Hapja e gojës e kafshëve
Kur dikujt i hapet goja në publik, njerëzit mund të mendojnë se është i pasjellshëm apo të paktën se po mërzitet jashtëzakonisht. Pavarësisht nga rregullat e mirësjelljes, hapja e gojës shërben faktikisht për një qëllim të dobishëm. Hapja e gojës është një frymëmarrje e pavullnetshme. Zakonisht na hapet goja në mbrëmje, kur jemi të rraskapitur nga aktivitetet e ditës apo në mëngjes, pasi jemi zgjuar nga gjumi. Një hapje e gojës e thellë shërben për të rritur furnizimin tonë me oksigjen dhe mund të na freskojë për një moment; shpesh është pjesë e procesit të zgjimit.
Por, a e dini se edhe kafshëve u hapet goja, megjithëse jo gjithmonë për t’u mbushur më mirë me frymë? Arsyeja se përse e bëjnë këtë, shpesh është shumë tërheqëse. Majmunët, për shembull, disa herë hapin gojën për të komunikuar një mesazh. Goja plotësisht e hapur dhe tregimi i qartë i dhëmbëve janë një mënyrë për t’i dhënë paralajmërim një majmuni mashkull rival apo një grabitqari të mundshëm. Mesazhi është: «Kur kafshoj jam i tmerrshëm. Mos m’u afro!»
Është vërejtur, gjithashtu, se macet grabitqare të savanave afrikane para se të shkojnë për gjah, shpesh shtriqen dhe hapin gojën. Ashtu si për njerëzit, hapja e gojës e këtyre maceve shërben për një funksion fiziologjik: të futin më shumë ajër në mushkëri. Kjo gjë rrit sasinë e oksigjenit në gjak. Më pas, zemra e shpërndan atë në pjesët e tjera të trupit, duke siguruar energji të çastit për ndjekje të shkurtra me shpejtësi të madhe.
Madje edhe peshqit janë vëzhguar se u hapet goja! Libri Brenda botës së kafshëve (Inside the Animal World) tregon për peshq që disa herë «u hapet goja pak përpara se të bëjnë një lëvizje të shpejtë. . . . Një peshku mund t’i hapet goja edhe kur është i entuziazmuar, kur shikon një armik apo kur shikon ushqim, të gjitha këto raste kur nevojitet një veprim i shpejtë».
Ka mundësi që hapja e gojës që të bën më shumë përshtypje nga të gjitha është ajo e hipopotamit, apo e Behemothit. Kjo krijesë gjigante mund ta hapë gojën e saj të madhe sa një shpellë, duke arritur një kënd të pabesueshëm prej 150 gradësh. Hapja e gojës i bën të mundur një hipopotami mashkull të moshuar që t’u tregojë të gjithë të tjerëve në atë pellg se kush është kapo. Ajo shërben edhe si një vënie në dukje të dhëmbëve, për të paralajmëruar çdo të huaj që do të guxonte të shkelte në pjesën e lumit që është pronë e tij.
Kështu, ndonëse mund të mos shkaktojë efektin dramatik të ulërimës së luanit, një hapje e gojës: qoftë tregues i gjumit, qoftë për të kërcënuar apo thjesht për të marrë energji, shërben për një qëllim të dobishëm. Ajo është vetëm një shembull më shumë, i aftësisë mahnitëse krijuese të Projektuesit të mbretërisë së kafshëve!