Një betejë e humbur kundër krimit
«KRIMI do të mund të kontrollohej shumë shpejt, nëse secili do të ishte i gatshëm për të bërë një përpjekje»,—kjo ishte thënia e cituar në Liverpool Daily Post të Anglisë nga një ish-shef i policisë metropolitane. Vërtet, në qoftë se secili do t’i bindej ligjit, krimi do të zhdukej.
Megjithatë, në shumicën e vendeve krimi është në rritje. Fjalë të shprehura mijëra vite më parë i aplikohen kohës sonë: «Toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë.» (Zanafilla 6:11)—Shiko kutinë në faqen e kundërt.
Krimi fillon me gjërat e vogla
Duke thyer ligjin në gjërat e vogla, një person mund të jetë i kushtëzuar që ta thyejë atë në gjërat më të mëdha. Për ta ngulitur këtë fakt mbi studentët e tij, një mësues shpjegoi: «Grabitësit e bankave e nisin duke vjedhur lapsa në shkollë.»
Më vonë, çfarë ndodh shpesh në vendin e punës? Njerëzit qëndrojnë në shtëpi në ditët e punës gjoja për shkak të një sëmundjeje dhe pastaj pranojnë asistencë, për të cilën nuk kanë të drejtë. Kjo praktikë e pandershme është më e zakonshme sesa mund të mendojë dikush. Në Gjermani, për shembull, 6 përqind e të ashtuquajturave ditë me raport, të marra nga punëtorët bien të mërkurave, 10 përqind të martave dhe 16 përqind të enjteve, por një sasi e pabesueshme prej 31 përqind bie ditën e hënë, kryesuar nga 37 përqind ditën e premte. A sëmuren me të vërtetë më shpesh njerëzit të hënave dhe të premteve, apo kjo është vetëm një formë tjetër vjedhjeje?
Cilët janë kriminelët?
Sigurisht, aktet kriminale të kryera nga njerëzit e thjeshtë nuk kanë zakonisht të njëjtat efekte si ato të kryera nga njerëzit me pozitë pushteti. Në fillim të viteve 70, Shtetet e Bashkuara u tronditën nga një krim politik i një karakteri kaq të rëndë, saqë emri i lidhur me të u bë madje pjesë e gjuhës angleze.
«Watergate,—sipas Barnhart Dictionary of New English,—është një ‘skandal, veçanërisht një që përfshin përpjekje për të fshehur informacion të dëmshëm ose veprimtari të paligjshme.’»a Më pas ai shton: «Çështja Watergate la një gjurmë të fortë mbi gjuhën e viteve 70. Nga kjo fjalë u sajuan fjalë të ndryshme dhe forma kombinuese -gate, u shtohej fjalëve për të treguar një skandal ose korrupsion.»
Që nga ajo kohë një numër skandalesh si ai Watergate kanë treguar se krimi është gjerësisht i përhapur, madje edhe mes atyre që duhet të jenë shembullorë në mbajtjen e ligjit. Në Japoni, korrupsioni politik u bë kaq i përhapur, saqë në fillim të viteve 90 u desh të nxirreshin ligje të reja për ta luftuar atë. Në vitin 1992 presidenti i Brazilit u rrëzua nën akuzat e korrupsionit.
A nuk është e qartë se keqbërja e atyre që janë në pozita autoriteti, duke përfshirë prindërit, mësuesit dhe autoritetet për ruajtjen e ligjit i kontribuon veprimtarisë kriminale të masave?
Nuk mjaftojnë qëllimet e mira
Shumica e njerëzve do të ishin dakord se qeveritë dëshirojnë ta çrrënjosin krimin. Megjithatë, një zyrtar në pension vërejti për vendin e tij: «Qeveria ka bërë tepër pak për të siguruar që makina e drejtësisë të punojë me shpejtësi dhe me efektshmëri. Nuk ka mjaft gjykatës, kështu që ata pak që kemi janë të mbytur nga puna. Forcat e policisë kanë mungesa personeli dhe pajisjesh. Policëve disa herë nuk u jepet rroga në kohën e duhur, duke e bërë shumë tunduese nga ana e tyre marrjen e rryshfeteve.»
Revista italiane La Civiltà Cattolica ankohet se «shteti është i pafuqishëm para krimit të organizuar» dhe pastaj vëren: «Angazhimi nga ana e forcave të rendit dhe e organeve të drejtësisë në luftën kundër krimit vlerësohet, por është e dukshme se krimi i organizuar nuk ndikohet aspak, përkundrazi, forca dhe fuqia e tij rritet.»
Duket qartë se qëllimet e mira të qeverive për të luftuar krimin nuk mjaftojnë. Anita Gradin, përfaqësuesja evropiane për imigrimin dhe çështjet gjyqësore, në mënyrë të përshtatshme vërejti: «Na duhen metoda më të mira, më të efektshme për bashkëpunim në luftën kundër kontrabandës dhe trafikimit të drogës, kontrabandës së klandestinëve dhe imigrimit të paligjshëm, krimit të organizuar, mashtrimit dhe korrupsionit.»
Sa të angazhuar janë autoritetet që mbrojnë ligjin?
Disa vënë në diskutim masën në të cilën autoritetet janë në të vërtetë të angazhuara në luftën kundër krimit. Ish-inspektori i përgjithshëm i policisë në një vend vëren se gjithsecili, të paktën publikisht, «e dënon korrupsionin dhe krimet ekonomike». Megjithatë, thotë ai, jo të gjithë kanë një dëshirë të sinqertë për të çrrënjosur krimin dhe korrupsionin. Një numër në rritje njerëzish, duke përfshirë autoritetet e mbrojtjes së ligjit, me sa duket e konsiderojnë rryshfetin, mashtrimin dhe vjedhjen si rrugë të pranueshme për të çarë përpara.
Fakti se shumë nga ata «që kryejnë krime dalin pa u lagur», siç u shpreh një nëpunës dogane, është padyshim një nga arsyet për rritjen e krimeve. Për shembull, një botim rus flet për «lehtësinë me të cilën kriminelët shpëtojnë pa u ndëshkuar». Kjo gjë, shton botimi, «duket se i frymëzon qytetarët e zakonshëm që të kryejnë krimet më mizore». Kjo është pikërisht ajo që pohoi shkrimtari biblik gati 3.000 vjet më parë: «Sepse vendimi kundër një veprimi të keq nuk zbatohet menjëherë, zemra e bijve të njerëzve është e mbushur nga dëshira për të bërë të keqen.»—Predikuesi 8:11.
Nuk është një ekzagjerim të themi se qeveritë po bëjnë një betejë të humbur kundër krimit. Gazeta gjermane Rheinischer Merkur komenton: «Frika e njerëzve për rritjen e krimeve të dhunës është e rrënjosur thellë dhe nuk mund të qetësohet as nga grindjet e zakonshme të partive politike, as nga statistikat që sugjerojnë se gjendja nuk është aq e keqe sa mund të duket.»
Në kundërshtim me thënien se krimi nuk është kaq keq sa mund të duket, ka më shumë të ngjarë që faktet të jenë e kundërta. Megjithatë, ka vend për optimizëm. Një botë e lirë nga krimet po afrohet gjithnjë e më shumë dhe ju mund të jetoni për ta parë atë. Artikulli vijues do të tregojë përse themi kështu.
[Shënimi]
a Çështja Watergate u quajt kështu, sepse një ndërhyrje me forcë në ndërtesën me atë emër e nxori çështjen në dritë. Përfundimisht skandali çoi në dorëheqjen e presidentit të SHBA-së, Riçard Nikson, dhe në burgosjen e disa prej këshilltarëve të tij kryesorë.
[Diçitura në faqen 6]
Shumë njerëz e konsiderojnë krimin si një rrugë të pranueshme për të çarë përpara.
[Kutia në faqen 5]
Një botë e mbushur me dhunë
BRAZIL: «Në reagim ndaj një vale në rritje dhune, qindra mijë njerëz mbushën rrugët kryesore [të Rio de Zhaneiros], duke shprehur frikën dhe zemërimin e tyre mbi krimin që ka robëruar qytetin e tyre.»—International Herald Tribune.
KINË: «Gangsterët po shfaqen përsëri në Kinë dhe krimet më të rënda duken se kanë dalë jashtë kontrollit. . . . Specialistët kinezë thonë se numri i bandave dhe i ‘shoqërive të fshehta’ po rritet më shpejt se ç’mund t’i numërojë policia.»—The New York Times.
GJERMANI: «Hendeku midis gatishmërisë për t’iu drejtuar dhunës dhe rrethanave që e shtyjnë një person për të vepruar kështu është bërë vazhdimisht e më i ngushtë. Prandaj, vështirë se habitemi që dhuna është bërë një fenomen i përditshëm.»—Rheinischer Merkur.
BRITANIA E MADHE: «Dhuna ndizet më shpejt tani dhe ekziston një mundësi në rritje që ofenduesi të përdorë dhunën si mjet të parë.»—The Independent.
IRLANDË: «Grupet kriminale të stilit mafioz kanë zënë rrënjë tashmë në qendër të Dublinit dhe në periferitë e tij më të varfëra perëndimore. Bandat janë gjithnjë e më tepër të armatosura mirë.»—The Economist.
MEKSIKË: «Krimi është rritur kaq shpejt në një periudhë kaq të shkurtër kohore, saqë është bërë alarmues.»—The Wall Street Journal.
NIGERI: «Sipas zëdhënësit të policisë, zotit Frank Odita, njësia familjare, kishat, xhamitë, shkollat dhe klubet kanë dështuar në detyrën e tyre që t’i parandalojnë të rinjtë nga përfshirja në krime.»—Daily Champion.
FILIPINE: «Gjashtë në çdo dhjetë familje në Filipine thonë se nuk ndihen të sigurta në shtëpitë e tyre ose në rrugë.»—Asiaweek.
RUSI: «Bandat e stilit mafioz e kanë transformuar një qytet, i cili nën kontrollin komunist ishte një nga vendet më të sigurta në botë, në një qendër të vërtetë kriminaliteti. . . . ‘Po bëhen 17 vjet që jam në patrullën e policisë,—thotë togeri i policisë Genadi Groshikov,—nuk kam parë kurrë kaq shumë krime në Moskë, as kam parë ndonjë gjë kaq të egër.’»—Time.
AFRIKA E JUGUT: «Dhuna e papërmbajtur dhe praktikisht e pakontrolluar po kërcënon secilin prej nesh e çdo gjë që ne bëjmë dhe kundër saj duhet bërë diçka radikale.»—The Star.
TAIVAN: «Në Taivan . . . shkalla në rritje e grabitjeve me dhunë, sulmeve dhe vrasjeve ka depërtuar dalëngadalë në shoqëri . . . Vërtet, shkalla e krimeve po rritet gradualisht dhe në disa raste e kalon atë në vendet perëndimore.»—The New York Times.
SHTETET E BASHKUARA: «SHBA është kombi më i dhunshëm në botën e industrializuar. . . . Asnjë komb tjetër i industrializuar nuk i afrohet.»—Time.