Nga lexuesit tanë
Përjashtimi E vlerësova vërtet artikullin «Pikëpamja e Biblës: Përse përjashtimi është një rregullim i dashur.» (8 shtator 1996, anglisht) Unë vetë jam përjashtuar në 1987-n dhe u rivendosa në 1988-n, pasi mora një mësim të mirë. Ky rregullim i dashur më ndihmoi të bëja rregullime lidhur me mënyrën time të jetesës dhe shoqëritë. Sa të bekuar jemi që kemi një organizatë, e cila i pranon normat e Biblës!
R. R., Shtetet e Bashkuara
Edhe unë kam qenë i përjashtuar nga kongregacioni. Për momentin mendova se ishte diçka e ashpër dhe gjëja më mizore që mund t’i bëhej një njeriu. E kisha gabim! Para se të përjashtohesha, pleqtë e kongregacionit bënë shumë përpjekje për të më ndihmuar që të pendohesha. Me pak fjalë, unë nuk e çmova ndihmën në atë kohë. Përjashtimi më përuli shumë! Ai më nxiti të shikoja se sa e rëndësishme është marrëdhënia jonë me Jehovain.
B. T., Shtetet e Bashkuara
Amerikanët vendës Ju falënderoj për serinë e artikujve «Indianët amerikanë: Çfarë ofron e ardhmja e tyre?» (8 shtator 1996, anglisht) Gjithmonë kam pasur interes për historinë e amerikanëve vendës. Përsëri ju them se mbeta i befasuar nga sinqeriteti, objektiviteti dhe saktësia historike e revistave tuaja.
A. M., Itali
Kurrë nuk të zë syri një mësues apo gjykatës amerikan vendës në faqen e parë të një reviste. Paraqiten dendur imazhe primitive të ngjashme me atë të faqes së parë të revistës suaj. Përjetësimi i këtyre imazheve pengon përpjekjet tona kundër shablloneve.
K. M. T., Shtetet e Bashkuara
Sigurisht që nuk kishim për qëllim të përjetësonim ndonjë shabllon të dëmshëm. Piktura e kapakut u bë për t’i paraqitur amerikanët vendës në një mënyrë pozitive dhe me dinjitet. U përdor veshja tradicionale, pasi ishte e përshtatshme për temën dhe mund të identifikohej lehtë nga lexuesit tanë në mbarë botën. Është interesante të thuhet se shumë amerikanë vendës që e lexuan, shprehën çmueshmëri si për artikujt, ashtu edhe për artin e përdorur në të. Disa janë të dëshëruar t’i mbajnë të gjalla disa mënyra të lashta dhe në ndonjë rast mbajnë veshje tradicionale.—BOT.
Meqenëse punoj si etnolog për një muzeum dhe po specializohem në Amerikën e Veriut, jam shumë i interesuar për këtë argument. A do të kishit mundësi të më dërgonit dhjetë kopje të këtij numri, të cilat do t’ua shpërndaj të tjerëve që janë të interesuar për indianët amerikanë?
P. B., Gjermani
Jemi të kënaqur t’jua plotësojmë këtë kërkesë.—BOT.
Ai pak informacion që dija për indianët, vinte nga filmat. Nga këta artikuj mund të shoh se Hollivudi nuk tregon tamam të vërtetën. Pikëpamja ime për indianët ka ndryshuar.
T. M., Shtetet e Bashkuara
Origjina ime rrjedh pjesërisht nga amerikanët vendës, prandaj isha i nxitur ta lexoja këtë numër. Megjithatë, në kundërshtim me opinionin e përgjithshëm, Sitting Bull (Kau i Ulur) nuk ishte prijës në betejën e Bighornit të Vogël.
P. H., Shtetet e Bashkuara
Mori pjesë personalisht apo jo Sitting Bull në këtë betejë, me sa duket është çështje kontradiktash mes historianëve. Pikëpamja që duket se mbizotëron mes shumicës së studiuesve gjendet në revistën e respektuar “Natural History”, në të cilën thuhet: «Sipas tregimeve të indianëve, Sitting Bull, nganjëherë i menduar si kundërshtari i Kusterit në betejë, nuk mori pjesë në përleshje, por u mor me bërjen e magjive për t’u dhënë forcë luftëtarëve indianë.» Nëse do të dalë në dritë informacion i mëtejshëm sqarues, mbetet për t’u parë.—BOT.