Një pasojë paralele e çregjistrimit të Dëshmitarëve të Jehovait ishte ndalimi i të gjitha botimeve të tyre, për të përforcuar ndalimin mbi lëvizjen dhe për të frenuar propagandimin dhe përhapjen e bindjeve të tyre.»
Lidhur me protestën e qeverisë për rrezikun e sigurisë kombëtare të Singaporit, duhet vërejtur se numri i të rinjve që refuzojnë shërbimin ushtarak është afërsisht pesë persona në vit. Singapori mban një forcë ushtarake prej rreth 300.000 personash. Qeveria e Singaporit nuk ka pranuar madje as të shqyrtojë shërbimin civil kombëtar për këtë grusht të vogël njerëzish që përfshihen në të.
Shtypje e pamaskuar
Pas disa vjetësh tolerancë të pasigurt, një kapitull i ri shtypjeje të pamaskuar i të drejtave të njeriut, nisi të shpaloset në 1992-shin, kur disa njerëz u arrestuan nën akuzën e mbajtjes së literaturës së ndaluar sipas Aktit të Botimeve të Padëshirueshme. Në 1994-n, Shoqata Watch Tower dërgoi në Singapor 75-vjeçarin W. Glen Hau, me titullin Këshilltar i Mbretëreshës, avokat dhe Dëshmitar i Jehovait gjatë gjithë jetës së tij. Statusi i tij si Këshilltar i Mbretëreshës i jepte atij miratimin që e lejonte për t’u paraqitur para trupave gjykues në Singapor. Duke pasur parasysh garancinë fetare që jepte Kushtetuta, Gjykatës së Lartë të Singaporit iu paraqit një apel, ku përfshihej edhe një sfidë për sa i përket vlefshmërisë së arrestimeve dhe ndalimit të vënë në 1972-shin. Më 8 gusht 1994, apeli nuk u mor fare në konsideratë nga Kryetari i Drejtësisë Jong Pung Hau, i Gjykatës së Lartë të Singaporit. Përpjekjet e mëtejshme për të apeluar vendimin nuk patën sukses.
Në fillim të vitit 1995 u duk se sfida ligjore e bazuar në Kushtetutën e Singaporit kishte vënë në veprim masa edhe më shtypëse. Nën një plan të stilit ushtarak të quajtur operacioni Shpresa, oficerë të fshehtë nga Dega e Shoqërive Sekrete të Departamentit mbi Hetimin Kriminal u lëshuan mbi disa grupe të vogla të krishterësh që mblidheshin në shtëpi private. Afërsisht 70 oficerë dhe stafi i mbështetjes drejtuan bastisjet e tipit komando, duke arrestuar si rrjedhojë 69 persona. Të gjithë u dërguan në hetimore, ku disa u morën në pyetje gjatë gjithë natës dhe të gjithë u akuzuan për pjesëmarrje në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe për mbajtje botimesh biblike. Disa u mbajtën në izolim për më shumë se 18 orë, madje pa pasur mundësinë as t’u telefononin familjeve të tyre.
Akuzat kundër të huajve që merrnin pjesë në mbledhje u hodhën poshtë. Kurse ata 64 që ishin qytetarë të Singaporit u gjykuan në gjyq nga fundi i vitit 1995 dhe në fillim të 1996-s. Të 64-t u shpallën fajtorë. Dyzet e shtatë prej tyre, nga mosha 16 deri 72 vjeç, nuk i paguan gjobat në mijëra dollarë dhe u dërguan në burg nga një deri në katër javë.
Para se të dërgoheshin nëpër qelitë e tyre, burra e gra i zhveshën e i kontrolluan para disa njerëzve. Disa grave iu tha të shtrinin krahët, të uleshin pesë herë këmbëkryq, të hapnin gojën dhe të nxirrnin gjuhën. Të paktën një gruaje iu tha të përdorte gishtat për të hapur anusin. Në burg, disa burrave iu desh të pinin ujë nga uturaku i banjës. Disa gra të moshës së re u trajtuan si kriminele të rrezikshme, u mbajtën në izolim gjatë gjithë periudhës së dënimit dhe u jepej gjysmë racioni. Disa kujdestarë burgu ua mohuan madje Dëshmitarëve Biblat e tyre.
Por le të shohim pak komente nga disa gra të burgosura. Ajo që zbuluan raportet e tyre të drejtpërdrejta ishte në kontrast të madh me fasadën e pandotur të këtij qyteti modern.
«Qelia ishte e pistë. Lavamani dhe banja ishin në një gjendje të vajtueshme. Ishin të rrëshqitshme dhe të pista. Poshtë stolit ku isha ulur unë, kishte pëlhura merimangash dhe pisllëk.»
«Më thanë të zhvishesha dhe më dhanë një komplet rrobash burgu, një mbajtëse sapuni (pa sapun) dhe një furçë dhëmbësh. Të burgosurat e tjera të qelisë sime më thanë se të burgosurat e dënuara për një kohë të shkurtër nuk merrnin pastë dhëmbësh apo letër higjienike.»
«Ishim 20 veta në një qeli. Banja ishte nga ato që duhej të rrije galiç dhe me një mur që arrinte deri në mes. Në banjë kishte vetëm një dush dhe një lavaman me një rubinet. Na duhej të laheshim në grupe me nga gjashtë veta dhe të gjitha ne që ishim në qeli duhej të bënim dush brenda një gjysmë ore në mëngjes.»
Paçka se vuanin traumën e burgimit, të gjithë e konsideronin një privilegj t’i shërbenin Perëndisë, kurdo, kudo dhe në çdo rrethanë. Vëreni komentin e mëposhtëm nga një vajzë adoleshente:
«Nga momenti që u futa në burg, kujtoja gjithmonë me vete qëllimin, për të cilin gjendesha atje. Çdo ditë i lutesha Jehovait që t’i dëgjonte lutjet e mia dhe të mos më braktiste. E ndieja se ai i përgjigjej lutjes sime, sepse ishte fryma e tij e shenjtë që më ndihmoi të qëndroja. Vetëm atëherë e kuptova afrimitetin që kisha me të dhe kjo gjë më forcoi shumë, duke ditur se ai na shikon. Ndihem e privilegjuar që kam pasur mundësi ta përballoj këtë sprovë për hir të emrit të tij.»
Gazetat në të gjithë botën mësuan menjëherë për incidentin. Shtypi në Australi, Kanada, Evropë, Hong Kong, Malajzi, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, herë pas here i bënë jehonë këtyre ngjarjeve. The Toronto Star e Kanadasë e përmblodhi dhunimin e asaj kohe me kryeartikullin e vet «Një gjyshe shpallet fajtore pse mbante një Bibël». Duhet pranuar se bota ka shumë probleme serioze, në të cilat përfshihen shumë më tepër njerëz, por në këtë rast, pyetja që bënin njerëzit e shtangur gjithkund ishte e njëjta. «Në Singapor?»
Është e vështirë të kuptosh arsyen përse një fe që funksionon hapur me mbrojtjen e plotë të ligjit në më shumë se 200 vende rreth globit, duhet të bëhet shënjestër persekutimi në Singapor. Bëhet edhe më e vështirë ta kuptosh, kur mbajmë parasysh se asnjë fe tjetër në Singapor nuk është trajtuar në mënyrë kaq të paarsyeshme dhe arbitrare.
Ç’është e vërteta, një ndihmës mbikëqyrës i policisë, i cili drejtoi një ekip bastisjeje mbi Dëshmitarët e Jehovait pranoi para gjyqit se kjo kishte qenë hera e vetme që ai dhe oficerët e tij kishin marrë urdhër të prishnin një mbledhje fetare. Citimet e mëposhtme janë nga transkriptimi i dëshmisë:
Pyetja: (Dëshmitarit) Me sa dini ju, a ka hetuar dhe ndjekur ndonjëherë penalisht Dega e Shoqërive Sekrete, ndonjë grup të paregjistruar fetar, përveç Dëshmitarëve të Jehovait?
Përgjigjja: Jo me sa di unë.
Më pas, vazhduan pyetjet.
Pyetja: (Dëshmitarit) Ju personalisht, a keni kryer në ndonjë rast një bastisje të ngjashme të një grupi të vogël fetar, që mblidhet në një shtëpi dhe nuk është i regjistruar sipas Akteve mbi Shoqëritë?
Përgjigjja: Jo.
Thirrje për veprim
Amnistia Ndërkombëtare dhe Shoqëria e Avokaturës Ndërkombëtare dërguan secila vëshguesit e tyre specialistë, për të vëzhguar pakorruptueshmërinë e proceseve gjyqësore. Vëzhguesi asnjanës i Amnistisë Ndërkombëtare, Andrju Rafell, i cili ishte vetë një avokat nga Hong Kongu, u shpreh si më poshtë: «Në raportin tim u shpreha se gjyqi të jepte përshtypjen e një gjyqi sa për sy e faqe.» Më tej, ai shpjegoi se zyrtarët qeveritarë të thirrur si dëshmitarë, nuk ishin në gjendje t’i shpjegonin trupit gjykues arsyen përse literatura e Dëshmitarëve të Jehovait ishte gjykuar si e padëshirueshme. Rafell bëri një listë të disa prej botimeve të ndaluara biblike, ku përfshiheshin Lumturia: Si ta gjejmë atë dhe Rinia juaj: Si të merrni më të mirën prej saj. Ai shtoi se faktikisht ato nuk mund të konsideroheshin të padëshirueshme në asnjë kuptim të fjalës.
Vëzhguesi nga Shoqëria e Avokaturës Ndërkombëtare, Sesil Rajendra, u shpreh si më poshtë:
«Që në fillim, këtij vëzhguesi iu bë e dukshme se i gjithë gjyqi s’ishte gjë tjetër veçse një . . . farsë e skenuar sa për sy e faqe, për t’i demonstruar botës se në Singapor praktikohet ende demokracia.
Rezultati ishte një përfundim i pashmangshëm dhe asnjëherë më përpara nuk ka pasur kurrë fije dyshimi, gjatë apo në përfundim të gjyqit se të gjithë të akuzuarit do të shpalleshin fajtorë sipas akuzës.
Megjithëse procesi gjyqësor u mbajt në një gjykatë inferiore dhe akuzat ishin në fakt shkelje të vogla të Aktit mbi Shoqëritë, atmosfera që rrethonte godinën e gjykatës ishte një atmosferë gjithë frikë dhe kanosje.
Kjo atmosferë mbizotëronte kryesisht falë faktit që më shumë se 10 policë me uniformë kishin zënë vend atje (6 brenda sallës së gjyqit dhe 4 jashtë) me disa burra të Degës Speciale të veshur civilë, të ulur në galeri.»
Duke komentuar mbi mënyrën në të cilën u drejtua procesi, Rajendra vazhdoi:
«Sjellja e gjykatësit të lartpërmendur gjatë periudhës së vëzhgimit (si edhe gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit, siç dëshmohet nga transkriptimet) la shumë për të dëshiruar. . . . Në kundërshtim me të gjitha normat e një procesi të rregullt gjyqësor, gjykatësi ndërhynte vazhdimisht në anën e prokurorisë dhe e pengoi mbrojtjen të pyeste mbarë e prapë dëshmitarët e palës paditëse mbi ekspozimet, si për shembull mbi versionin King James të Biblës, të paraqitur nga pala paditëse për të treguar se të akuzuarit mbanin botime të ndaluara!»
Kaq i madh ishte niveli i shqetësimit ndërkombëtar që erdhi si rrjedhojë e shtypjes së të drejtave të njeriut në Singapor, sa një revistë belge e titulluar Të drejtat e njeriut pa kufi, botoi një raport 18-faqësh që trajtonte gjerë e gjatë sulmin e qeverisë së Singaporit mbi Dëshmitarët e Jehovait. Duke shkruar në rolin e redaktorit, Vili Futre, kryeredaktor i asaj reviste, i përkufizoi në mënyrë më të përmbledhur përmasat e vërteta të lirisë së njeriut në çdo gjendje politike:
«Megjithëse liria fetare është një ndër treguesit më të mirë të gjendjes së përgjithshme të lirisë njerëzore në cilëndo shoqëri, shumë pak organizata jofetare për të drejtat e njeriut janë përfshirë në procesin e eliminimit të këtyre formave të diskriminimit dhe intolerancës, të bazuara në fenë ose bindjen, apo në zhvillimin e politikave që do të ruanin dhe përkrahnin lirinë fetare.»
Të drejtat e njeriut pa kufi e botoi listën e saj të rekomandimeve me germa të zeza në kapakun e prapmë të raportit të saj.
Dëshmitarët e Jehovait janë një dobi për Singaporin. Ata i respektojnë të drejtat e fqinjëve të tyre dhe nuk do të kryenin asnjë krim kundër tyre. Asnjë qytetar i Singaporit nuk ka pse të shqetësohet se mos një Dëshmitar i Jehovait i ka vjedhur shtëpinë, apo se e ka sulmuar, rrahur apo përdhunuar.
Shërbimi i tyre publik vullnetar forcon dhe përmirëson jetën familjare dhe nxit një qytetari të mirë. Ata drejtojnë studime biblike pa pagesë me këdo që dëshiron të mësojë parimet ndërtuese të Biblës dhe se si t’i zbatojë ato në jetën e tij apo të saj. Mbledhjet e tyre për studim biblik dhe lutjet janë pjesë e arsimimit të tyre të krishterë. Kjo gjë ka bërë që ata të jenë qytetarë të shkëlqyer.
Qytetarët e Singaporit, të cilët e respektojnë republikën e tyre dhe duan më të mirën për të ardhmen e tij, duhet ta nxisin qeverinë që të vëzhgojnë rishtas vendin që duhet të zënë Dëshmitarët e Jehovait në shoqërinë e Singaporit. Ka ardhur koha për t’i hequr sanksionet kundër tyre dhe për t’u kthyer atyre atë që i është dhënë si e drejtë çdo qytetari: lirinë e adhurimit.
[Kutia në faqen 26]
Bota po vëzhgon
1. «Kur policia e Singaporit u lëshua mbi pesë shtëpi një natë të fundit të shkurtit në një blic të tipit ushtarak, 69 burra, gra dhe adoleshentë u arrestuan dhe u dorëzuan në rajonet e policisë. Nuk ishte ashtu siç mendohej se do të përfundonin mbledhjet për studim biblik.»—The Ottawa Citizen, Kanada, 28 dhjetor 1995, faqe A10.
2. «Do të ishte një burim i vërtetë kënaqësie për të gjithë ata, të cilëve u intereson liria fetare dhe të drejtat e ndërgjegjes, nëse qeveria e Singaporit do të ndreqte pozitën e saj në lidhje me anëtarët e këtij populli të pafajshëm dhe të padëmshëm dhe do t’i lejonte ata ta praktikonin dhe ta propagandonin besimin e tyre pa frikë apo pengesë.»—Profesor Brajan R. Uilson, Universiteti i Oksfordit, Angli.
3. «Në një varg procesesh gjyqësore që kanë ndezur protesta nga grupet ndërkombëtare të lirive civile, gjyqet e Singaporit kanë shpallur fajtorë 63 Dëshmitarë të Jehovait që nga nëntori i fundit.»—Asahi Evening News, Japoni, 19 janar 1996, faqe 3.
4. «Dëshmitarët e Jehovait duhet të lejohen të mblidhen dhe të praktikojnë fenë e tyre në mënyrë paqësore pa qenë të kërcënuar nga arresti apo burgimi. Liria e fesë është një e drejtë themelore, e cila garantohet nga Kushtetuta e Singaporit.»—Amnistia Ndërkombëtare, 22 nëntor 1995.
5. Çen Siu-çing, kryetar i Komisionit për Drejtësinë dhe Paqen i Dioqezës Katolike në Hong Kong, në një letër drejtuar Li Kuan Ju, Ministër i parë i Zyrës së Kryeministrit, më datë 1 qershor 1995, tha: «Çështja kryesore është që edhe nëse qeveria e Singaporit mendon se ata që hedhin poshtë shërbimin ushtarak dhunojnë ligjin dhe për këtë ata duhen akuzuar, anëtarët e tjerë që thjesht marrin pjesë në grumbullime fetare për qëllim adhurimi nuk duhen prekur. . . .
Prandaj, ju shkruajmë për t’i kërkuar qeverisë suaj:
1. të mos i ndalojë Dëshmitarët e Jehovait, me qëllim që ata të mund të gëzojnë liri adhurimi dhe ndërgjegjeje;
2. të ndalin akuzat kundër anëtarëve Dëshmitarë të Jehovait, të cilët janë thjesht të pranishëm nëpër grumbullime për qëllime fetare.
3. të lirojnë ata anëtarë të Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët janë arrestuar kohët e fundit thjesht për pjesëmarrje në aktivitete fetare.»
[Figura në faqen 23]
Dëshmitarët e Jehovait në godinën e gjyqit pasi ishin bërë akuzat
[Figura në faqen 23]
Kjo Dëshmitare 71-vjeçare i tha gjykatësit: «Unë nuk përbëj ndonjë kërcënim për këtë qeveri.» E megjithatë, ajo u burgos